Normalizimi i Islamofobisë

Saga e Ahmed Mohamed-it, 15 vjeçarit amerikan që kishte shpikur një orë dhe e kishte paraqitur atë më pas në shkollë, duke përfunduar kështu i arrestuar nga organet e sigurimit nën akuzën për terrorizëm, rezultoi mirë për Ahmed-in duke qenë se emri i tij u bë i njohur kudo por nuk përbën lajm po aq të mirë për myslimanët amerikanë.

Që një incident i tillë është i mundshëm në Amerikë, tregon shumë për shoqërinë amerikane sot, për raportin që kjo shoqëri ka me islamin dhe myslimanët. Prej rastit të arrestimit të Ahmed-it, mund të nxjerrim disa përfundime që janë tejet shqetësuese për një shoqëri demokratike e duhet njëkohësisht të mendojmë për mënyra e strategji për ta ndryshuar këtë hije të zezë që u ka rënë në kokë myslimanëve (jo vetëm në Amerikë!). Nuk e mohoj aspak që ekziston një frikë e vërtetë kundrejt islamit dhe myslimanëve dhe se kjo frikë nuk është plotësisht irracionale. Megjithatë, fakti që nuk është krejtësisht irracionale nuk do të thotë që është e arsyeshme sepse si frikë ajo është ngritur mbi raste konkrete ku myslimanët janë përfshirë në aksione terroriste sidomos kundër amerikanëve. Po ashtu, media ka luajtur një rol të madh në njollosjen e imazhit të islamit. Edhe pse kjo frikë është racionale apo përkundrejt rasteve konkrete që e dëshmojnë këtë frikë, kjo nuk është e arsyeshme brenda kufijve në të cilat vepron kultura dhe ‘common sens’-i.

Zakonisht një frikë e tillë mbetet abstrakte, e përgjithshme, e largët dhe zbutet e tretet nga krijimi i kontakteve me myslimanë; për shembull kur myslimani bëhet fqinj, kur fëmijët nisin të luajnë njëri me tjetrin, kur shkëmbejnë vizita, kur ndjekin të njëjtën shkollë apo ndajnë të njëjtën hapësirë pune, ulen në banga të njëjta, ndeshen në basketboll bashkë e madje edhe grinden e përleshen si rëndom njerëzit – atëherë është plotësisht e arsyeshme që do të thotë se e kundërta nuk është e arsyeshme, që frikërat dhe fobitë e ndryshme ndaj grupeve të veçanta zhduken. Myslimanët si abstraksion përsëri mund të funksionojnë si objekt frike por konkretisht këto frikëra shuhen.

Ajo që e bën të tmerrshëm rastin e Ahmed-it është fakti që islamofobia nuk është më frikë ndaj një abstraksioni por ajo ka depërtuar e ka infektuar tashmë ‘common sens’-in: aftësinë për të dalluar islamin si ideologji politike (islamizmin), islamin si fe (ritualet e ndryshme fetare) dhe myslimanët (si njerëz po ashtu krejt të ndryshëm njëri nga tjetri). Tri këto nivele ngatërrohen dhe trajtohen si një. Kjo do të thotë që islamofobia është normalizuar. Natyrisht që kjo formë e islamofobisë është pasive, nuk deklarohet haptas, përveç se në momente të veçanta si në rastin e Ahmed-it: ai menjëherë shfaqet si paralajmërim, si alarm për rrezikun e myslimanëve…si Ahmed-i. Kjo kalon në irracionalitet.

Islamofobia nuk është racizëm, as anti-semitizëm por ka të përbashkët me racizmin dhe anti-semitizmin trajtimin e myslimanit si të pandryshueshëm, si dikush që zotëron disa karakteristika që e dallojnë atë nga të tjerët, si veçori qenësore të të përcaktuarit të myslimanit si të tillë. Myslimani i islamofobisë nuk ekziston në të vërtetë, ai është thjesht projektim i imagjinares islamofobe sepse edhe myslimani terrorist nuk është përherë i këtillë, nuk ka qenë dhe është irracionale të presupozohet që do të mbetet i tillë. Islamofobia siç dëshmohet nga shembulli i Ahmed-it, është ideologji që e prezanton myslimanin në thelb si të rrezikshëm. Kësisoji, çdo shenjë, çdo sinjal që kapet në rrjetën e islamofobisë si i dyshimtë, shndërrohet në arsye për tu alarmuar nga rreziku që të gjithë myslimanët duket se paraqesin. Islamofobët janë paragjykues të islamit dhe myslimanëve, viktima të një ideologjie që e paraqet islamin si të rrezikshëm dhe myslimanin si të paasimilueshëm, si tjetër total. Me njerëz nën këtë mendësi nuk mund të komunikohet ngase ata në këtë imagjinare islamofobe janë esencialisht të tjerë njerëz.

Zizek-u kur flet për anti-semitizëm, thotë që edhe pse anti-semitët e dinin që fqinji i tyre ishte si ata vetë, këtë fakt prireshin ta interpretonin nëpërmjet anti-semitizmit të tyre (për shembull: filani paraqitet në këtë mënyrë për të na mashtruar sepse ne e dimë kush dhe si janë hebrenjtë!). Këta janë të pandryshueshëm, përherë të njëjtë. Konceptualisht, çka e dallon racizmin, anti-semitizmin dhe islamofobinë nga njëra tjetra, nuk është forma ideologjike por përmbajtja. Dallimi pra, nuk është formal por përmbajtësor: në racizëm, kuptohet, është ngjyra e lëkurës që merr përmasat trishtuese të diskriminimit dhe urrejtjes ndaj çdokujt që nuk është i bardhë. Pa marrë parasysh se sa të dallueshme janë nga njëra tjetra këto forma të urrejtjes së tjetrit, ato kanë të përbashkët në imagjinaren e racistëve, anti-semitëve dhe islamofobëve, tri përmbajtje të formës së përjashtimit të tjetrit, pandryshueshmërinë dhe natyrën qenësore të tyre. Kur një hebre sillet plotësisht si dikush jo-hebre, kur është plotësisht i integruar, nga pikëpamja anti-semite ai mund të paraqitet vetëm si mashtrues.

E njëjta situatë vlen edhe për myslimanin. Në diskurset e islamofobisë, koncepti “takijja” që nënkupton se myslimanit i lejohet të fshehë identitetin nëse jeta e tij rrezikohet; një koncept ‘common sens’-i i zhvilluar në teologjinë shiite, është marrë përsipër nga islamofobët dhe është përgjithësuar për t’i përfshirë totalisht myslimanët. Sipas kësaj logjike, myslimanët janë të gjithë njësoj: të rrezikshëm. Ahmed-i 15 vjeçar dhe terroristët janë esencialisht të njëjtë: i pari shtiret, i dyti e jeton fenë e tij haptas. Ata kurrë nuk mund të bëhen qytetarë të mirë sepse feja e tyre është barrierë që nuk mund të tejkalohet.

Islamofobia gjeneralizon raste të veçanta, konkrete negative, si veçori pozitive ontologjike të të qenurit mysliman. Kështu islamofobia krijon armiq aty ku realisht ka vetëm miq – andaj sado e mbështetur në raste konkrete të dhunës së myslimanëve, ajo mbetet formë patologjike e urrejtjes së tjetrit, vetëm pse ky i fundit është një tjetër. Islamofobia nuk mund të luftohet me fakte të tjera që reflektojnë se myslimanët janë të integruar dhe jetojnë si gjithë të tjerët (ky gjykim bie në grackën e logjikës islamofobe: bën gjeneralizimin e rasteve pozitive si veçori ontologjike të të qenurit mysliman). Është ideologjia që është e sëmurë dhe islamofobët duhet të shërohen nga ky virus i rrezikshëm për shëndetin e shoqërisë.

Sead Zimeri

Artikulli paraprakKoment mbi operacionin ushtarak të Rusisë në Siri – Prof. dr. Ramazan Gozen
Artikulli vijuesVritet në mënyrë brutale një femër në Palestinë. Bota hesht!