Komercializohet edhe arsimi…

Sistemi i arsimit është bërë arenë e korrupsionit dhe paaftësisë profesionale, konsiderojnë njohës të kësaj fushe.

Sipas tyre, korrupsioni fillon që nga regjistrimi i fëmijëve në kopshte, e deri te niveli i lartë i arsimit – apo blerja e diplomave.

Halim Hyseni, nga Qendra për Arsim e Kosovës, tregon disa shqetësime që kanë përfshirë sistemin arsimor. Sipas tij, ka raste kur në universitet janë regjistruar studentë vetëm me shkollë fillore, me diploma të falsifikuara të shkollës së mesme dhe sot janë në pozita të larta institucionale.

Shqetësim tjetër, sipas tij, është se studentët paguajnë provimet, si për një notë më të mirë, ashtu edhe për të marrë provimet. Me këto dukuri, thotë Hyseni, po atakohet e ardhmja e Kosovë.

“Korrupsion është kur ne pranojmë njerëz në studime pa e përfunduar shkollën e mesme. Ata… përfundojnë studimet, ndoshta edhe pa hy në provime, e nëse i kanë edhe njerëzit e vet në pushtet, punësohen menjëherë. Kështu, i tërë procesi i zhvillimit të Kosovës futet në një rreth vicioz”, deklaron Hyseni për Radio Evropa e Lirë.

Edhe disa studentë pohojnë se korrupsioni ka përfshirë nivelin e lartë të arsimit. Arbeni (i cili nuk dëshiron ta bëjë publik mbiemrin, për shkak të frikës nga – siç thotë ai – hakmarrja e profesorëve) është student në Fakultetin e Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës, ndërsa thotë se di raste kur studentët kanë kaluar provimet për shkak se kanë pasur profesorët të njohur.

“Kemi rastin e prodekanit të Fakultetit të Arkitekturës. Ai nuk vë notën 10, asnjëherë, por në gjeneratën kur e ka pasur djalin e vet, ka vënë 10-she. Diku dhjetë studentë në atë kohë kanë marrë notën 10. Thuhet se me intervenim e ka kryer edhe lëndën Teknologjia e Betonit”, thotë Arbeni.

Bekimi është student në vitin e parë në Fakultetin Ekonomik. Edhe ai thotë se ka raste kur studentet kalojnë provimin pa mësuar. Ai, madje, tregon se këtë ofertë ia kanë bërë edhe disa kolegë.

“Njoh studentë që kanë kaluar, fare pa mësuar, pasi kanë të njohur në fakultet. Edhe mua më kanë thënë shko tek ‘iks personi’ për të marrë notë, por nuk kam pranuar”, tregon Bekimi.

Edhe përfaqësues të studentëve pohojnë se perceptimet për këto dukuri ekzistojnë, por mungojnë rastet konkrete për të dëshmuar. Arian Janova, nga Lista Studentore “Reforma”, thotë se organizatat studentore kanë insistuar nga studentët që të paraqesin ankesë me shkrim lidhur me këtë çështje, por, sipas tij, studentët hezitojnë të japin emra.

“Ka profesorë që shesin nota, ka studentë që hyjnë për kolegun e tyre në provim, ka studentë që me para punojnë temën e diplomës bachelor, temën e masterit”, thotë Janova. “Mirëpo, ne nuk jemi organ kompetente që të marrin emra dhe ata i nuk japin”.

Edhe zyrtarë në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë nuk e përjashtojnë mundësinë e ekzistimit të korrupsionit në sistemin e arsimit. Por, sipas tyre, deri më tani, palët nuk kanë paraqitur dëshmi. Këshilltari politik në Ministrinë e Arsimit, Ragip Gjoshi, bën thirrje që nëse dikush ka fakte, t\’i denoncojë ata.

Sidoqoftë, Halim Hyseni, nga Qendra për Arsim e Kosovës, thekson se arsimi në vend po nxjerr në pah korrupsionin, paaftësinë, ryshfetin dhe bllokimin e të gjitha shtigjeve për një arsim cilësor, si në nivelin e ulët, ashtu edhe në atë të mesëm dhe universitar. Pasojat do të jenë shumë të mëdha, pasi, sipas tij, korrupsioni në arsim reflektohet pastaj në të gjitha fushat e jetës.kohaislame

Artikulli paraprakHorror në Indi: 8 burra përdhunojnë turisten në sy të burrit
Artikulli vijuesShkodër, gjendet një kufomë pa kokë