DioGuardi: Skenaret kundër shqiptarëve janë të koordinuara

Kryetari i Ligës Qytetare Shqiptaro – Amerikane (LQSHA), Joe DioGuardi deklaroi për INA se arrestimet e fundit të shqiptarëve në Maqedoni dhe në Luginën e Preshevës, janë skenare të koordinuara.

“Tërë aparati shtetëror në Maqedoni dhe Serbi kanë hapur skenarë top sekrete dhe të përpunuara mirë, që kanë për qëllim të komprometojnë tërë shpirtin liridashës të besimit dhe të traditës shqiptare para opinionit ndërkombëtarë. Populli shqiptar nuk është terrorist dhe këtë e thotë me argument tërë rruga historike e popullit tonë me traditë të lashtë evropiane”, theksoi për agjencinë e lajmeve INA, lobisti i mirënjohur shqiptaro-amerikan Joe Dioguardi.

Sipas tij, çështja shqiptare në trojet e veta etnike në Maqedoni dhe Luginën e Preshevës po përballet me tortura brutale që kanë marrë konotacionin e akteve me skenarë ultranacionaliste.

Ai thekson se është e nevojshme një fushatë e bashkërenditjes së aktiviteteve kombëtare shqiptare në SHBA dhe Evropë, ashtu siç u veprua dhe u punua për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

LQSHA së shpejti do të bëjë publike para opinionit dhe administratës amerikane në Uashington një Rezolutë Politike për Kongresin dhe Senatin Amerikan, për të hedhur dritë për orët vrastare serbo-maqedonase, që siç thuhet synojnë destabilizimin e Ballkanit dhe pengesa të tjera për shtetbërjen e Kosovës.

DioGaurdi ka apeluar që subjektet politike shqiptare në Maqedoni të mos jenë vetëm vëzhguese dhe të luftojnë njëra tjetrën përmes tragjedive të popullit të tyre, që po diskriminohet në sytë e institucioneve ndërkombëtare.

Ish-kongresisti DioGuardi gjithashtu apelon për një platformë gjithëshqiptare në Maqedoni që do të rishqyrtonte pozitën e shqiptarëve përmes procesit të Marrëveshjes së Ohrit,e cila ka ngecur dhe është shtrembëruar në procesin e implementimit të saj të plotë. Qëndrimet dhe nisma e LQSHA është përshëndetur edhe nga Shoqata Shqiptaro – Amerikane dhe Komuniteti Shqiptaro – Amerikan në shtetin e Illionisit dhe shoqatat e tjera në Nju Jork dhe shtetet tjera të SHBA-ve. Skender Karaçica/INA/kohaislame

Artikulli paraprakKomandant Hoxha: UÇK-ja mund të rimobilizohet
Artikulli vijuesHomoseksualët në Tiranë, më 14 maj do të shëtisin me biçikleta