Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami ka takuar sot drejtorin gjeneral të kompanisë “Wegener Industrie Consulting GMBH” nga industria e tekstilit, Horst Wegener, të cilin e njoftoi nga afër me ambientin biznesor dhe mundësitë për invesitorët e huaj që ofron Republika e Kosovës.
Sipas njoftimit nga MTI, Bajrami ka thënë se ndryshimet e fundit në infrastrukturën ligjore në favor të bizneseve dhe investitorëve si dhe përmirësimi gjithnjë në rritje i infrastrukturës së zonave ekonomike, janë indikatorë të rëndësishëm dhe mjaft domethënës në krijimin e kushteve gjithnjë ë më të favorshme për biznes dhe investime.
Wegener u shpreh shumë i interesuar për të investuar në Kosovë, marrë parasysh fuqinë punëtore dhe kushtet që ofron tregu i punës në Kosovë. Investimi që pritet të bëjë investitori është në fushën e tekstilit dhe parasheh hapjen e rreth 500 vendeve të punës brenda dy viteve dhe po ashtu dyfishimin e këtij numri në periudhën pesë vjeçare, ka njoftuar Bajrami në Facebook.
Po ashtu, Wegener njoftoi që janë në përfundim të negociatave të kontratës për blerjen e fabrikës së tekstilit në Viti, e cila pritet të nënshkruhet gjatë ditës.
Bajrami shtoi se përmbushja e kërkesave të investitorëve nga ana e Qeverisë është një nga prioritetet kryesore.
“Një investim i tillë është shumë i rëndësishëm, marrë parasysh seriozitetin e treguar nga investitorët gjerman si dhe ndikimin e investimeve në zhvillimin ekonomik të vendit”, thuhet në njoftim.