Demi pretendon se Presidenti Thaçi ka fshehur para si Putini

Kryetari i Institutit për Studime të Avancuara – GAP, Agron Demi, thotë se transaksioni i parave të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, është pak a shumë i ngjashëm me atë të Vladimir Putinit.

Demi pretendon se presidenti me vetëm një transaksion fshehu komplet prejardhjen e pasurisë së tij.

Demi ka shprehur dyshime rreth transaksioneve që ka bërë presidenti me pasuritë e paluajtshme që nga viti 2010, madje duke u bazuar në raportet e Agjencisë Kundër Korrupsion, dhe ‘matematikës së Demit’ del që presidenti ka fshehur së paku 15 mijë euro, raporton Insajderi.

“Më 2010, Hashim Thaçi ka deklaruar se ka shitur shtëpinë në Arbëri për 260,000 euro. Me ato para i ka ble 15.75 ari tokë në Veternik në vlerë prej 157,000 euro. Atyre 103,000 eurove të mbetura ja ka shtuar edhe 100,000 euro kredi dhe ka filluar ndërtimin e një shtëpie 700 m2 në vlerë prej 203,000 eurosh. Shtëpia së bashku me tokën kap vlerën e 360,000 euro.

E pas këtyre transaksioneve, tregon Demi, në ndihmë ish-kryeministrit i doli miku i tij Rrahim Pacolli, i cili ja bleu shtëpinë Thaçit për një shumë saktësisht të ngjashme me atë që e kishte deklaruar më parë në AKK.

Me këtë rast, Demi pretendon se ish-kryetari i PDK-së “fshehu” së paku 15 mijë euro.

Rastësisht, një javë më parë, del Rrahim Pacolli, një mik i familjes në biznes dhe politikë, edhe ja blenë shtëpinë tashmë Presidentit për 360,000 euro. Rrafsh sa e ka deklaruar Presidenti në AKK, as ma pak e as ma shumë. Madje, sipas kësaj matematike, del që në këtë transaksion Presidenti ka ‘humb’ së paku nja 15,000 euro, ngase nuk e ka llogaritë kamatën e kredisë”, është shprehur Demi.

Ai thotë se shitja e shtëpisë nga Thaçi në këtë periudhë është bërë pikërisht me qëllim për t’iu shmangur raportimit të pasurisë së tij në formularin e AKK-së, raporton Insajderi.

“Por, për shkak se deklarimi i pasurisë është përmbyll para disa javësh, Presidenti nuk e përfshin këtë transaksion në formularin për deklarimin e pasurisë. E kështu, me një transaksion, e mbulon komplet prejardhjen e pasurisë, ani pse shtëpia prej 700 m/2 është vetëm ndërtim i vrazhdë dhe objekt i futur nen kulm”, thotë Demi.

Shefi aktual i GAP-it gjithashtu inicion nisjen e një procesi hetimor, pasi siç thotë ai, në çdo vend me sundim të ligjit, një transaksion i tillë do të hetohej. Ai i krahason këto “lëvizje” të presidentit Thaçi me ato të homologut të tij rus, Vladimir Putin.

“Ne secilin vend me sundim te ligjit, ky transakcion do te hetohej. Tek e fundit, neper keso transaksionesh mediet ndërkombëtare e ndërlidhen Putinin me pasurinë miliardëshe te publikuar ne ‘Panama Papers’”, deklaroi Demi.

Presidenti Thaçi, në formularin e tij të pasurisë sot ka treguar se trashëgimi familjare ka tokë bujqësore 7.00 hektarë, vlera e të cilës kap shumën e 180 mijë eurove.

Ai po ashtu si trashëgimi nga familja ka treguar se ka edhe një shtëpi 250.00 m2 që peshon 80 mijë euro.

Artikulli paraprakKompania Gjermane e tekstilit synon të hap 500 vende të reja pune në Viti
Artikulli vijuesAKP tentoi ta lirojë Hotelin Victory, por u pengua nga Prokuroria e Shtetit