Kompanisë së Wesley Clark iu pamundësua investimi në Kosovë

Rreth 1 miliard euro ka pasur mundësi Kosova të përfitonte nga një investim i jashtëm, po që se përgjegjësit shtetërorë do të ishin më syhapur. Mosgatishmëria për të ndryshuar ligjin e kopjuar ka bërë që ish-gjenerali Wesley Clark të hiqte dorë nga plani i tij me kompaninë “Envidity” që të prodhonte naftën sintetike në vendin tonë.

Kjo kompani, me qendër në Alberta të Kanadasë, nga viti 2012 kishte bërë kërkesë për të marrë licencën për shfrytëzim të thëngjillit, fillimisht në fushën e Dukagjinit.
 
Në letrën që në atë kohë ia kishin dërguar Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, drejtuesit e kësaj kompanie kishin thënë se planet e saj janë që kapaciteti i prodhimit të këtij produkti të arrijë deri në 2 milionë litra brenda një dite.
 
Me anë të këtyre investimeve, nuk do të rrezikohej fare termocentrali Kosova e Re nga furnizimi me thëngjill, përcjell Koha.net. Kompania i kishte ofruar Qeverisë së Kosovës, 30% të fitimeve nga fitimet e përgjithshme të saj, që i bie të jenë 1/5 e të ardhurave të qeverisë brenda një viti. Brenda 6-7 vjetëve, do të mund të ishte i gatshëm edhe sistemi i transportit të furnizimit me derivate për aeroplanë.
 
Realizimi i këtij investimi do të hapte mijëra vende pune dhe qindra të tjerë që do të angazhoheshin si nënkontraktues.
 
Teknologjia, sipas projektit të kompanisë, do të ishte tërësisht amerikane.
 
Në këtë letër, që mban datën e 25 prillit të 2012-ës, drejtuesit e “Envidity-s” kishin kërkuar nga qeveria që të përshpejtonte dhënien e licencës, në mënyrë që në pranverë të 2013-ës të nisnin shpimet.
 
Për shumë kohë, në Kuvendin e Kosovës ishte diskutuar ndryshimi i ligjit, përmes të cilit, do të mundësohej realizimi i këtij investimi.
 
Mirëpo, sipas drejtuesve të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, kjo pjesë ka kaluar në përgjegjësi të zyrës së kryeministrit.
 
Sipas tyre, ekzekutivi është përgjegjës për licenca të tilla dhe se ato licenca jepen vetëm përmes partneritetit publiko-privat.kohaislame

Artikulli paraprakMaliku
Artikulli vijuesQeveria i ulë pagat e gradat për mijëra shërbyesë civil