Shuma të mëdha parash të buxhetit të shtetit, edhe më tutje vazhdojnë të shpenzohen nga komunat e Kosovës për mëditje, shërbime telefonike, por edhe derivate për vetura zyrtare.
Në një raport të Auditorit të Përgjithshëm (ZAP) thuhet se në vitin 2015, për 35 komuna për mëditje janë shpenzuar 648,771 euro, apo 13 për qind më pak se vitin 2014, kur për këtë qëllim janë shpenzuar 741,595 euro.
“Përgjithësisht, shpenzimet e reprezentacionit nuk iu nënshtrohen kontrolleve të mjaftueshme. Nuk është e qartë nëse komunat e kuptojnë mjaftueshëm natyrën dhe qëllimin e këtyre shpenzimeve. Nuk ka ndonjë limit që përcakton deri në çfarë shkalle mund të bëhen këto shpenzime. Kjo ilustrohet me faktin se Komuna e Prishtinës është komuna më e madhe dhe kryeqendër e Kosovës, ndërsa në ranglistën e këtyre shpenzimeve, për nga shuma u rangua në të gjashtën”, thuhet në raportin e Auditorit.
Më tej, aty thuhet se dhjetë komunat që kanë shpenzuar më së shumti reprezentacion për nga shuma janë: Gjakova 46,746 euro, Prizreni 46,026 euro, Fushë Kosova 33,423 euro, Peja 32,059 euro, Graçanica 31,866 euro, Prishtina 31,777 euro, Malisheva 30,414 euro, Deçani 27,995 euro, Mitrovica 24,876 euro, si dhe Skenderaj 24,085 euro. .