Koreja e Veriut po ndërton nëndetëse balistike (Foto)

0
243

Koreja e Veriut po nxiton që të ndërtojë dhe dislokojë nëndetësen e saj të parë me raketa balistike.

Fotografitë satelitore të analizuara nga ‘38 veri’, një grupim ekspertësh, duket se janë një kujtesë e fortë se veç raketave balistike që lëshohen nga toka, Koreja e Veriut prej vitesh po përpiqet ta zhvillojë këtë aftësi edhe në det.

Koreja zotëron një nëndetëse prototip dhe një platformë nënujore lëshimi raketash, nga ku ka bërë disa teste, por imazhet e reja tregojnë se në kantierin e saj detar të Sinpos, po punohet vrullshëm për të zgjeruar operacionet.

Ekspertët thonë se analizimi i vëmendshëm i imazheve satelitore konfirmon se Koreja e Veriut po rrit kapacitetin e impianteve të saj, gjë që sugjeron se mund të jetë duke ndërtuar një nëndetëse tjetër. Ekspertët mendojnë se pas testeve të shumta që ka kryer në nëndetësen prototip, Koreja e Veriut mund të ndihet e gatshme që të ndërtojë tashmë një tjetër për përdorim ushtarak.

Vetëm nga imazhet satelitore, pa burime të tjera informacioni, është e vështirë të përcaktohet progresi i programit për nëndetëset me raketa balistike, por ekspertët paralajmërojnë se Koreja qartësisht po përpiqet të arrijë një aftësi të dytë për të lëshuar raketa, këtë herë nga deti.

Analistët thonë se deri tani, Koreja e Veriut jo pak herë ka habitur komunitetin ndërkombëtar, pasi ka kaluar pritshmëritë në zhvillimin e raketave, transmeton tch. Një mesazh i qartë se ndërsa bota flet dhe thjesht bën presion, Koreja e Veriut vazhdon të nxitojë për të ndërtuar armët e saj të reja dhe nuk ka ndërmend të heqë dorë nga qëllimi i saj për t’u shndërruar në fuqi bërthamore.