Megjithëse Kosova ka ligje të mira për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, nuk po bëhet ende zbatimi efektiv i tyre.
Korrupsioni dhe shpëlarja e parave janë kanceri i shoqërisë dhe se këtyre dukurive, duhet t’u vijë fundi. Kështu u tha në lansimin e projektit kundër krimit ekonomik në Kosovë, organizuar nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Këshilli i Evropës.
Kryeministri i vendit Isa Mustafa tha se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por dhe reformat në administratë publike kanë qenë dhe mbeten prioritetet e institucioneve të qeverisë së Kosovës, drejtë rrugës për integrime evropiane.
“Në pikëpamje të vështrimit të Qeverisë ne i japim përkrahje të plotë jetësimit të suksesshëm të projektit evropian kundër krimit ekonomik në Kosovë, të cilin projekt sot po e lansojmë. Vlerësoj që edhe Qeveria dhe instituci onet e pavarura të Republikës së Kosovës, kanë bërë hapa të rëndësishëm dhe cilësor drejtë zhvillimit ekonomik, sundimit të ligjit, drejtë parandalimit të radikalizmit, luftës kundër terrorizmit dhe këtë luftë e kemi bërë edhe duke i normalizuar marrëdhëniet me fqinjët dhe duke ndërtuar politika të mira fqinjësore. Të gjitha këto janë arritje që i kemi bërë së bashku me BE-në dhe institucionet e BE-së të cilat janë këtu dhe ne dëshirojmë që këtë bashkëpunim ta thellojmë dhe më tutje”, tha Mustafa.
Ndërsa tha se ka besim të plotë se implementimi i këtij projekti, do t’i ndihmojë Kosovës në luftën kundër korrupsionit, pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, duke përmendur dhe miratimin nga ana e Kuvendit të ligjit kundër krimit dhe shpëlarjes së parave.
Ndërsa ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi tha se institucionet duhet të jenë të kujdesshëm për infrastrukturën ligjore. D he se të gjithë ata për të cilët pretendohet që kanë kryer vepër penale të terrorizmit , shpëlarjen e parave dhe korrupsionit, duhet të ballafaqohen me drejtësinë.
“Reforma e vazhdueshme në rend dhe ligj, luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, por dhe reformat në administratë publike kanë qenë dhe mbeten prioritetet tona drejtë rrugës për integrime evropiane. Ne këtë drejtim institucionet e Kosovës kanë ndërmarrë dhe hapa të veçanta, që përmendi dhe kryeministri më herët. Ne kemi qenë të fokusuara në veçanti në tri drejtime. E para kemi hartuar legjislacionin që ka qenë në përputhje të plotë me standardet evropiane, që kanë krijuar një bazë të mirë ligjore për luftimin e këtyre dukurive që po përmenden sot”, tha Kuçi.
Por Thomas Gnocchi, nga Zyra e BE-së tha se megjithëse Kosova ka ligje të mira, ato nuk po gjejnë zbatim efektiv. Ndërsa kërkoi që të jepet një sinjal i qartë për shoqërinë, se korrupsioni dhe shpëlarja e parave janë kanceri i shoqërisë dhe se kësaj duhet t’i vijë fundi.
“Korrupsioni dhe shpëlarja e parash, janë çështje të vështira. Dihet që Kosova ka ligje të vendosura mirë dhe strategji, por mungon zbatimi efektiv. Zbatimi duket qartë, kur keni arritje të qarta për rastet e korrupsionit lartë, qojnë në Gjykatë dhe kur asete me vlera milionëshe konfiskohen. Institucionet e Kosovës, kanë shumë punë për të bërë. Po e shohim nga afër procesin e luftës kundër korrupsionit dhe shpëlarjes së parave. Këto janë pjesë kyçe të dialogut tonë teknik me institucionet e Kosovës…Dje kuvendi adoptoi plotësim ndryshimet në ligjet kundër financimit të terrorizm it dhe shpëlarjes së parasë….rekomandimet tona nuk u morën parasysh për fat të keq.. Duhet të japim një sinjal të qartë për shoqërinë se korrupsioni dhe shpërlaja e parave janë kanceri i shoqërisë, dëmtojnë buxhetin dhe në fund paguajnë taksapaguesit. Kësaj duhet t’i vijë fundi. Keni mjete informacione si të luftohen këto fenomene negative. Ju lutem që t’i përdorni. Qytetarët e Kosovës e presin dhe meritojnë këtë ”, tha Gnocchi.
Ndërsa Ivan Koedjikov, udhëheqës i Departamentit të Veprimit kundër krimit në Këshillin e Evropës tha se është e pamundur ta çrrënjosesh korrupsionin dhe shpëlarjes së parasë njëherë e përgjithmonë. Sepse korrupsioni dhe shpërlaja e parash, janë pjesë e natyrës njerëzore. /Telegrafi/