Korrupsioni po përhapet në mbarë botën dhe pasojat janë dhe vdekjeprurëse.
Çfarë kanë të përbashkët kryebashkiaku i Regensburgut Joachim Wolbergs, djali i presidentit të Guinesë EkuatorialeTeodoro (apo Teodorin) Obiangaus, ish-polici finlandez Jari Aarnio dhe ish-presidentja e Koresë së Jugut Park Geun-hye? Përgjigja: Ata akuzohen për korrupsion. Sado të ndryshme që janë vendet, njerëzit dhe ngjarjet, ato konfirmojnë një prirje që ekziston në sektorin publik në gjithë botën. “Krahasuar me vitin e kaluar kemi më shumë vende që janë përkeqësuar se sa përmirësuar. Kjo më duket shqetësuese”, thotë drejtori i hulumtimeve të organizatës Transparency International, Finn Heinrich, në intervistë me DW-në.
Indeksi i ri i korrupsionit i organizatës Transparency International konfirmon edhe një prirje tjetër që i shqetëson ekspertët. Në të gjithë botën qeveritë shpallin që duan të luftojnë korrupsionin, por këto deklarata janë zakonisht fjalë boshe. Finn Heinrich thotë se gjithashtu bie në sy edhe një marrëdhënie mes pabarazisë sociale dhe korrupsionit. Kjo nuk është një tendencë që e vëzhgon vetëm në vende të veçanta, por një fenomen global:
“Për mua si studiues qe e habitshme lidhja e ngushta ndërmjet pabarazisë dhe korrupsionit. Të dyja shkojnë dorë për dore dhe krijohet një rreth vicioz me më shumë korrupsion dhe më shumë pabarazi.”
Dy nga armët më të mira kundër korrupsionit janë vigjilenca e opionit publik dhe shtypi i lirë, thotë Heinrich dhe sjell si shembull atë të qytetarëve brazilianë, të cilët dolën në rrugë vitin e kaluar, për të protestuar kundër korrupsionit në vend.
Korrupsioni mund të kushtojë edhe jetë njerëzish, thotë Finn Heinrich i Transparency International dhe sjell si shembuj ndërtimet gjoja të sigurta prej tërmetit në Itali, të cilat nuk qenë të tilla dhe u shembën gjatë tërmetit vitin e kaluar, apo fabrikën e tekstilit Rana Plaza në Bangladesh, që u shemb, sepse tri kate shtesë qenë ngritur pa leje ndërtimi dhe kontrollin e statikës.