Njerëzit kanë nisur ti kryejnë blerjet e tyre në dyqane dhe tregje, dhe të formojnë axhendat e iftarëve me miqtë dhe të afërmit
PRISHTINË (AA) – Kosova, ku pjesa më e madhe e qytetarëve janë muslimanë, tanimë shihet se është gati për muajin e bekuar të Ramazanit, raporton Anadolu Agency (AA).
Njerëzit kanë nisur ti kryejnë blerjet e tyre në dyqane dhe tregje, dhe t’i formojnë axhendat e iftarëve me miqtë dhe të afërmit, kurse Bashkësia Islame e Kosovës ka planifikuar një sërë organizimesh për nder të këtij muaji të bekuar.
Duke i uruar të gjithë besimtarët e besimit islam ardhjen e Ramazanit, zëdhënësi i Bashkësisë Islame të Kosovës Ahmet Sadriu, u shpreh se Bashkësia Islame është përgjegjëse e organizimit të jetës fetare në Kosovë dhe se tanimë janë bërë parapërgaditjet e duhura për pritjen muajit të Ramazanit.
“Ne fillimisht, si çdo vit kemi organizuar mbledhje rajonale me të gjithë imamët, me të gjitha qendrat kryesore të Kosovës dhe aty është diskutuar dhe biseduar se si të dalim para xhematit, si të përgatitemi, çka do të ndërmarrim, kontaktet tona, ligjëratat, vazet, tribunat”, u shpreh zëdhënësi Sadriu në një deklaratë për Anadolu Agency (AA).
Sadriu gjithashtu paralajmëroi për një projekt të ri me 29 ligjërata nga profesorët dhe hoxhallarët eminent të Kosovës ku do të shtjellohen tema të ndryshme që kanë të bëjnë me Ramazanin dhe me çështjet e tjera fetare dhe sociale.
Ndërsa, duke dhënë detaje mbi ndihmat që janë dhënë dhe do të vazhdojnë të jepen për njerëzit nevojtarë, Sadriu tha se para një jave janë shpërndarë 2.500 pako nga shoqata humanitare “Bereqeti”, kurse 1.500 të tjera nëpërmjet Bashkësisë Islame dhe se edhe 5.000 të tjera do të shpërndahen në vazhdim.
Sa i përket aktiviteteve, Sadriu theksoi se Bashkësia Islame dhe disa organizata qeveritare dhe joqeveritare turke do të organizojnë iftare në Prishtinë, Mitrovicë dhe Prizren, do të vijë karavani tradicional i Turqisë që shëtitë nëpër qytetet e Kosovës dhe të Ballkanit, si dhe do të organizohen iftaret nga shoqatat e ndryshme vendase.
“Do të ketë organizime edhe nga Bashkësia Islame edhe nga shoqata të ndryshme dhe do të shtrojnë iftare gjatë tërë muajit të Ramazanit. Mund ta potencoj një që organizohet nga ne, Bashkësia Islame, që do të mbahet në sheshin e Prishtinës, me kategori të ndryshme të qytetarëve, si të atyre me të meta fizike, ku në vitin e kaluar kanë qenë mbi 500 pjesëmarrës”, shtoi në fund Sadriu.
Burhanudin Hashani, kryeimami i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prishtinë, u shpreh se gjatë muajit mubarek të Ramazanit do të ketë aktivitete të larmishme dhe se padyshim pritet që të shtohet xhemati, sidomos në ditët e fundit të Ramazanit.
“Kjo është traditë, çdo herë muaji i Ramazanit e ka bereqetin dhe bekimin e vet, që me të vërtetë edhe numri i tyre që adhurojnë Allahun shtohet shumëfish, më shumë se muajt tjerë”, shtoi Hashani.
Ndërkohë, në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, filloi të mbizotërojë aktiviteti i qytetarëve, të cilët përgatiten për ushqimet dhe kanë nisur të blejnë edhe hurma të cilat janë të pashmangshme në tryezat e muajit të Ramazanit.
Një qytetar nga Prishtina, Remzi Sinani, duke e cilësuar muajin e Ramazanit si një festë e cila gjithmonë e ka bukurinë e vet, tha se “Ne veçmë kemi filuar të përgatitemi, me ushqime dhe ta bëjmë programin se kë do ta ftojmë për iftar ose ku do të shkojmë”.
Arbërie Elezi, banore e Prishtinës, e cilësoi agjërimin si një ndjenjë të veçantë që askush nuk mund ta përshkruajë, përveç atij që agjëron. Duke e vënë theksin në bindjen fetare ajo tha se “I kemi të gjitha të mirat, mirëpo në krahasim me kohën e hershme, ekzistenca ka qenë edhe më e vështirë, ka qenë lufta për ekzistencë, mirëpo edhe besimi ka qenë po aq i fortë. Nuk është në pytje ushqimi, por është bindja fetare e cila të ndihmon”.
Ndërsa, qytetari tjetër nga Prishtina, Jahir Pereva u shpreh se familja e tij me rastin e muajit të Ramazanit përgatit dhe blen ushqime të shumta, mblidhen me të afërmit dhe shkojnë në namaze.
“Ushqimin e bëjmë të veçantë, me hurmë dhe thirremi ndërmjet veti me familje dhe të afërm me darka dhe iftare të veçanta për Ramazan”, u shpreh në fund Pereva.
Muaji i bekuar i Ramazanit fillon ditën e hënë, më 6 qershor ndërsa përfundon më 5 korrik 2016.