Kosova humb 500 hektarë tokë bujqësore brenda një viti

Tokat bujqësore në Kosovë po zvogëlohen prej vitit në vit. Sipas të dhënave zyrtare, rreth 500 hektarëve të tokës bujqësore në vit i ndërrohet destinimi, duke bërë që toka bujqësore pjellore të zvogëlohet nga viti në vit.

Në vitet e fundit në Kosovë është rritur numri i ndërtimeve të mëdha që përfshijnë sipërfaqe të gjëra, ndërsa më shqetësues është fakti se në të shumtën e rasteve këto ndërtime po bëhen në toka bujqësore. Sipërfaqe të mëdha të tokave të punueshme, janë betonuar duke u shndërruar në zona industriale, ndërtesa kolektive, shtëpi private, objektet hoteliere, por edhe pompa të benzinës.

Asgjësimi i tokave bujqësore duke i shndërruar ato në zona industriale, objekte afariste e komerciale dhe banesa kolektive, kryesisht është bërë rreth magjistraleve në të gjitha komunat e Kosovës.

Deri më tash më së shumti tokë bujqësore ka humbur Prishtina, Graçanica, Ferizaj, Peja, Gjilani, Vushtrria, Fushë Kosova dhe Prizreni, por edhe komuna të tjera.

Duke marrë parasysh pasojat e këtyre ndërtimeve, përfaqësues të shoqërisë civile disa herë kanë bërë thirrje për ruajtjen e tokës nga ndërtimet e pakontrolluara, pasi në të ardhmen, sipas tyre, Kosova nuk do të ketë mundësi që të sigurojë bukën dhe produktet kryesore bujqësore për nevojat e veta, duke zvogëluar tokën punuese për kokë banori.

Sipas njohësve të fushës së bujqësisë tokat janë duke u shkatërruar jashtëzakonisht shumë. E sidomos tokat e klasës së parë, dytë dhe tretë po ‘okupohen’ nga ndërtimet të ndryshme.

Sipas tyre sa i përket tokës bujqësore Kosova përballet më katër sfida kryesore Humbjet e mëdha të tokës bujqësore nga ndërrimi i destinimit; Fragmentimi i tokës bujqësore në ngastra më të vogla; Ndotja industriale, degradimi, erozioni, gërryerjet e lumenjve, deponitë e kontrolluara apo te pa kontrolluara janë të vendosura në tokat bujqësore; Shfrytëzimi jo i qëndrueshëm i tokës bujqësore.

“Betonimi” i tokave pjellore me pasoja të mëdha për bujqësinë

Tahir Tahiri, kryetar i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës (FSBK) thotë se që nga paslufta Kosova ka humbur mijëra hektarë tokë bujqësore dhe se kjo dukuri po vazhdon ende.

“ne si FSBK mendojmë se rreth 700 hektarë tokë shumë pjellore bujqësore të “mbrojtura” me ligj, uzurpohen dhe ju ndërrohet destinimi duke i betonuar, duke i mbushur me zhavorr e gurë, duke ndërtuar objekte afaristë për lloj-lloj biznese që nuk kanë lidhje me prodhimtarinë bujqësore”, thotë Tahiri.

Sipas tij shumica e këtyre uzurpimeve ndodhin pa marrë leje nga institucionet përkatëse, por jo pa dijeninë e institucioneve.

“Këto uzurpime i bëjnë njerëzit e “fuqishme” të afërt me pushtetarët komunal e qeveritar, të cilëve nuk guxon kush t’ju dalë përpara, mirëpo ka edhe raste që komunat kanë lëshuar edhe leje për ndërtim në toka bujqësore të mbrojtura me ligj.

“Për ketë dukuri FSBK-ja ka kërkuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, që t’i ndalë këto uzurpime dhe të zbatohet ligji, por pa sukses, sepse nuk ka asnjë masë për parandalim të kësaj dukurie shumë të dëmshme për shtetin. Me ketë po zvogëlohen sipërfaqet e tokave pjellore (edhe ashtu të pamjaftueshme) për prodhimtari bujqësore për ushqim të popullatës”, thotë Tahiri.

Ai thotë se Kosova është në disfavor me tokë bujqësore karshi dendësisë se banorëve, gjë e cila nuk mundëson sigurimin e prodhimtarisë bujqësore vendore për nevojat e popullatës në Kosovë. Sipas tij, ne përditë po varemi nga sigurimi i ushqimit prej importit dhe se me ketë paraja e qytetarëve po shkon jashtë.

“Kjo dukuri vazhdon të na mbajë të varur nga importi me produkte bujqësore të dyshimta për kualitetin dhe rrezikun për shëndetin e popullatës. Mos zbatimi i ligjit në këtë dhe raste të tjera Kosovën e bën të pasigurt apo të rrezikshme për investitorët e huaj apo bashkatdhetarët nga mërgata që kanë mundësi dhe interesim për të investuar në prodhimtari bujqësore në Kosovë” theksoi Tahiri.

Kosova që nga viti 2005 ka në fuqi Ligjin për tokën bujqësore, i cili ka për qëllim krijimin e bazës ligjore për shfrytëzimin, mbrojtjen dhe rregullimin e tokës bujqësore. Ky ligj parasheh edhe dënime për personat fizikë apo juridikë, të cilët ndërrojnë destinimin e tokës bujqësore apo e shfrytëzojnë atë për qëllime jobujqësore. Dënimi, sipas ligjit, parasheh një shumë prej 1.000 euro deri në 10.000 euro. /tesheshi

Artikulli paraprakOpozita dhe “fake news”-et: si u shpik historia e groposjes së lëndëve kimike në Shqipëri
Artikulli vijuesRama: Sorosin po e kafshojnë ata që e puthnin dikur