Kosova humbi mbi 110 milionë investime në kesh

Mbi 110 milionë euro kesh, Kosova i ka humbur për vetëm gjashtë muaj. Kjo humbje ka shkak largimin e investitorëve të huaj nga Kosova.
Sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, vlera më e ulët e investimeve të huaja direkte në gjysmën e parë të vitit 2014, kryesisht i atribuohet edhe shitjes së aksioneve të disa prej kompanive të huaja që operojnë në Kosovë, rezidentëve kosovar, por edhe shpërndarjes së super dividendës nga disa prej kompanive të huaja.
Tërheqja e investimeve dhe largimi i investitorëve nga Kosova është shqetësuese edhe për zyrtarë e shtetit.
Gazmend Mejzini, ushtrues detyre i Agjencionit për Investime dhe Përkrahje të Bizneseve, në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), thotë se këto statistika duhet të na shqetësojnë shumë dhe të mendohet për oferta e mundësi të reja për investitorët e huaj. “Definitivisht është vlerë shumë e madhe, definitivisht është shumë që neve në Kosovë duhet të na shqetësoj, duke e ditur rëndësinë e joshjes së investitorëve të huaj në vendin tonë… Ne duhet të bëjmë çmos dhe jemi duke bërë çmos që ti rishikojmë të gjitha strategjitë, të i rishikojmë të gjitha ato plane, ato aktivitete të cilat i kemi ndërmarr, që të dalim me një ofertë sa më të mirë sa më joshëse”, ka thënë Mejzini.
Ai vlerëson se duhet të krijohen pako fiskale sa më joshëse. “Ne nuk mund të themi se mund ti ndalim qind për qind këta investitorë nga ikja, ose eventualisht gjetja e një tregu më të përshtatshëm për ta, por ne do të ju ofrojmë kushte ndoshta edhe më të mira se sa që ju ofrojnë fqinjët tanë… Të rishikohen politikat fiskale, të ofrojmë një pako sa më joshëse”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, Arian Zeka , kryetar i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, thotë se institucionet tona që kanë për obligim mbushjen e arkës së shtetit kanë vizione afat shkurtra. “Këto largime i konsideroj jashtëzakonisht të dëmshme në aspektin e imazhit. Largimet e tyre e pengojnë edhe më tej këtë proces. Ka shumë dispozita ligjore të cilat nuk janë të qartësuara sa duhet, të cilat lënë vend edhe për interpretime të dyfishta, interpretime të cilat zakonisht nxirren në favor të vetë institucioneve, të cilat nxjerrin ato vendime jo në favor të bizneseve”, ka thënë Zeka.
Edhe Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), thotë se Kosova nuk po di ti trajtoj investitorët e huaj. “Kosova nuk po di ti trajtoj investitorët. Kjo po dëshmohet nga viti në vit, sepse nga viti në vit kemi më pak investime, largim apo tentim për tu larguar nga Kosova. Rastet më të reja janë kur disa investitorë tash po shkojnë, e kanë marrë rrugën të shkojnë në Hungari dhe Bullgari dhe të kthehen dhe pikërisht për shkak të trajtimit jo të mirë nga institucionet shtetërore të Kosovës dhe agjencitë e ndryshme që kanë të bëjnë dhe që janë të lidhur me bizneset në forma të ndryshme”, ka thënë Shahini. /Kp/
Artikulli paraprakHoxhaj në Izrael, propozon formimin e grupit të miqësisë Kosovë-Izrael
Artikulli vijuesCili deputet serb kërkohet nga Interpoli për krime në Kosovë?