Cili deputet serb kërkohet nga Interpoli për krime në Kosovë?

0
164
Anëtari i kryesisë së partisë së presidentit serb, Tomislav Nikoliq, (SNS) dhe deputeti në parlamentin serb, Momir Stojanoviq, pohoi se është futur në listën e personave më të kërkuar nga Interpoli, ndërsa shpreson se për këtë do të reagojë qeveria serbe.
“Shpresoj se qeveria ime do të reagojë kundër këtij arrestimi, sepse kjo ka si qëllim kryesor frikësimin e serbëve në Kosovë dhe grabitjen e pasurive të tyre”, tha Stojanoviq, i cili është kryetar i Komisionit Parlamentar për Mbrojtjen dhe Sigurinë në Serbi, shkruajnë mediat beogradase, transmeton Telegrafi.
 
Stojanoviq shpjegoi se ky vendim ka të bëjë me vendimin e OKB-së që të krijojë një gjykatë për krimet e UÇK-së në Kosovë dhe se Gjykata Themelore në Gjakovë, ku ai ka lindur, paraqiti një akuzë penale kundër 17 serbëve, e në mesin e tyre gjendet edhe emri i tij.
 
Ai është i bindur se do të ketë edhe shumë akuza të tilla kundër serbëve, pasi siç thotë ai, në këtë mënyrë do të përpiqet që të balancohet numri i kriminelëve në të dy anët para Gjykatës Speciale.
 
Stojanoviq shpjegoi se nga viti 1993 deri më 1996, ai ishte zëvendës shef i sigurisë së Korpusit të Prishtinës, ndërsa në vitin 1999 u emërua e edhe shef i saj.
 
Interpoli ka lëshuar një urdhër arrest për Stojanoviq për krime kundër popullatës civile shqiptare në Kosovë. /Telegrafi/