Kosova ka 137 mijë analfabetë

Ndonëse jemi në vitin 2013, megjithatë analfabetizmi në Kosovë vazhdon të mbetet një dukuri tejet shqetësuese. Sipas statistikave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në bazë të regjistrimit të popullsisë, janë 55 mijë qytetarë analfabetë të plotë, që nuk dinë të lexojnë dhe të shkruajnë, ndërsa 82 mijë që dinë të lexojnë e nuk dinë të shkruajnë. Eksperti i arsimit, Dukagjin Popovci, ka thënë për Zëri se analfabetët e regjistruar në mes të moshës 10 dhe 24 vjeç, janë më shumë të gjinisë mashkullore.

“Një fakt që brengos është numri prej 5,178 analfabetëve të regjistruar të moshës 10-24 vjeç. Nëse analizohet më mirë kjo shifër vërehet se në grupmoshën 10-19 ka më shumë djem analfabetë sesa vajza, që flet se më nuk bëhet fjalë për konzervativizëm të familjeve siç mendohet shpesh tek ne, por për probleme ekonomike me të cilat përballen ato familje. Pra, djemtë duhet të punojnë për ta ndihmuar familjen dhe mbeten analfabetë. Kjo është moshë e re për të mos ditur lexim-shkrim, sepse nga këta të rinj pritet të punësohen dhe të mbajnë familje”, ka thënë Popovci.

Gjithashtu ai ka thënë se analfabetizmi në vend zhduket duke ofruar mësim cilësor. Jonuz Salihaj ka thënë se shkak i analfabetizmi në vend është Ministria e Arsimit e cila nuk është duke bërë sa duhet për këtë kategori.

“Asnjëherë deri më tani nuk kanë organizuar kurse speciale për këtë kategori. Nuk janë të interesuar për ta zhdukur analfabetizmin. Janë duke u munduar që përmes fakulteteve të shumta që i kanë hapur, ta mashtrojnë opinionin që gjoja nuk ka analfabetizëm në vend”, ka thënë Salihaj.

Arbër Morina, zëdhënës i Ministrisë së Arsimit, ka thënë se gjitha shqetësimet për këtë çështje Ministria i merr shumë seriozisht. “Të gjitha të gjeturat që lidhen me sferën e arsimit, MAShT i merr seriozisht dhe mu për këtë MASHT në Planin Strategjik të Zhvillimit të Arsimit në Kosovë 2011-2016, objektivë ka gjithpërfshirjen dhe mësimin gjatë gjithë jetës si bazë të tërë sistemit arsimor dhe si të drejtë dhe obligim ndaj qytetarëve”, ka thënë Morina.

Sipas tij, analfabetizmi është i lidhur me numrin e braktisjes së shkollimit. “Sipas Statistikave të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në vitin shkollor 2002/2003 shkollimin e kanë braktisur 1,67 për qind e nxënësve, ndërsa në vitin shkollor 2011/2012 braktisja e nxënësve ka rënë në 0,5 për qind, që d.m.th se shkalla e braktisjes ka rënë shumë”, ka thënë ai.

Ndër të tjera Morina ka thënë se shumica e atyre që e braktisin shkollimin këtë e bëjnë për shkaqe ekonomike, migrimi i shpeshtë fshat-qytet.Psikologia Jeta Rexha, çështjen e analfabetizmit në vend e ka arsyetuar me situatën e rëndë ekonomike në vend.

“Situata ekonomike nuk krijon mundësi për investime në fushën e arsimit, si në aspektin e cilësisë, ashtu edhe në aspektin e infrastrukturës. Lëvizjet e pakontrolluara demografike fshat-qytet e kanë vështirësuar procesin e mësimit, duke stërngarkuar shkollat urbane. Sistemi i arsimit i pasluftës nuk ka pasur trajtimin e duhur institucional”, ka thënë Rexha. /Tg/kohaislame

Artikulli paraprakHebrenjtë nga Prishtina: Jemi dëbuar, do ta padisim Kosovën
Artikulli vijuesTelefoni “po i ul kokën shoqërisë”