Kosovë: Rezerva e naftës nuk janë të mjaftueshme

Përveç produkteve ushqimore, sipas ligjeve në fuqi, Kosova duhet të ketë edhe rezervat emergjente të derivateve të naftës.
 
Të gjitha deponitë dhe pikat shitëse të derivateve të naftës, janë të obliguara që të mbajnë në çdo kohë në stoqe, së paku pesë për qind të kapaciteteve të tyre deponuese, për qëllime të rezervave emergjente ose çrregullimeve në treg.
 
Zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, pohojnë se tashmë ka produkte të naftës si mall rezervë. Sa i përket rezervave të obligueshme, deri në vitin 2022 duhet të janë përafërsisht 150.000 ton produkte të naftës dhe këto rezerva janë transparente.
 
Rezervat strategjike të derivateve të naftës përcaktohen si stoqe intervenimi në rast të fatkeqësive elementare, epidemive ose katastrofave teknologjike. Por, përfaqësues të naftëtarëve theksojnë se jo të gjitha deponitë dhe pikat e shitjes mbajnë sasinë e kërkuar si rezerva të obliguara, përderisa ekspertë për këtë çështje konsiderojnë se kjo përqindje është shumë e ulët, raporton Radio Evropa e Lirë.
 
Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së naftëtarëve të Kosovës, thotë se edhe pse një pjesë e operatorëve ruan stoqet, megjithatë ai thotë se nuk dihet se sa është sasia e rezervave shtetërore të naftës.
 
“Rezervat shtetërore të naftës nuk dihet saktë sa janë, edhe pse ekziston një sasi e konsiderueshme e rezervave, por nuki plotëson rezervat e nevojshme për periudhën 90 ditore. Do të thotë nuk ka mundësi që rezervat shtetërore të jenë të gatshme për 90 ditë”, thotë Berjani.
 
Në anën tjetër, Nazmi Bytyçi nga Oda Ekonomike e Kosovës, thotë për REL se kjo sasi e grumbullimit prej 5 për qind është e pamjaftueshme dhe, sipas tij, duhet të rritet përqindja e sigurimit.
 
Sipas standardeve evropiane, thotë ai, rezervat e derivateve të naftës duhet të arrijnë për një periudhë 90 ditore.
 
“Kosova nuk ka kapacitet, kështu që ka ardhur deri te ligji që përfshin pesë për qind. Por, pesë për qind si rezervë shtetërore është i papërfillshëm, ka mbetur, sepse ajo është sasi shumë e vogël, kështu që, pritet rritja e sasisë me ligjin e ri që është në përpunim”, thekson Bytyçi.
 
Ndërkaq, Fadil Berjani thotë se sigurimi i rezervave shtetërore të derivateve të naftës nuk mund të kërkohen nga sektori privat, pasi askush nuk paguan asgjë, dhe se këto rezerva, sipas tij, duhet t’i grumbullojë shteti.
 
“Normalisht që sektori privat nuk ka llogari të mbajë asgjë nëse nuk ka interes. Them se duhet të mendohet që të caktohet një çmim. Dhe ne kemi kërkuar, si Shoqatë e naftëtarëve që në mënyrë reciproke të shpërndahet rezerva shtetërore në të gjitha deponitë e Kosovës. Kjo do të ishte shumë e mirë për shtetin dhe për bizneset që operojnë në Kosovë”, shprehet Berjani.
 
Ndryshe, sipas Draftligjit të ri për Rezerva të Obligueshme të naftës sipas Direktivës Evropiane 119/2009, i cili pritet të dërgohet në Qeveri dhe Kuvend për aprovim, mund të startohet me krijimin e rezervave të obligueshme të naftës, e që i bie 90 ditë të importit ditor të naftës.
 
Qeveria e Kosovës, nëpërmjet ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, së paku një herë në vit i raporton Kuvendit të Kosovës për gjendjen dhe administrimin me rezerva shtetërore të mallrave.
Artikulli paraprakDrenasi e pjesë nga Prishtina e Gjakova pritet të mbesin pa energji ditën e hënë
Artikulli vijuesTiranë: Bizneset turke interesohen me bujqësinë dhe turizmin