Kosovë: Rreth 1000 gra raportojnë dhunën në familje

0
183
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, numri më i madh i viktimave të dhunës familjare janë gratë. Në të shumtën e rasteve, ato janë viktima të dhunës psikike, fizike dhe seksuale. Në Kosovë, dhuna ndaj grave lidhet me kushtet socio-ekonomike, varfërinë dhe papunësinë dhe mosrespektimin e ligjit për barazi gjinore.
 
Faktori i varshmërisë ekonomike, gratë kosovare i bënë të pafuqishme për tu mbrojtur nga dhuna, thotë Naime Sherifi, drejtoresha ekzekutive e Qendrës për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve në Prishtinë. Ajo tërheq vërejtjen se, në tri-katër vitet e fundit, numri i viktimave sillet rreth 1000, ndërsa në vitin 2014 ky numër ka arritur në shifrën prej 1200.
 
“Kur është fjala për statistikat, ne bazohemi në raportet e policisë sepse në të shumtën e rasteve, gratë së pari i drejtohen policisë për ndihmë … pastaj aty janë edhe institucionet tjera” thotë Sherifi dhe shton se, duhet pasur parasysh se numri i viktimave është sigurisht më i madh sepse ka edhe të tilla që nuk lajmërojnë fare rastet e dhunës.
 
Në Kosovë aktualisht ekzistojnë shtatë “strehimore” për viktimat e dhunës familjare, në secilën qendër më të madhe dhe ekziston edhe një strehimore vetëm për fëmijë.
 
Me rastin e vizitës tonë, kemi takuar njërën nga viktimat e dhunës familjare që është strehuar disa herë në këtë strehimore. Herën e fundit prej se është kthyer në strehimore, së bashku me djalin e saj 6 vjeçar, kanë kaluar një muaj e gjysmë.
 
Ajo rrëfen për Anadolu Agency se, fillimisht ajo ishte viktimë e familjes së vet në Shqipëri e cila e kishte shitur për 1000 euro. Herën e parë, ajo kishte arritur të ik dhe të kthehet tek familja e saj. Megjithatë, familja kishte filluar ta keqtrajtoj duke mos i dhënë ushqim dhe ujë, e kishte detyruar të punojë gjatë tërë ditës në fusha dhe e kishte kërcënuar se do ta vras.
 
Duke mos parë rrugëdalje tjetër, një kohë, ajo ishte fshehur tek motrat e veta ndërsa në vitin 2005 kishte vendosur të martohet për një njeri më të moshuar nga Kosova, vetëm për të pasur të sigurt një copë bukë dhe qetësinë.
 
Mirëpo, pas martesës ajo ka kuptuar se burri i saj nuk është vejan sikurse ishte prezantuar por ka gruan me katër fëmijë, si dhe tri të dashura tjera jashtë shtëpisë. Tri vite më vonë, pasi që lindi djalin, burri kishte filluar ta rrah dhe ta keqtrajtoj.  “Më rrihte, më kapte për qafe, ka dashur të më vras. Djali është zgjuar dhe i ka thënë, babë mos e vrit nënën, ne do të shkojmë vetëm mos e vrit nënën… Deri sa hante, ndërsa unë me djalin e shikonim, më thoshte se do të ma marr djalin… i thashë vetëm djalin mos ma prek …” rrëfen, njëra nga viktimat e dhunës në familje.
 
Ndërkohë, ajo ka arritur të shkurorëzohet nga burri dhe tashmë po lufton për ushqimin të cilin e ka caktuar gjyqi, por ish-burri i saj nuk po pajtohet me vendimin që djali të mbetet me nënën.
 
Naime Sherifi tregon se, në strehimoren e Prishtinës apo në shtëpinë e sigurt si quhet ndryshe ky institucion, vitin e kaluar ishin të vendosura 75 viktima të dhunës familjare. Sa i përket totalit të grave të strehuara në të gjitha shtatë strehimoret anembanë Kosovës, Sherifi thotë se në vitin 2013 kanë qenë të strehuara 440 gra, ndërsa në vitin 2014 ndërmjet 460 dhe 470 viktima. Ajo po ashtu shpjegon se, kohëzgjatja e qëndrimit të viktimave në strehimore ndryshon nga rasti në rast.
 
 “Ne kemi marrëveshje me Ministrinë për mirëqenie sociale, në bazë të cilës, faza e parë e rehabilitimit zgjat rreth 6 muaj. Kjo është koha optimale e qëndrimit në strehimore dhe kohë e mjaftueshme që institucionet të ndërmarrin veprime, mirëpo çdo gjë varet nga rasti. Ka raste kur qëndrojnë një vit, një vit e gjysmë apo edhe tri, në një strehimore që është anëtare e koalicionit tonë. Kemi një rast qe dhjetë vite” thotë Sherifi.
 
Ajo rrëfen se ka pasur raste kur në strehimore kanë qëndruar shtatë apo tetët fëmijë, ndërsa problemi më i madh, thekson Sherifi, është se si t’i sigurohet vendqëndrimi viktimave pasi që ato të dalin nga strehimorja dhe lidhur me këtë çështje, po punohet ngushtë me kuvendet komunale që ato të jenë përgjegjësi e komunave nga të cilat vijnë.
 
Në kuadër të mbrojtjes së drejtave të njeriut, Qeveria e Kosovës, më 25.08.2011 kishte aprovuar Planin e Veprimit për luftimin e dhunës në familje për periudhën 2011-2014.
 
Në vitin 2012 është emëruar koordinatori nacional për luftë kundër dhunës në familje dhe ishte krijuar grupi koordinues ndërministror i përbërë nga përfaqësues të ministrive të Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme, Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, asaj për Punë dhe Mirëqenie Sociale, Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, të Shëndetësisë, si dhe institucioneve tjera relevante.
 
Për më tepër, në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë është krijuar edhe Agjencia për Barazi Gjinore, ndërsa në punën e Grupit Koordinues Ndërministror Kundër Dhunës në Familje, në cilësi të vëzhguesve, janë përfshirë edhe anëtarët e shoqërisë civile, në veçanti të organizatave joqeveritare të cilat merren me barazi gjinore dhe të drejtat e grave, si dhe organizatat ndërkombëtare USAID dhe UNDP.  
 
Ky grup punon në parandalimin dhe luftimin e dhunës familjare në Kosovë, duke e koordinuar, bashkërenditur, monitoruar dhe raportuar zbatimin e politikave, aktiviteteve dhe veprimeve të parapara sipas Programit të Kosovës Kundër Dhunës në Familje dhe Plani i Veprimit 2011-2014.
 
Me fjalë tjera, ky grup ka për detyrë të koordinoj luftimin e dhunës në familje përmes veprimeve konkrete, duke filluar nga parandalimi, fushatat dhe aktivitetet e vetëdijesimit, deri tek mbrojtja, rehabilitimi dhe ri-integrimi i viktimave./aa/kohaislame