Kosovë, rreth 700 pacientë në dializë

Me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe njoftimin me arritjet shkencore në fushën e nefrologjisë, të shtunën në Prishtinë për herë të tretë është mbajtur takimi i shoqatave të nefrologëve të Kosovës, të Shqipërisë dhe të Maqedonisë.

Temë bosht i këtij takimi ishte transplantimi i veshkave, me ç’rast u bisedua për mundësinë e bashkëpunimit të mëtejmë dhe shkëmbimit të pacientëve që kanë nevojë për transplantim të veshkave. Po ashtu, në këtë takim u vlerësua i domosdoshëm miratimi Ligjit për Transplantim të organeve në Kosovë.

Ymer Elezi, nefrolog në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, takimin e tri shoqatave të nefrologëve e ka cilësuar si shumë të rëndësishëm, pasi që mendon se numri i pacientëve që kanë nevojë për transplantim të organeve është mjaftë i madh.
Elezi ka theksuar mungesën e Ligjit për Transplantim të Veshkave, duke thënë se miratimi sa më i shpejtë i këtij ligji do t’i hapte rrugë fillimit të transplantimit të organeve në Kosovë.

“Tema boshte e këtij takimi është transplantimi i veshkave dhe këtu po shkëmbejmë mundësitë se si të bashkëpunojmë mes veti ne shtetet e Ballkanit, si dhe Turqisë, pasi që pacientët shkojnë nëpër këto vende. Mirëpo, që është mirë t’i kanalizojmë mënyrat e bashkëpunimit tonë. Ekziston një numër shumë i madh i pacientëve që kanë nevojë për transplantim. Ligji për transplantimin e organeve është si draftligj i cili shpresojë se do të aprovohet në Kuvendin e Kosovës deri në fund të vitit.

Sigurisht se ana legjislative është shumë e rëndësishme për të shkuar më tutje në përgatitjen e hallkave tjera për transplantimi e veshkave në Kosovë”, ka thënë ai, ndwrsa transmeton Kosovapress.

Sipas Elezit, kërkesat për transplantim të organeve në Kosovë çdo ditë e më shumë po shtohen, duke bërë të ditur se rreth 700 persona janë në program të dializës dhe të cilët me padurim presin miratimin e ligjit dhe fillimin e transplantimit edhe në Kosovë.

“700 pacientë janë në program të dializës në Kosovë, dita-ditës po rritet ky numër. Kërkesat për transplantim janë të përditshme. Kemi pacientë të rinj që kanë nevojë për transplantim. Falë Zotit, në Kosovë por edhe në shtetet e Ballkanit dhurimi i veshkave nga farefisi, nëna, baba, daja etj, janë të bollshme dhe shumë ekspertë të huaj më kanë këshilluar se këtu duhet të filloni transplantimin. Por, besoj që në të ardhmen do të bëhet edhe nga kadaverët, sepse e ardhmja e dhurimit të organeve është nga kadaverët”, ka thënë ai.

Dr. Nestor Theresko, shef i shërbimit të nefrologjisë së hemodializës dhe transplanteve të Republikës së Shqipërisë, ka vlerësuar se takimi i sotëm në kuadër të shoqatave të nefrologjisë së Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë, është një ngjarje e madhe për shoqatat e këtyre vendeve, mbase do t’i japin një shtysë përpara jo vetëm zhvillimit të nefrologjisë në vendet përkatëse, por do të shtojë edhe më tepër frymën e bashkëpunimit midis këtyre vendeve.

“Takimi i sotëm në kuadër të shoqatave të nefrologjisë së Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë është një ngjarje e madhe për shoqatat e këtyre vendeve, mbase do t’i jap një shtysë përpara, jo vetëm zhvillimit të nefrologjisë në vendet përkatëse, por do të shtojë edhe më tepër frymën e bashkëpunimit midis këtyre vendeve, sepse nefrologjia sot është një nga fushat më të rëndësishme të mjekësisë me probleme të shumta, shëndetësore, sociale, ekonomike të cilat kërkojnë buxhete të mëdha dhe ekipe të mëdha por edhe një frymë të madhe bashkëpunimi”, ka thënë ai.

Në këtë takim u mësua se në Republikën e Shqipërisë transplantimi i parë i veshkave në spitalin Publik “Nënë Tereza” në Tiranë, ishte bërë me 26 mars 2009, ndërsa janë realizuar shumë transplante në disa spitale private. Ndërsa në Maqedoni transplantimi i parë i veshkave u tha se ka filluar në vitin 1985.kohaislame

Artikulli paraprakSerbia e NATO punojnë për të zgjeruar bashkëpunimin e përfitimet rajonale
Artikulli vijuesGUANTANAMO: SHTETASI I FUNDIT PERËNDIMOR DËRGOHET NË KANADA