Kosovë-Shqipëri, më datë 3 qershor mbahet mbledhja e dy qeverive

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, bëri të ditur sot se “mbledhja e përbashkët e qeverive të Kosovës dhe të Shqipërisë do të mbahet më 3 qershor në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës .

Gjatë mbledhjes së qeverisë së Kosovës, Kryeministri Mustafa theksoi se “po përgatitemi për mbledhjen e përbashkët të dy qeverive. Deri në fund të javës së ardhshme duhet t’i kemi të përfunduara të gjitha marrëveshjet që mund të lidhen mes dy qeverive. Për mos të pasur vonesa në fillim të javës së ardhshme do të ulemi t’i përgatisim ato”.

Kreu i qeverisë kosovare i kërkoi kabinetit qeveritar që të punojnë dhe të përgatisin të gjitha marrëveshjet.

Në mbledhjen e 15 prillit, qeveria e Kosovës deklaroi nisjen e përgatitjeve për mbledhjen e përbashkët me Këshillin e Ministrave të Shqipërisë dhe paralajmëroi propozimin e grupit të autorizuar përgatitor lidhur me kohën e vendin e mbajtjes mbledhjes së përbashkët.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në takimin në Prishtinë në 7 prill kanë diskutuar mbi agjendën e mbledhjes së ardhshme të dy qeverive dhe në dakordësi të plotë kanë vlerësuar se procesi i bashkëqeverisjes së problemeve dhe çështjeve të interesit të përbashkët ka dhënë rezultate shumë të mira.

Qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës janë takuar sërish, në një mbledhje tjetër, të dytë, në 23 mars 2015 në Tiranë, nën moton “Një tokë, një popull, një ëndërr”, ku u firmosën 5 marrëveshje, 4 memorandume, 2 protokolle dhe një deklaratë e përbashkët për zonat e lira ndërkufitare.

Qeveritë e Shqipërisë e Kosovës në mbledhjen e tretë të përbashkët do të nënshkruajnë, mes tjerash, një marrëveshje me të cilën marrin përsipër edhe obligimet financiare që dalin nga procesi i zbatimit të marrëveshjes për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë. Dakordimi për këtë bëhej i ditur në 26 prill në një njoftim të dërguar nga Ministria e Diasporës në qeverinë e Kosovës.

Artikulli paraprakMustafa: Në Bruksel u vlerësua se kemi përmbushur kriteret për vizat
Artikulli vijuesTurqia do të ndërtojë bazë ushtarake shumëfunksionale në Katar