Krasniqi: Fitoi Shpendi, jo Vetëvendosje

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, Florin Krasniqi për herë të parë reflektoi publikisht pas epilogut të zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit. Krasniqi në një intervistë në Klan Kosova tha të mos jetë i kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve të fundit.
“Nuk jam i kënaqur me numrin e votave”, deklaroi Krasniqi.
Por, shqiptaro-amerikani tha se fitorja e Shpend Ahmetit në Prishtinë jep një shpresë të madhe për lëvizjen e Albin Kurtit. Ai nuk hezitoi t’ia atribuojë krejt meritat Ahmetit për këtë fitore të madhe.

“Shpend Ahmeti e fitoi betejën në dyluftim me Isa Mustafën. Dyluftimi ndonjëherë është mirë që në betejë të mos futen subjektet politike. Mendoj se fitorja e Shpendi i ka dhënë një sqarim gjithë relievit politik të se ardhmes”, theksoi Krasniqi, duke vlerësuar se Lëvizja Vetëvendosje duhet të fokusohet në ecurinë e saj si subjekt i qendrës së majtë.

“E ardhmja politike në Kosovë do të ndahet në dy taborë. Në qendrën e majtë e cila do të jetë Lëvizja Vetëvendosje dhe në qendrën e djathtë që është LDK-ja. Vetëm këto dy parti janë të profilizuara. Partitë tjera duhen me shku drejt zhdukjes sepse nuk ofrojnë program për qytetarët”, konstatoi Krasniqi

Por, Krasniqi me ngulm thotë se Vetëvendosje duhet të përcjell rrugën e partisë së qendrës së majtë. E për këtë tha se subjekti politik do të duhet të përballet me rreziqe.

“Partitë e qendrës së majtë rrezikohen prej elementit anarkist ose komunist. Mendoj se Vetëvendosje do të krijojë mbrojtje prej këtyre elemente. E më pas fitorja është e sigurt, sepse partitë e qendrës së majtë siç po e shohim janë në fuqi në Amerikë, në Britani e Gjermani”, përfundoi Krasniqi. /Telegrafi/

Artikulli paraprakMiqësitë dhe armiqësitë e gabuara
Artikulli vijuesBota duhet të dijë për solidaritetin e muslimanëve shqiptarë me të gjitha fetë