Miqësitë dhe armiqësitë e gabuara

Miqësitë dhe armiqësitë e gabuara

Vëllezër të nderuar, miqësia dhe armiqësia në Islam ka një vlerë dhe rëndësi të madhe. Ajo është shtyllë e akides së muslimanit. Është kusht prej kushteve të shehadetit, edhepse shumë prej njerëzve janë në gaflet në lidhje me këtë çështje.

Miqësia (El-Vela’) – don të thotë: Dashuria ndaj Allahut, ndaj Muhamedit (salallahualejhiveselem), ndaj sahabeve, dhe ndaj muslimanëve në përgjithësi, si dhe ndihma ndaj tyre.

Armiqësia (El-Bera’) – don të thotë: Urrejtja ndaj atyre që e kundërshtojnë Allahun, Pejgamberin (salallahualejhiveselem) dhe sahabet, prej jomuslimanëve, idhujtarëve, munafikëve dhe të devijuarve.

Miqësia dhe armiqësia është pjesë e imanit, e cila duhet të jetë për hirë të Allahut. Thotë Allahu (azzevexhel): “Besimtarët dhe besimtaret janë miq të njëri tjetrit”. (Et-Teubeh 71) Dhe thotë: “Nuk gjen ndonjë popull i cili e beson Allahun dhe Ditën e Gjykimit, e të miqësojë atë që e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij..”. (El-Muxhadeleh 22) Dhe thotë: “Sikur ata të besonin Allahun, të Dërguarin e Tij, dhe atë që i ka zbritur atij, nuk do t’i miqësonin ata (jomuslimanët)..”. (El-Maideh 81)

Dhe shumë argumente tjera të cilat flasin për rëndësinë e kësaj çështje të madhe, e cila duhet të jetë vetëm për hirë të Allahut (azzevexhel). Edhepse për fat të keq, në mesin e shumë “muslimanëve” (njerëzve të cilët e llogarisin veten muslimanë), vëren miqësi dhe armiqësi të gabuara, të cilat janë në kundërshtim me Kur’anin dhe Sunetin. Prej tyre:

-Miqësia dhe armiqësia në bazë të kombit – Disa prej njerëzve miqësinë e kanë të lidhur me njerëzit e kombit, pa marrë parasyshë fenë e cila gjendet ndërmjet tyre. Dhe nëse fetë ndërmjet tyre janë të ndryshme, me rëndësi është që t’i bashkon një fe e cila quhet: “Shqiptaria”. Dhe prej këtij rangu të njerëzve, ka të tillë të cilët e llogarisin veten muslimanë, edhepse Islami prej tyre është shumë larg.

-Miqësia dhe armiqësia në bazë të kufijve të shtetit – Disa prej njerëzve janë miq të atyre të cilët janë brenda kufijve të shtetit të tyre, duke mos bërë kurrfarë dallimi ndërmjet feve dhe adhurimeve të tyre. Me rëndësi, të jenë një popull dhe një shtet, dhe dallimi ndërmjet feve për ta nuk luan ndonjë rol dhe nuk ka ndonjë rëndësi.

-Miqësia dhe armiqësia në bazë të partive – Disa prej njerëzve, miqësinë e tyre e kanë të lidhur me partinë të cilën e adhurojnë. Dhe të gjithë ata që janë të inkuadruar në të njëjtën parti, janë miqët e tyre, ndërsa ata të cilët nuk janë në partinë e tyre, nuk mund të jenë afër dhe miq të tyre, edhe nëse janë të afërm të tyre të familjes. Saqë në disa raste, janë në gjendje të hidhërohen vëllau me vëllaun prej gjaku, për shkak se të dy nuk janë në të njëjtën parti, dhe janë në gjendje të pajtohen dhe afrohen me kundërshtarin e tyre, nëse ai kalon në të njëjtën parti.

-Miqësia dhe armiqësia në bazë të një dijetari të caktuar – Disa prej njerëzve, zemrat e tyre i kanë të lidhura me ndonjë prej dijetarëve, dhe janë ekstrem në dashurinë ndaj dijetarit të tyre, saqë çdo gjë që e thotë dijetari i tyre e pranojnë, dhe çdo kundërshtim ndaj dijetarit të tyre ashpër e sulmojnë. Sikur fjalët e dijetarit të tyre, të jenë të shenjta dhe nuk pranojnë asnjë kundërshtim apo përmirësim. Kështuqë, miqësia e tyre bëhet në bazë të atij dijetari. Dhe të gjithë ata që janë me dijetarin e caktuar të tyre, janë miq dhe vëllezër të tyre, ndërsa të gjithë ata që e kundërshtojnë dijetarin e tyre dhe nuk pranojnë disa bindje të tij, nuk janë miq të tyre.

-Miqësia dhe armiqësia në bazë të shoqatave dhe xhemateve – Disa prej njerëzve miqësinë e tyre e kanë të lidhur me shoqatat dhe xhematet e caktuara. Dhe nëse je ti në shoqatën dhe xhematin e tyre, ti je më i miri, apo së paku prej të mirëve. Ndërsa nëse ti nuk je në shoqatën e tyre, ti nuk mund të jeshë mik dhe i afërm i tyre. E ai që është në të njëjtën shoqatë me ta, është shumë më i afërm se ti, edhe nëse është më i dobët në dituri, punë dhe devotshmëri. Me rëndësi është që të jetë në të njëjtën shoqatë dhe në të njëjtin xhematë.

Dhe miqësi e armiqësi të tjera të gabuara, të cilat nuk janë për hirë të Allahut, dhe me të cilat nuk është i kënaqur Allahu (azzevexhel).

Lusim Allahun (azzevexhel) që dashuria ndërmjet nesh të jetë vetëm për hirë të Allahut, ta duam njëri tjetrin dhe të ndihmohemi në mes veti. E për shkak të gjërave dhe intereseve të kësaj bote, mos të bashkohen dhe mos të prishen zemrat tona. Amin

Hoxhë Omer Bajrami 
www.omerbajrami.com

Artikulli paraprakOKB dënon Izraelin për prishjen e shtëpive
Artikulli vijuesKrasniqi: Fitoi Shpendi, jo Vetëvendosje