Krasniqi: Sa vrasje enigmatike ka kryer Serbia në Kosovë?

0
156

Deklarimi i zëvendëskryeministrit të parë serb, Aleksandar Vucic, se vrasja e të rinjve serbë në kafenenë “Panda” në Pejë në vitin 1998 nuk është kryer nga shqiptarët, ashtu siç ishte menduar në atë kohë, dhe së fundi raportimi i gazetës serbe Kuri se vrasja ishte kryer nga shteti serb për t’ia dëmtuar imazhin UÇK-së, ka nxitur reagimin e kryeparlamentarit Jakup Krasniqi.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka ngritur pyetjen nëse kjo ishte vrasja e vetme e bijve të vet nga ana e Serbisë.

“Para ca dite zëvendëskryeministri serb, Vucic, deklaroi se vrasja e gjashtë fëmijëve serbë në Pejë ishte vepër e shtetit serb. Sot gazeta serbe e konfirmon atë që e tha ai para disa dite se ‘vrasjen e të rinjve serbë e ka bërë shteti i Serbisë’. Tani kjo po konfirmohet edhe nga gazeta Kurir, e njohur për qëndrime të saj antishqiptare. Në këtë shkrim pranohet se ‘qëllimi i vrasjes së të rinjve serbë ka qenë dëmtimi i imazhit të UÇK-së në opinionin ndërkombëtar’. Pra, Serbia ka vrarë serbët e Pejës me qëllim që bota të mendojë se krimi u krye nga shqiptarët, pra nga UÇK-ja”, ka shkruar Krasniqi, duke shtruar pyetjen: “Athua si qëndron fakti edhe më shumë vrasje të tjera enigmatike të luftës e të pas luftës në Kosovë”!?

“Vrasjet ndodhnin sa herë që kishte një ngjarje të rëndësishme për Kosovën apo vinte ndonjë zyrtar i lartë ndërkombëtar, qoftë nga OKB-ja apo BE-ja? Kur dihet mirëfilli se ato raste regjistroheshin në dëm të situatës politike dhe të sigurisë në Kosovë, ky rast konfirmon më se miri se sa perfide, të egra dhe barbare ishin politikat serbe të Beogradit zyrtar ndaj Kosovës dhe shqiptarëve”.

Krasniqi ka thënë se një politikë e tillë kriminale, fatkeqësisht ende është e pranishme në shtetin e Serbisë.

“Fatkeqësisht, kjo politikë kriminale është duke u udhëhequr edhe sot nga mbeturinat e asaj politike në Beograd. Ketë e konfirmon edhe vrasja enigmatike e anëtarit të Asamblesë se Mitrovicës nga radhët e Partisë Liberale Serbe, si edhe shumë vrasje të tjera të kryera në atë pjesë të Kosovës gjatë këtyre 15 viteve. Është fakt se vrasjet apo tentimvrasjet janë kryer kryesisht ndaj qytetarëve (serbë, shqiptarë e boshnjakë) që kërkonin integrimin në jetën shoqërore, publike e institucionale te Kosovës. Andaj, është momenti i fundit që qasja e politikës së Kosovës e sidomos qasja e politikës së BE-së të ndryshojë ndaj politikës se mbeturinave millosheviqjane në Serbi dhe në Kosovë. Ky rast, që sigurisht nuk është i vetmi, tregon më se miri sesa të thella ishin rrënjët e krimit ndaj njerëzimit në politikën shtetërore te Beogradit zyrtar. Nga kjo politikë kriminale, Beogradi zyrtar nuk ka hequr dorë as sot e kësaj dite?!”, ka përfunduar kryeparlamentarit Krasniqi. /Telegrafi/