Krasniqi: Shqiptarët duhet të respektojnë realitetin e një kombi me dy shtete dhe me diversitet fetar e rajonal

Profesori universitar dhe analisti politik Milazim Krasniqi me anë të një postimi në rrjetin social ka publikuar një prononcim të cilin e ka dhënë për një media shqiptare në Tiranë.

Analisti Krasniqi përmes këtij shkrimi ka thënë se ashpërsia e komunikimit për futbollin, pikën ku jemi më të fortë dhe më të bashkuar, është simptomë e cila më së miri tregon se sa rrezik ka ndarja brenda kombit tonë, në linja të tjera që janë edhe më të brishta se sa futbolli, siç janë interesat ekonomike dhe besimet fetare.

Madje ai shton se po të mos pranohej Kosova në FIFA dhe në UEFA dhe po të shkonte përfaqësusja e Shqipërisë më tutje në finale e Evropianit 2016, transi mbase do të vazhdonte.

Ja shkrimi i tij në rrjetin social Facebook:

Këtë mendim ia dhashë pardje një gazete të Tiranës. Prej tij gazeta dje kishte shkëputur dy fjali. Meqë këtë debat e konsideroj shumë të rëndësishëm, këtë mendim timin të dhënë gazetës tironse, po e postoj të plotë këtu. Të paktën miqtë e mi në f b të jenë më të informuar:

Kriza e rëndë e mendimit ndër ne shqiptarët, ka lënë mundësinë që hapësirën e mendimit ta zënë emocionet e tifozerive të futbollit dhe manpulimet e opinionistëve të specializuar për spinim. Një kohë dukej idilike që tifozeria binte në trans me sloganin “O sa mirë me qenë shqiptar”, pa e pasur idenë se cila është gjendja e vërtetë e këtyre shqiptarëve, të obsesionuar me rrugët e eksodit dhe me kultivimin e hashashit.

Të gjithë dukej se kënaqeshin me atë histerizëm primitiv, madje edhe intelektualët dhe shkencëtarët oportunistë e hipokritë, krahas politikanëve kleptomanë e gënjeshtarë. Po të mos pranohej Kosova në FIFA dhe në UEFA dhe po të shkonte përfaqësusja e Shqipërisë më tutje në finale e Evropianit 2016, transi mbase do të vazhdonte.

Por, tash që duhet të jipen përgjigje racionale se si më tutje me këtë realitet të ri të afirmimit të Kosovës dhe të rrezikut që shfaqet për krizën e përfaqësueses së Shqipërisë, ka filluar debati si një debat mes të dehurve në një mejhane provinciale ballkanike.


Kjo gjendje e mjerë e debatit është pasojë e faktit që nuk janë bërë analiza, nuk janë bërë projeksione se si duhet të veprojmë në realitetet e reja kur jemi një komb me dy shtete. Pra, nuk është gjetur formula si të veprojmë në mënyrë komplementare, veçse po tentohet të aplikohet formula paternaliste. Natyrisht, gjëja më e lehtë është që në këtë konfuzion tonin, të angazhohen edhe agjendat e huaja, për të na përçarë për të na dobësuar, për të na defaktorizuar.


Ashpërsia e komunikimit për futbollin, pikën ku jemi më të fortë dhe më të bashkuar, ëshë simptomë se sa rrezik ka ndarja brenda kombit tonë, në linja të tjera që janë më të brishta se sa futbolli, siç janë interesat ekonomike dhe besimet fetare.

Prandaj, duhet kujdes, sepse vetëm respektimi i realiteteve që kemi, të një kombi me dy shtete, me disa territore të mbetura jashtë tyre, me disa diaspora nëpër botë, me diversitet fetar e me specifika rajonale, na siguron kohezionin dhe unitetin kombëtar. E sigurt është që ambicia paternaliste dhe tirania e pakicës do të prodhonin kriza të reja dhe do ta rrënonin idealin për një komb unik.

Artikulli paraprakBushati reagon për sulmin terrorist në Turqi
Artikulli vijuesErdogan: Kamikazi i sulmit terrorist në Gaziantep në moshën 12-14 vjeçare