Krejt SHBA kundër tij

Ideja e Donald Trumpit për të luftuar kundër terrorizmit duke ua ndaluar të gjithë myslimanëve hyrjen në Shtetet e Bashkuara është dënuar nga administrata Obama, nga kandidatët demokratë për zgjedhjet presidenciale dhe nga gjysma e kandidatëve të Partisë Republikane që bashkë me të janë në garë për t’u nominuar për zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë thuhet se deklaratat e z. Trump janë “totalisht kundër vlerave tona si amerikanë”. “Respektimi i lirisë së besimit është shkruar në Deklaratën tonë të të Drejtave”, tha Ben Rhodes, këshilltar i presidentit Obama.

Ndërkohë, ndaj kësaj deklarate të kandidatit republikan kanë reaguar Hillary Clinton, Bernie Sanders, Martin O’Malley, kandidatë të Partisë Demokratike. Ky i fundit ka deklaruar se “nuk ka fije dyshimi: Donald Trump bën fushatë si një demagog fashist”.

Edhe kandidatët republikanë e kanë dënuar këtë deklaratë. Përderisa Jeb Bush e ka quajtur kolegun e tij “një i çekuilibruar”, John Kasich ka thënë se “retorika e Trump është e rrezikshme për Amerikën”.

Propozimi i z. Trump është kritikuar dhe është cilësuar “i pabesueshëm” edhe nga ekspertë të ndryshëm, si dhe nga mediet. Tabloidi “Philadelphia Daily News” e ka krahasuar në ballinë me Adolf Hitlerin.

Artikulli paraprakNë kryeqytetin e Turqisë tani mësohet e dëgjohet shqipja
Artikulli vijuesVIDEO – Qysh mi ndalë vuajtjet një i ri ose një e re