Kremlini thotë se Ramzan Kadyrov, lider i rajonit Çeçenia në Rusi, do të mbetet në postin e tij, përkundër komenteve që ai i ka bërë gjatë fundjavës për mundësinë e tërheqjes.
Mbrëmë vonë, Kadyrov 41 vjeçar, në intervistën për rrjetin, Rossia 1 TV, tha se ka ardhur koha për tu larguar nga posti i tij.
Ai theksoi se Kremlini duhet ta zgjedhë zëvendësimin e tij, por është shprehur se nëse pyetet ai do të mund t’i sugjeronte disa kandidatë, për të cilët mendon se janë të aftë për ta kryer këtë detyrë.
Por, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, sot u tha reporterëve në Moskë se Kadyrov mbetet lojal ndaj presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, dhe do të “punojë në secilin pozicion nëse presidenti kërkon nga ai”.
“Ai mbetet si shef aktual i republikës” së Çeçenisë, tha Peskov.
Gjatë intervistës së mbrëmshme, Kadyrov tha se Putinin e ka “idol” dhe se “është i gatshëm për ta dhënë jetën për të”.