Krerët e Kosovës takim për obligimet ndërkombëtare

Krerët e Kosovës, në kuadër të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore, janë pajtuar që të vazhdohet me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi sot ka zhvilluar një takim të përbashkët me kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe kryeministrin Isa Mustafa, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga Presidenca e Kosovës bëhet e ditur se gjatë këtij takimi është biseduar për vazhdimin e koordinimit të përbashkët për jetësimin e obligimeve ndërkombëtare që Kosova është zotuar t’i realizojë.

Në takim, krerët e Republikës së Kosovës, në kuadër të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore, janë pajtuar që të vazhdohet me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të përmbyllet demarkacioni me Malin e Zi dhe të punohet për transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës.

“Këta hapa, përveç që do të mundësojnë përmbylljen e integrimit të plotë të komunitetit serb në institucionet e Kosovës, do t’i hapin rrugë edhe liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, por edhe konsolidimit të mëtejshëm të shtetësisë dhe sovranitetit të shtetit të Kosovës.”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Artikulli paraprak“Regjimi i Asadit ka ekzekutuar mijëra njerëz pa gjyq”
Artikulli vijuesMiliardat e ‘ngrira’ të Trustit dhe AKP-së mund ta ngjallin sektorin privat