Kreu i ri i CIA: John Brennan (një prift katolik)

Shumë nuk ka munguar që John Owen Brennan të ishte bërë “Padre Brennan”, një prift katolik diku në bregun lindor amerikan. 57 vjeçari ushtron tani një profesion krejt tjetër: Ai do të bëhet drejtor i CIA-s.
New York, në mes të viteve 70-të. Një autobus lëviz nëpër rrugët e Bronxit. Në të ndodhet një i ri, John Owen Brennan nga New Jersey: Fëmijë emigrantësh irlandezë, me shkollë fillore katolike, “high school” katolike dhe tani duke shkuar në Fordham University, një shkollë jezuitësh. Studimi dhe synimi në jetë- të bëhet prift.
Por, ky plan ndryshon kur John Owen Brennan shfleton “New York Times” dhe shikon njoftimin se CIA kërkon punonjës. Dhe Brennan përshkon një rrugë që pas 25 vjetësh dhe një ndërprerjeje të shkurtër në ekonominë private, e ka çuar në krye të shërbimit më të fuqishëm informativ të botës.
Nëse Senati e pranon, atëherë Brennan do të bëhet kryespiuni i Obamës. Në moshën 57 vjeçare, i martuar, baba i tre fëmijëve. Prej katër vjetësh ekspert për luftimin e korrupsionit në Shtëpinë e Bardhë. I fiksuar dhe i palodhur. “Pushim? Unë nuk bëj pushim,” i thotë ai gazetarëve. Dhe Obama e quan vrullin e Brennan-it për punë “legjendare, madje edhe për parametrat e Shtëpisë së Bardhë. Unë nuk jam i sigurt, a ka fjetur ai në katër vjetët e fundit.”
John Brennan është njeri i besuar i presidentit Obama
A do bëhet CIA e Brennanit ‘makineri vrasëse e terroristëve’?
“Sipas mendimit tim duhet vlerësuar që Obama ka emëruar si drejtor të CIA-s një specialist të sprovuar dhe jo një politikan që vjen nga jashtë ose ndonjë ushtarak”, thotë studiuesi i shkencave politike Jörg Wolf. “Rreziku që CIA të drejtohet nga një ushtarak është se ajo mund të kthehet në një makineri vrasëse e terroristëve – ky ishte një nga dyshimet që u shprehën kur gjenerali Petraus i emërua më parë në këtë post. Dhe nëse në këtë post emërohet tani John Brennan, i cili e njeh mirë sektorin e analizave, atëherë kjo është një shenjë se CIA i kthehet tani detyrave bazë.” Wolf punon për “Nismën Atlantike” një shoqatë që përpiqet për miqësinë gjermano- amerikane dhe që ka një “think tank” të vetin, drejtues i të cilit është Wolf vetë.
Spiuni më i lartë i Obamës sjell me vete edhe aftësi të tjera, të cilat e bëjnë atë të jetë si i prerë për këtë punë: Brennan është eskpert i Lindjes së Afërme, flet arabisht dhe ka pas drejtuar zyrën e CIA-s në Lindjen e Afërme në Arabinë Saudite, njohuri që i hyjnë në punë në çdo kohë, sepse SHBA dyshon se kërcënimet e sigurisë i vijnë kryesisht nga vendet myslimane.
E rëndësishme është edhe që: “John Brennan është njeri i besuar i presidentit Obama, me të cilin ai ka punuar shumë mirë katër vjetët e fundit, ” thotë Wolf. “Brennan ka luajtur një rol të madh si në operacionin për vrasjen e bin Ladenit edhe për programin e avionëve pa pilot.”

Pikërisht kjo është pika për të cilën ai kritikohet, roli i tij si nxitës i palodhur dhe mbrojtës i programit amerikan të avionëve pa pilotë, që qëllojnë plumba vdekjeprurës në Pakistan, Jemen apo Somali. SHBA kanë listën e vet të vrasjeve, mediat amerikane citojnë një ekspertë kritik të sigurisë që thotë: “Nuk e di se si do të mund të ndryshojë kjo nëse ai bëhet shef i CIA-s.”
John Brennan
Vetë Brennan e mbrojti në muajin prill programin e tij si “përpikmëri kirurgjikale, mundësi që me precizionin e rrezeve laser të largohet tumori me kancer,” siç i quan ai terroristët e Al-Qaida-s.
Një akuzë tjetër që i bëhet Brennanit ka të bëjë me atë se si bashkëpunëtor i lartë i CIA-s, nën presidentin Bush ai ka pranuar metodat e torturës gjatë marrjeve në pyetje. Në një interviste ai i mbrojti metodat e diskutueshme të marrjes në pyetje./DW

Artikulli paraprakTim Judah: Si do të ripaketohet plani Ahtisaari?
Artikulli vijuesNjë stuhi shumë e fortë ka përfshirë Lindjen e Mesme dhe Turqinë