Kryeministri Edi Rama del kundër ndryshimeve në qeveri, duke mbyllur debatet për largime të ministrave. Qëndrimi i Ramës është mbajtur në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura të grupit parlamentar të PS-së, e cila pas kohësh mungesë është drejtuar nga vetë kryesocialisti.
Ka qenë një fjalim i gjatë i mbajtur nga Edi Rama në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar, i cili i ka prekur të gjitha çështjet që janë përfolur së fundmi në media, që nga marrëdhënia me aleatin në bashkëqeverisje apo dhe ndryshimet në qeveri e duke u dhënë më shumë rëndësi zgjedhjeve në parti, nga ku do të dalin 61 drejtuesit e rinj të degëve të PS-së, si dhe delegatët e rinj në Asamblenë Kombëtare. “Të gjitha aludimet për ndryshime në qeveri janë produkte të atyre që nuk ia duan të mirën koalicionit tonë qeverisës dhe që na duan të keqen. Jo çdo gjë që thuhet, besohet”, mësohet të ketë deklaruar Rama. Burimet nga mbledhja e grupit socialist pohojnë se Kryeministri ka bërë të qartë që e gjithë thashethemnaja mediatike për ndryshime në qeveri nuk ka asnjë lloj baze. “Qeveria nuk do të ndryshojë dhe do të vazhdojë me vendosmëri punën për ndryshimin e Shqipërisë”, citohet të ketë deklaruar Kryeministri. Ai ka ritheksuar se qeveria e tij është një skuadër dhe funksionon sipas parashikimeve të bëra qysh në krijimin e saj. “Keni dëgjuar ju dhe unë bashkë me ju në media zëra për ndryshimet në qeveri. Ato citojnë se keni folur ju dhe unë ju them që dëgjojini, por mos i besoni. Ne jemi një skuadër dhe nëse do të ketë ndryshime në kabinetin qeveritar sigurisht që do t’i merrni vesh”, u është drejtuar Rama, deputetëve. Ndërkohë që të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe në përfundim të mbledhjes së grupit me deputetët dhe ministrat socialistë. “Puna juaj është që ju mendoni, ju flisni, ju informoni, ju komentoni dhe pastaj kujtoni se ajo që është folur e kemi folur ne, ndërkohë që e keni folur ju”, tha kryesocialisti Rama. Edhe pse nga takimi i fundit mes tij dhe Metës, pas kthimit nga udhëtimi në SHBA, u përfol për një kërkesë të kreut të LSI-së për ndryshime në qeveri, mesa duket kjo nuk ka për të ndodhur, pasi, sipas Ramës, ministrat kanë punuar mirë në dy vitet e para të mandatit qeverisës. “Ata që kërkojnë ndryshime qeverie sot, nuk janë ata që na kanë votuar, por ata që ose janë kundërshtarët tanë ose hanë bukë nëpër gazeta e media, duke sajuar ngjarje, përhapur thashetheme apo nxitur diversione”, ka shtuar Rama në fjalimin e tij të gjatë përpara deputetëve dhe ministrave të majtë në mbledhjen e djeshme. Kryeministri ua ka mbyllur derën zërave për ndryshimet në qeveri, pavarësisht se mund të jenë artikuluar nga drejtuesit kryesorë të koalicionit qeveritar.