Kryetari i Prishtinës me veturë zyrtare në kremten e LDK-së në Kamenicë

Kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, të shtunën, i ka hipur veturës së tij zyrtare dhe, së bashku me zyrtarët e tjerë të Komunës, ka vajtur në qytetin me të largët, në lindje të Kosovës, Kamenicë, për të festuar 22-vjetorin e themelimit të Degës së LDK-së për këtë qytet.

Kjo është pranuar zyrtarisht nga kabineti i kryetarit të Prishtinës, porse, sipas tyre, kreu i Prishtinës është shembull për përdorim korrekt të veturës dhe jo për keqpërdorim të saj. Por në udhëzimin administrativ 2009/3 të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, i cili rregullon sferën e përdorimit të veturave zyrtare në komuna, thuhet se e drejta e përdorimit të veturave zyrtare lidhet me ushtrimin e aktiviteteve dhe veprimtarive komunale, dhe jo me aktivitete partiake apo personale. Por kjo nuk është interpretuar kësisoj në Komunë të Prishtinës.

“Legjislacioni në fuqi ua mundëson kryetarëve të komunave, në këtë rast edhe kryetarit të Komunës së Prishtinës, që ta kenë në shërbim veturën zyrtare gjatë 24 orëve të ditës. Me gjithë këtë mundësi, kryetari Mustafa është i vetmi prej liderëve, qofshin nga niveli lokal dhe ai qendror, që veturën e tij zyrtare pas përfundimit të orarit të punës e parkon në garazhin e Komunës. Sot, të gjithë qytetarët e Prishtinës ishin dëshmitar në parkun Gërmia, që kryetari Mustafa, ndonëse kishte aktivitete të organizuara nga Komuna e Prishtinës, për nder të Ditës së Tokës, ai nuk e ka shfrytëzuar veturën zyrtare, por ka dalë me veturën private”, ka thënë Asdren Osaj, zëdhënës i Komunës se Prishtinës.

Sipas tij, e drejta e kreut të Prishtinës për të përdorur veturën zyrtare të Komunës në aktivitete partiake buron edhe nga fakti që kreu i Prishtinës njëherazi është edhe kreu i opozitës së vendit./koha/kohaislame

Artikulli paraprakNë vitin 2016 Maqedonia e para në botë për papunësi
Artikulli vijuesVëllai i vogël i Kryeministrit po ndërton kompleks banesash