Shqiponja e vendosur disa ditë më parë në lagjen e Fushë Tophanës si dhe vendimi i Komunës së Butelit për vendosjen e një kryqi në rrethrrotullimin në hyrje të saj, ka përplasur këshilltarin e Qytetit të Shkupit nga radhët e PDSh-së, Idriz Orana dhe numrin një të Shkupit, Koce Trajanovski. Në seancën për pyetje të këshilltarëve, Orana akuzoi Trajanovskin për papërgjegjësi edhe pse siç thekson ai, neni mbi të cilin është sjellur vendimi që të vendoset kryqi në Butel është nën ingerenca të Qytetit të Shkupit, njëjtë siç është edhe Shqiponja në Fushë Tophanë. Orana pyeti Trajanovskin se pse në programin për përmendore dhe skulptura nuk propozohet që të shtohet ato kërkesa të qytetarëve dhe të diskutohen në Këshillin e Qytetit të Shkupit.
“Dje nga ana ime keni marrë një letër të hapur për ndalimin e kësaj anarkie dhe të bisedohet në vendin ku është kompetent në këshillin e Qytetit të Shkupit. Me sjelljet e juaja fëmijërore edhe njëherë tregoni dhe demonstroni se jeni të papërgjegjshëm. Kur bëhet fjalë për tenderat dhe kur bëhet fjalë për hajnit keni një koalicion të shkëlqyeshëm me BDI-në”, deklaroi Idriz Orana, Këshilltarë i PDSH-së në Qytetin e Shkupi.
Sipas Trajanovskit, Qyteti i Shkupi nuk ka inspektorat ndërtimor por ato janë nën kompetenca të komunave.
“Nëse ka ndërhyrje apo ndërtime të cilat vlerësojmë se janë ilegale dhe gjenden në bulevardet apo në rrethrrotullimet që janë nën kompetenca të Qytetit të Shkupit dhe në të ardhmen do të pamundësojnë funksionimin apo ndërtimin e atyre bulevardeve, ne drejtohemi te inspektorati shtetëror ndërtimor, si inspekorat që është mbi komunat që të mund të ngrit procedurë për eliminimin apo të shqyrtojë nëse është legale ajo apo ilegale”, deklaroi kryetari i Qytetit të Shkupit
Orana më tej shtoi se të dy vendet e lartpërmendura janë në kompetencë të Shkupit dhe grupi i këshilltarëve të PDSH-së ka kërkuar të hyn në programin për struktura si dhe vendimi i Butelit të shqyrtohet në Këshillin e Qytetit
Pyetje tjetër drejtuar Trajanovskit nga ana e këshilltarit të BDI-së ka qenë edhe moszbatimi I gjuhës shqipe. Orana ka akuzuar Trajanovskin për keqpërdorimin e gjuhës shqipe dhe për këtë ka dëshmi mbi 200.000 fotografi për keqpërdorime.
Teuta Buçi /SHENJA/