Hysamedin Feraj
Nuk ka më patriotë se shqiptarët! Ende nuk ia falin tradhtinë Ballabanit, Moisiut, Hamzait, Esatit…, askujt që tradhtinë e ka bërë qindra vjet më parë! Por kur vjen puna për sot…! Nuk shohin tradhti gjëkundi. Ku ka tradhti?! – pyesin të habitur. Madje, shumë thonë se nuk lejohet të flitet kjo gjuhë e ashpër që nxit konflikte dhe urrejtje. Për më tepër, shumë e mbështesin atë me veprime e mosveprime.
Kjo është një sjellje interesante. Po aq është interesante për njohjen po të kemi ndonjë përgjigje të besueshme pse, si shqiptarë, e dallojmë tradhtinë në të shkuarën dhe jo në të tashmen.
Rrethanat nuk janë të ndryshme nga ato historike. Sipas të njëjtëve, tradhtinë në të kaluarën e njohim sepse, siç e dimë nga historia shkollore, tradhtarët bashkoheshin me kërkesat territoriale të pushtuesve, të largët ose fqinjë. Sidomos në prag të rënies së Perandorisë Osmane, në prag të pavarësisë sonë kombëtare dhe menjëherë mbas saj territoreve shqiptare iu sulën fqinjët serbë, malazezë dhe grekë, secili të grabisë për vete një pjesë të tij.
Mirëpo sot situata nuk është ndryshe: Greqia kërkon pjesë të detit; Mali i Zi pjesë të malësisë; Serbia kërkon fushat, minierat dhe hapësirën ajrore (të Kosovës). Në shprehjen klasike ushtarake: shqiptarët janë të sulmuar prej fqinjëve nga deti, nga toka, nga ajri. Në mbështetje të kërkesave të Serbisë e të Malit të Zi kanë dalë Isa Mustafa, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe përkrahësit e tyre propagandistikë ose siç thuhet sot mediatikë. Pra, rrethanat sipas të cilave duket se e njohim çka është tradhti në të kaluarën nuk e shpjegojnë qëndrimin ndryshe ndaj tradhtisë që bëhet në të sotmen, sepse rrethanat janë njësoj të qarta sot si atëherë.
Njësoj nuk e bën të kuptueshme sjelljen e sotme qëndrimi ndaj heronjve, heronjve të secilit. Për të kaluarën, për ata që hero e kishin Skënderbeun, tradhtarë janë ata që iu kthyen kundër; për ata që hero e kishin Enver Hoxhën, tradhtarë janë ata që i dolën kundër, etj. Sot heroi i LDK-istëve është Ibrahim Rugova, të cilit i ka dalë kundër Isa Mustafa. Mirëpo LDK-istët vazhdojnë të jenë me Mustafën e gjallë kundër heroit të tyre të vdekur: Rugova u përpoq të përdorë ndërkombëtarët që ta nxjerrë Kosovën nga Republika e Serbisë. Isa Mustafa po përpiqet që “me ndërkombëtarët” ta krijojë Republikën e Serbisë brenda Kosovës. Rugova, edhe kur kishte ardhur momenti për luftë të armatosur, ishte vetëm për rrugën paqësore e demokratike. Isa Mustafa po përdor forcat e armatosura të Kosovës kundër protestave paqësore e demokratike. Rugova organizonte protestat e shqiptarëve kundër forcave dhe masave policore serbe. Isa Mustafa po përdor forcat dhe masat policore kundër protestave të shqiptarëve në mbrojtje të interesave serbe. Prapë nuk kuptojnë kush është heroi e kush tradhtari?! Zor të besohet.
E njëjta gjë vlen për Hashim Thaçin, heroin e PDK-istëve: Hashim Thaçi i djeshëm nuk e dëgjonte Rugovën se lufta e armatosur kundër Serbisë e kthen botën kundër nesh, por nisi luftën për çlirimin e Kosovës nga Republika e Serbisë. Hashim Thaçi i sotëm, njësoj si Rugova i djeshëm, ngul këmbë se kundërshtimi i krijimit të republikës së Serbisë (Zajednicës) brenda Kosovës e kthen botën kundër nesh. Hashim Thaçi i djeshëm përdori forcën e armatosur shqiptare kundër Serbisë; Hashim Thaçi i sotëm po përdor forcat e armatosura kundër shqiptarëve në favor të Serbisë. Zor të besohet se PDK-istët nuk e kuptojnë këtë tradhti të Hashim Thaçit ndaj… Hashim Thaçit!
Duket se përpjekja për të kuptuar qëndrimin shqiptar ndaj tradhtisë kombëtare nëpërmjet dimensionit njohës nuk çon askund: për askënd nuk është e vështirë të njohë se çka dhe kur është rast tradhtia kombëtare. Për ne, si për çdo popull normal, cenimi i territorit dhe sovranitetit nga udhëheqësit politikë përbën formën klasike të tradhtisë kombëtare ndaj vendit, dhe, ku ka, ndaj Kushtetutës.
Prandaj duket se qëndrimi shqiptar ndaj tradhtisë mbetet më shumë në dimensionin e psikologjisë. Shoqata nga më të ndryshmet, intelektualë, politikanë, publicistë, analistë, blogistë, xhepistë, hidhen zjarrshëm kundër tradhtarëve të së kaluarës. Por zhduken si të mos kishin qenë kurrë kur është fjala për tradhtinë dhe tradhtarët e sotëm. Nga një pjesë e madhe shqiptarësh patriotizmi konsumohet psikologjikisht si teatër: secili merr për vete rolin e heroit të vet nga e kaluara, mbështillet me flamur siç janë pikturuar nga artistët e vonshëm, vendos qeleshen e bardhë me shqiponjën dykrenare sipër mjekrës dhe/ose mustaqeve vesh më vesh (sipas pamjes që “ka pasur” heroi) dhe ikën me vrap nga çdo veprim tjetër në mbrojtje të territorit dhe të sovranitetit të atdheut. Të strukur diku, prapa ferrës, prapa kompjuterit ose smartphon-ëve, të zhveshur nga dekori patriotik e të veshur sipas modës së fundit qëllojnë nëpër frëngjinë e medias tokësore, elektronike ose satelitore me mjetet më të pështira ata që kanë dalë e po dalin çdo ditë në sheshet e qytetit për të mbrojtur vendin nga depërtimi serb. Sot nuk është e vështirë të njihet kush është tradhtar, por për disa është psikologjikisht e vështirë për të qenë patriot.