Kujdes nga paraqitja e rriqrave

0
156
Me ardhjen e stinës së pranverës në regjionin e Prizrenit, ka filluar edhe paraqitja e rriqrave.
 
Qysh nga muaji shkurt kanë nisur të paraqiten rastet e para të pickimit nga rriqërat në regjionin e Prizrenit. Sipas drejtoreshës së Institutit Regjional të Shëndetit Publik, Nurishahe Hulaj për tre muaj në tërë regjionin që përfshinë pesë komunat tjera pos Prizrenit, janë regjistruar 338 raste të tilla.
 
“Prinë Malisheva me 204 raste e cila edhe është zona më e rrezikuar nga ethet hemorragjike “krime kongo”, të Prizrenit janë 33, Rahovecit 50, Suharekës 50 dhe Mamushës gjashtë raste të pickimit”.
 
Të gjitha këto raste kanë marrë ndihmë në Qendrën më të afërt të mjekësisë familjare dh në mënyrë profesionale u është bërë largim i rriqrit dhe rastet janë me shëndet të mirë, pra nuk janë të infektuar me ethe hemoragjike “krime kongo” tregon ajo.
 
Doktoresha Hulaj me këtë rast apelon për kujdes të shtuar qytetarët të cilët edhe kanë kontakte me kafshët, por edhe ata që bëjnë punimin e tokës. Ajo thotë se mbrojtja e trupit me anë të rrobave është zgjidhja e vetme.
 
Hulaj thotë se nga viti në vit po bëjnë vetëdijesimin e popullatës përmes projekteve të ndryshme. Ajo tregon se ligjëratat vetëdijesuese kanë dhënë edhe rezultate në të shumtën e rasteve.
 
Drejtoresha e IRSHP në Prizren, shpreson që këtë vit mos të ketë ndonjë rast pozitiv me ethe krime-kongo. Ajo thotë se po bashkëpunojnë me Qendrat e mjekësisë familjare, në pesë komunat e regjionit të Prizrenit përfshirë Suharekën, Rahovecin, Malishevën, Dragashin dhe Mamushën që rastet e tilla të trajtohen me seriozitet me qëllim të ruajtjes së jetëve të njerëzve. /rtk