Kujtime – Shejh Shuajb Arnauti – shkruan studentja e tij shqiptare

0
3104

(disa fjale t`pakta për atë anën tjetër të Sheh Shuajbit)
Emri i Sheh Shuajbit ishte emri që m’u fiksua në kokë shumë kohë para lufte. Kisha mësuar për të nga Dr.Rexhep Boja shumë kohë para lufte, dhe ishte sinonimi i mundësisë sime të vetme për të mësuar arabishten diku në vendet arabe.
‘Nuk e di ç’të them,ka vetëm një njeri në atë botën arabe ku do të mund të merrja përgjegjësinë e plotë për të ju rekomanduar të shkoni , a ai është Sheh Shuajb Arnauti në Jordani!’-më tha dr.Boja.
Më kujtohet si sot kur pata takuar në Stamboll në 96-tën një grup prej pesë vajzash nga Shqipëria që sapo ishin diplomuar në Universitete në studimet e fesë e gjuhës, të cilat po ktheheshin për në Shqipëri nga Jordania,si të parat vajza që kishin dalë nga vendi i tyre në të nëntëdhjetat kur Shqipëria ishte hapur. ‘Po ia dolëm’- më thanë ato –‘sepse kishin Sheh Shuajbin që kujdesej për ne!’
*****
Në Amman arrita më 19 tetor 1999.Të nesërmen duhej t’a takonim Shejhun në zyrën e tij.
Po ç’zyrë se!Kujtova se kam hyrë në një bibliotekë, jo vetëm nga era libra të rënda, të vjetra e të reja që vinte, por edhe sepse nuk shihej gjë nga vitrina e vitrina të larta e të stërmbushura deri në tavan me libra të cilat i kaloje për t’u futur në një zyrë dhe sërish libra e libra edhe aty.Libra edhe në tavolinën e tij por kishte edhe një enë të mbushur me sheqerka.Ishim ulur anash dhe disi, i lakmoja shoqës sime Makfirës që ishte më e shkurtë dhe kishte mundësinë të fshihej pak nën hijen e atyre librave e nuk e vriste shikimi në heshtje për një copë herë nën ato vetulla të ngritura mrrolshëm:
‘Prej Kosovës jeni ju?’
‘Po’ – i tham me zë që s’di kah na doli.
‘Prej Kosovës të Kadirit tem???’ – ngriti zërin e tij pushkë që kishte.
‘Abdulkadiri (Arnatuti) është burrë burrë , insan shumë shumë i mirë,është edhe alim i dijshëm, ai është prej Peje, shoku jem,shumë e du, edhe ai m’don, kena ba shumë punë të hajrit me të’ – tha.
‘Ju e keni da menen me msu jani, jo me ba hajgare?’ ‘Keni me ma nap besën, që keni me mësu, me u ba të dijshëm, me punu për vendin tuej, se shqiptarët janë t’mirë shumë, ama janë miskina’.
‘Besa?besa e shqiptarit ka kenë e fortë shumë, kur ka kenë besë e Zotit!’A ma jep besën e Zotit ti Besa?’
****
Kështu filloi atë tetor 1999, që në Amman bënte një verë e flladshme ende, ndërsa në Kosovë motin e kisha lanë shumë të ligë.
Nuk do t’shkruaja dot për punët e tij të shkencës, ato ia ka lanë në shërbim kërkuesve të dijes anë e kënd globit. Ç’do të thoja unë, e vogla unë, për ato që la në trashëgimi shkencore e intelektuale. Unë as titujt nuk ia mbaja mend!Kishte shumë, shumë,shumë!
Po mbajë mend e nuk e harrojë kurrë fjalën e tij:
‘I kam dhjetë fëmijë, kam pa dynjanë,s’më ngelet asnjë merak në të, nëse dikush më pyet ç’kënaqësi ke pasur në jetën tënde nga kjo botë do i thoja i kam dy: librat e mia, dhe me i ba këtij dini dhe hallkut hizmet!
‘Ah ah sa i mirë është ky Islam, Allahu na ka nderuar me të!’
‘Aishe!’- më thërriste rreptë, më dha këtë emër dhe më thoshte :’M’duket se i ngjet Aishes r.a me mend, ama me trup jo, Aisha ka qene e imtë me trup’. Dhe mu m’bahej qejfi, natyrisht!
*****
Sheh Shuajbi kishte pasion kulinarinë!Nënpunësve të tij, ua gatuante mëngjesin, drekën në orar pune, nuk hante kush jashtë.Çdo perim, pemë e zgjidhte me kujdes më të mirën për t’i shërbyer, poashtu i sillte në banesën konvikt tek ne, tek vajzat tjera, tek talebet tjera.
Përkujdesej shumë që ushqimin që hanim të ishte i shëndetshëm,- ‘Ju duhet për me knu (me mësu) ‘ – na thoshte.
Shehut i pëlqente shumë të thërras studentët në drekë, t’i ushqente ata dhe t’u ligjëronte.
Kështu bënte zakonisht ditëve të premte, pas xhumasë. Në banesën konvikt që kishim, e të cilen e kishim mbushur edhe me të tjera vajza nga Kosova, nxënëse te mia të medresesë, qëndronte në kuzhinë si një kuzhinier profesionist dhe ne një ushtri vajzash bënim atë që na udhëzonte për recetë.
Ndonjëherë hidhërohej, hidhërohej shumë kur ia ndërronim, apo mënjanonim erëzat, që ai i donte dhe ne nuk i duronim në fillim. Apo kur gatuanim. I pëlqenin pitet, por jo edhe flijat dhe mantiat. Humbje kohe thoshte.Për të flijat ishin brume, ndërsa mantijat mund ti bënim me lehtë e më mirë sikur ‘të bënim nja dy petë, të bënim mishin dhe ta mbulonim me nja dy petë tjera, kështu e kurseni kohen për të mësuar’
Por pas ligjerates, largohej dhe ai ishte aq i lumtur,shumë i prehur!
*****
Pas një viti Shehu erdhi në Mitrovicë!Qëndroi një muaj.Derën mbanim hapur deri në orët e vona nga valët e njerëzve që e vizitonin, donin ta shihnin, ta dëgjonin. Dhe ai kënaqej me të gjithë.
Një ditë më tha: ‘Më gjej një a dy vende që të shkojmë në shtëpitë e tyre për hir të Allahut, ku t’i mendon se mund të bëjmë hajr dhe Zoti të na dojë më shumë’.
Shkuam në shtëpinë e hoxhës Ekrem, nëna e nusja e te cilit kanë patur ngelë vetëm në luftë,dhe ende e pritnin te dilte nga burgu që e kishte rënë si pjesëtarë i UCK-se dhe te Zanushja, e cila nga traumat e luftes kishte kohe që kishte ngelur e mbyllur në banese dhe nuk dilte. Ajo na ktheu vizitën dy ditë më pas.
Shejh Shuajbi ishte në Kosovë tre herë.E donte Kosovën, i donte shqiptarët shumë.Krenohej me prejardhjen e tij.
‘Çka po mendon ti!-më thoshte,’Shkodran jam unë, shkodran!’
Fliste me mall, per familjen e tij, për nënën e tij, për babain për të cilin ishte kujdesur 9 vite dhe ai i palëvizshëm dhe i kishte mbushur më shumë se një shekull jetë. Sa e sa orë dëgjonim tek na fliste për Damaskun,ku kishte lindur, për shqiptarët në Siri, për Sheh Albanin, Abdulkadrin, për rregjimin, për burgun, për ekzilin, për xhaminë e madhe të Damaskut.
Shehu e njihte shumë mirë letërsinë arabe dhe kishte memorizuar poezi e poezi të gjata të cilat i lexonte përmendsh…të gjata shumë të gjata!
Shehu ishte përndjekur nga rregjimi i Sirise, dhe sot kur shoh ç’bëri ky Assadi, kujtojë kur tregonte se pasi kishte vdekur babai i Bashar Al Asadit, ky e kishte hequr ndalesen për kthim në Siri dhe madje i kishte ofruar kompensim. Ky ishte përgjigjur: ‘Nuk kam pasur unë probleme personale me diktatorët që vdesin por me tërë sistemin që ata vendosë, vetem kur të bie ky sistem,dhe të lirohet Siria, unë kthehem’! Dhe vite më pas ndodhi kjo që ndodhi.
Shehu bënte shumë pak gjumë.Kurrë nuk e kam kuptuar dhe as sot s’di ç’bereqet kishte dita e tij, dhe nga e vjelte gjithë atë kohë për gjithë ato angazhime nga 24 orëshi!
Falte sabahun,mbante dersin, punonte në zyre, gatuante, shkruante,priste e përcillte mysafirë, mbante mend secilin studentë dhe ia mbante mend shqetësimet që kishin dhe përkujdesej për to , botonte, ribotonte,mbante lidhjet fort me shqiptarët!
Kishte qindra studentë nga Indonezia dhe Malajzia.Janë shumë të butë dhe të vyeshëm këta thoshte Shehu.
I donte studentët. Kur largoheshin dhe përfundonin studimet, më pyeste për ata, mbante gajle për ata. Kishte disa që i dallonte, dhe më pas mërzitej për ta, dëshironte t’i shihte më aktiv.
‘Ervini?m’ka bë pyetje që asnjë arab s’ka ditë me m’i bë!’
‘Valoni e Violeta janë shumë të mirë, të vyeshëm, Zoti i ka bë bashkë ata dy insana, tash kam uzdajë tek Zoti se do të bëjnë punë të mira!’ – thoshte.
Bënte redaktimin e librave mijëvjeçare në një anë dhe në anën tjetër vinte e na mësonte gramatikën, fikhun,tefsirin,hadithin Kuranin neve.
Me Shehun, na shtohej imani, na shtohej vetbesimi. Ishte përkrahes shumë i madh i arsimimit të grave. Kishte nxjerrë libra për dijetaret femra dhe vazhdimisht na fliste për nënat e besimtareve, për dijetaret e ndryshme.I nuhaste mirë padrejtësitë që bëheshin, shumë gra vinin tek ai të ndërmjetësonin çështjet e tyre të trashëgimisë, të pronës.
Kur bisedoja më pyeste për secilin që kishte takuar në Kosovë!
Shehu i donte njerëzit.Kënaqej kur u ndihmonte, i mësonte.
‘Ah me ditë gratë sa nderë u ka bërë Islami’ – thoshte. ‘Prandaj duhet gratë t’a mësojnë fenë shumë mirë, e të punojnë me të’.
*****
Sheh Shuajbi është përkujdesur në mënyrë të shtuar për studentet femra. Nuk ka dashur në asnjë mënyrë që ato të vihen në situata nevoje në vend të huaj.
Shehut i takojnë meritat sikur edhe për Shqipërinë, që Kosova ka pesë të arsimuarat e para në specializime të larta të Islamit:dy doktoresha të shkencave islame në Kosovë, nj magjistre të shkencave islame, dhe nje me universitet.Më pas u bënë të tjera shumë. Edhe për vajzat nga Maqedonia është përkujdesur shumë. Dhe edhe atje për Maqedoninë ishte Shehu ai i cili u kishte mundësuar studimet edhe pasuniversitare të parave studenteve nga Maqedonia.
Nën hijen e emrit tij, ne kosovarët i bënim gjithë punët, nëpër universitete, ministri.Aso kohe pak kush dinte ku është Kosova,ambasadë nuk kishim.Njerëzit e dinin Shqipërinë e dijetarëve Sheh Albanit dhe Sheh Arnautit, dhe Bosnjën e dërrmuar nga lufta.
‘Na njohin, sepse hizmetin që ne shqiptarët (unë dhe Sheh Albani) e kemi bërë për fenë islame nuk e kanë bërë arabët as për 500 vite sa kanë punuar’ – thoshte pa modesti Shehu.
Por arabët janë popull shumë bujarë,dhe të gatshëm të ndihmojnë mysafirët, kurbetçarët!Prandaj edhe i donte Shehu shumë! Kishte gjetur shumë miq në mesin e tyre.
‘Në Damask të Sirisë, shqiptarët ishin shumë të dashur sepse ishin shumë besnik,punëtorë dhe të ndershëm, arabët na nderonin shumë’-tregonte Shehu.
Një herë, në një nga ato shetitë që ia bënim Jordanisë cep më cepë, më kujtohet u ndaluam mes rrugës në shkretëtirë. Sheh Shuajbi dhe dr. Kehali miku i tij i ngushtë, donin të takonin një beduin nën tendë, dhe ne kishim kureshtjen gjithashtu.Menduam se e njihnin, nga përqafimet e gezimi që treguan, por në fakt kishte qenë hera e parë që po takoheshin.Çifti shtruan para nesh gjithë çfarë patën, pimë çaj, dhe bënin yrysh të therrnin një nga bagëtitë që kishin para për drekë.Kur kuptuan kush ishte mysafiri i tyre, ngritnin duartë nga qielli dhe falënderonin Allahun dhe luteshin për të!
*****
Kam udhëtuar disa herë me Shejhun, i merrte gjërat shumë shtruar. Kështu ishte i qetë në vështirësi e sfida. Më thoshte tash Rabbi Al Alemini nga e ndreq punën, dhe ngritte shuplakat e tij dhe thoshte ‘Ja Rabb!’.
Dhe bëhej, dhe lirohej rruga, dhe hapej puna. E kisha fituar këtë besim se kur Shehu bën lutjen, gjerat bëheshin,po vallahi!
Por ishte i rreptë dhe i përpiktë në mësim. Nuk ka falte gabimet pa u korrigjuar.Nuk na toleronte të çonim kohën pa mësuar gjë.
Dhe nuk kalonte ditë pa më përkujtuar: ‘ma ke dhanë besën, hë!Ke për të punuar për këtë fe, dhe ke për t’iu shërbyer njerëzve, dhe ke për t’mos u lodhur e dorëzuar,ke për t’ju ndihmuar e dalë krah grave muslimane në Kosovë, ke….ke… sepse Zotin e kemi dëshmitar, Ai të sheh dhe merr hak’!
Shehu më përkrahte gjithmonë, dhe donte që unë të kthehem e të punojë për bashkesinë islame.
‘Bëj çka të bësh, bashkësia islame është shtëpia jote, aty ke mu kthy,a more vesh??’-më thoshte dhe vinte duke u zemëruar.
*****
Jam kthyer nga Jordania në vitin 2003, kur diplomova dhe filloi lufta në Irak. Shehun e duan shumë familja ime,dhe ai i donte gjithë familjarët e mi, miqtë, shoqet, shokët. Besa është mbesa ime u thoshte!
Djali jonë ka emrin Shuajb. Në familjen time, emri e tij vazhdon e përmendet pa ndërprerë. Këtë kemi dashur une dhe Fetiu.Të kujtojmë Sheh Shuajbit, kur dunjaja na bën të harrojmë dhe na hedhë në mosmirënjohje ndaj atyre që na kanë bërë mirë.
*****
Kur m’merrte jeta për këmbësh të veta,e kur punët më merrnin thua, e thirrja në telefon.
‘Si je xhedooo?’- i thoja duke shtisur një të folme të hareshme.
‘Mexhnune!!!’– dhe nuk fliste një copë herë – ‘Si i ke punët, a je tu punu a jo?’
‘Më bëj duaa o Sheh’-i thoja.
Dhe më pas i kthehesha dunjasë , e lehtësuar.E kisha provuar sa e sa herë, Shehut i pranoheshin lutjet!
Një ditë më kishte shkruar Florentina, vajzushka që e kisha marrë me vete tek Shehu 20 vite më parë, dhe e cila pritet të doktorojë, më tha:’ Shehu është i ligë’.
E thirra, më tha : ‘Eja! Eja valla, mos prit po eja’.
Shkova e pashë, bëri më mirë, kishte 13 vite që nuk kisha qenë në Jordani. Jordania ishte plakur, asgjë nuk kishte ndriçimin e dikurshëm. E kishin rënduar hallet e dertet e refugjatëve sirianë. Banesa e Shehut ishte mbushur me refugjatë. Harrova të ju tregojë, se Sheh Shuajbi gjatë gjithë kohës sa kemi bërë studimet ne, ka jetuar në një banesë me qira, dhe nuk kishte shtëpi të veten, dhe as veturë, dhe as pronë. Vetëm pas pensionimit bleu atë banesë ku u vendos, dhe më nuk shkonte në zyrë. Por ligjëratat i vazhdonte, i mbante po aty në shtëpinë e tij.
Shehu bëri më mirë.Unë bëra më mirë.
Isha më e lehtësuar kur shihja se sa mirë po kujdeseshin për të. Por që atëherë dhe këto tre muajtë e fundit, shëndeti i tij ishte dobësuar. Ishte shtrirë në spital, kishte dalë, dhe prap ishte shtrirë.
Sot, e xhuma e fundit e tetorit 2016, bëhet varrimi i tij.
Nuk kam ku t’i shkarkojë gajlet e mia, e të lehtësohem me lutjet dhe këshillat e tij.
Kemi ngelur të lutemi për të, vetëm, dhe të lutemi për veten!
Të na e kesh bërë hallall, Sheh i dashur!
Një dijetar bote, një ndriçues mendjesh, një trasues rrugësh, kurbetçar, një i persekutuar, një njeri që bëri një jetë në shërbim të kësaj feje, në shërbim të njerëzimit, një i përvuajtur, një i përmalluar, një i pasur që gjithë ç’kishte e shkrinte për nxënësit e tij, një i varfër, një nevojtar për lutjet tona!
Allahu ia shpërbleftë, gjithë mallin, mërzinë, lodhjen, mundin, gëzimin, detyrimin, përkushtimin, vuajtjet,durimin, durimin, durimin, durimin dhe e bëftë nga banorët e graduar të xhenetit! Allahu e mundësoftë realizimin e gjitha hajreve tij. Allahu e faltë e mëshiroftë, dhe na takoftë sërish në xhenetit e tij!
Amin!

Besa