Kundërshtohet vendimi për dhënien e pronave Manastirit

Lidhja e Historianëve të Kosovës në Deçan ka reaguar ndaj vendimit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, e cila ka lejuar që disa hektarë të tokës shoqërore t’i jepen Manastirit të Deçanit.

Përfaqësues të kësaj organizate e kanë quajtur këtë vendim të Supremes si absurd dhe të kundërligjshëm, dhe për ta është i papranueshëm. Ata kanë thënë se do ta përdorin çdo mjet ligjor për të parandaluar, siç kanë thënë ata, faljen e tokës shoqërore këtij manastiri, duke shtuar se nuk do t’i kursejnë protestat dhe format e tjera. Si raporton KTV, historianët e Deçanit u kanë bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ta ngrehin këtë çështje në legjislativin e vendit për ta pamundësuar me ligj dhënien e pronës shoqërore për Manastirin e Deçanit.

Sipas tyre, Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, me një vendim ka legalizuar pronat shoqërore të ndërmarrjes bletare “Apiko” dhe ndërmarrjes hoteliere “Iliria” në Deçan, të cilat nën masa të dhunshme iu dhuruan Manastirit të Deçanit në vitin 1997 nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit./koha/kohaislame

Artikulli paraprakJacobson: Herët për dorëheqjen e Jahjagës
Artikulli vijuesKroacia e Turqia janë destinacione kryesore turistike, sipas një sondazhi