KURANI: Vepër e Muhamedit apo fjalë e Allahut

Senad Maku

“Atij nuk mund t’i mvishet e pavërteta nga asnjë anë; është i zbritur prej të Urtit, të lavdishmit”. (Kur’an: Fssilet 42)
“Përkundrazi, Ne të pavërtetën e godasim me të vërtetën dhe ajo (e vërteta) triumfon mbi të ndërsa ajo (gënjeshtra) zhduket”. (Kur’an: Enbija 18) (1)

Prej çështjeve kryesore që kundërshtarët e Islamit janë mundur të hedhin baltë mbi të e të hapin polemika e dyshime rreth saj është çështja e Kur’anit dhe prejardhjes së tij. Disa persona të caktuar me një mendjegushtësi dhe gjykim jo të kthjellët, mundohen që të mbjellin farën e dyshimit mbi autenticitetin (vërtetësinë) e tij si Libër Hyjnorë. Shumë libra dhe revista e paraqesin Kur’anin si një vepër të mendjes njerëzore, krijuar prej një “mashtruesi “të Pejgamberisë. Shpifje dhe keqinterpretime të tilla të fesë Islame hasim edhe në literaturën shqipe. Kohët e fundit janë edhe botimet e shtëpisë botuese “Cakolli” apo “Tenda” e cila luan rrolin e tutorit nga një garniturë antiislame dhe e cila ka botuar një seri librash me përplot shpifje e të pavërteta rreth Kur’anit dhe parimeve të fesë Islame në përgjithësi. Duke i shtuar këtyre edhe një luftë kulturore antiislame nga media të ndryshme etj.. Përpjeket e tyre të jashtzakonshme dhe puna e madhe që kanë kryer ka patur një objektiv të qartë, atë të çoroditjes së njerëzve të thjeshtë e të pafajshëm nën maskën e punimeve shkencore. Shpeshherë qëllimeve të tyre u kanë shërbyer edhe vegla njerëzore që mbajnë emra muslimanë duke u munduar kështu të provojnë se idetë e tyre të krijuara me kaq mund përqafohen edhe prej muslimanëve”të zhvilluar e me horizont”. (2)

Disa mundohen të paraqiten përpara masës me maskën Islame, duke menjanuar tekstet e tija, e duke ndryshuar koncepte e parime bazë, për interesa të ndryshme, në shumë raste politike e financiare. Disa të tjerë hedhin dyshime se Muhamedi a.s. duhet të jetë autorë i vetëm i këtij libri, e shumë e shumë shpifje dhe trillime në adresë të Islamit, Kur’anit dhe Muhamedit a.s. Shumë kemi dëgjuar e shumë kemi për të dëgjuar…

Kur’ani vet ju përgjigjet këtyrë trillime me një përgjigje të saktë dhe vendimtare, ku Allahu xh.sh. thotë:
“Nuk është e logjikshme të mendohe se ky Kur’an është i trilluar prej dikujt pos All-llahut, por është vërtetues i asaj (shpalljes) që ishte më parë, dhe sqarues e komentues i librit. Nuk ka farë dyshimi se është (i zbritur) nga Zoti i botëve. Përkundër kësaj, ata (idhujtarët) thonë se atë e trilloi ai (Muhammedi). Ti thuaj: “Sillne pra ju një kaptinë të ngjajshme me këtë, madje thirrni kë të doni në ndihmë, pos All-llahut, po qe se jeni të drejtë në atë që thoni”. Por ja, ata përgënjeshtruan atë (Kur’anin) pa e kuptuar dhe pa ju ardhur shpjegimi i tij. Po kështu, gënjenin dhe ata që ishin më përpara. Shiko si ishte përfundimi i zullumqarëve. Ka prej tyre (te të cilët u dërgua Muhammedi) që e besojnë atë(Kur’anin), e ka prej tyre edhe asaish që atë nuk e besojnë. Zoti i njeh më së miri kokëfortit”. (Junus 37-40)

Teoria më e përhapur midis jomuslimanëve është ajo se Muhamedi është autorë i Kur’anit. Për ta kuptuar pozicionin e tyre është e rëndësishme të mbajmë parasysh se çfarë thotë Kur’ani mbi burimin e tij. Kur’ani tregon qartë, ku thotë:
Se me të vërtetë ai është Kur’an i famshëm. Është i zbritur prej Zotit të botëve”. (Vakia 77,80)
“E edhe ai (kur’ani) është shpallje (zbritje) e Zotit të botëve. Atë e solli shpirti besnik (Xhibrili)”. (Shuara 192-193)

Por më tepër mënyra se si kjo thuhet të jep përshtypjen se fjalët burojnë nga Krijuesi tek krijesat. Po të shikohen tërë kapitujt, përveç kapitullit 9 fillojnë me formulën: Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirbërësit. Poashtu arsyeja e cila hedh poashtë tezën se Muhamedi a.s. është autorë i Kur’anit është fakti se ai ishte një njeri analfabet (nuk dinte shkrim-lexim), kjo është edhe një nga gjërat që i sodit më së tepërmi kritikët e Muhamedit a.s. se ai jetoi mes popullit të tij dyzet vjet pa treguar as edhe një herë ndonjë shenjë diturie të madhe. Si mundet atëherë të shpjegohet që ai arriti të krijojë Kur’anin madhështia e të cilit është e pakrahasueshme? Madje fenomenin e analfabetizmit të Pejgamberit Muhamed a.s. e tregon edhe Kur’ani:
“Ti (Muhammed) nuk ishe që lexon ndonjë libër para këtij, e as që shkruajshe atë me dorën tënde të djathtë, pse atëherë do të dyshonin ata të prishurit”. (Ankebut 48)

Atëher si mund të jetë e arsyeshme dhe a mund të pranojë logjika që një analfabet të jetë autorë i një libri kaq madhështorë, plot dituri e përkushtim dhe sfidues i gjithësisë, si Kur’ani? Një njeri i paarsimuar, pa parë derën e shkollës, të sjellë e të predikojë një sistem individual, familjar, shoqërorë, ekonomik dhe juridik të patëmeta, bie në kundërshtim me aparencën mendore e logjike. E sidomos po të jetë ky sistem aq i shkëlqyer sa të zbatohet për shekuj të tërë nga një sërë kombesh miq e armiq midis tyre e të ruajë gjer më sot freskin e vet! (3)

Pa dyshim ashtu si dje, edhe sot, është po ai Person i pa shkrim e i palexim që u ka bërë e u bënë sfidë të gjithave ç‘janë shkruar e thënë dijetarëve dhe letrarëve më të mëdhenjë, në të njëjtën kohë, gjithë njerëzimit! Sot, kur pranohet se shkencat, në një këndvështrim, kanë arritur majat, ai u thotë fizikantëve, kimistëve, astronomëve, mjekëve, sociologëve, poetëve e shkrimtarëve, të gjithë njerëzve të shkencës e të letërsisë, kështu: “Bëhuni bashkë e sillni jo shumë, por vetëm një pjesë sa një sure e Kur’anit!”. (4) Ku Allahu xh.sh. i thotë Muhamedit a.s. që thuaj atyre që pretendojnë se Kur’ani është vepër e njeriut:
Thuaj: “Edhe sikur të bashkoheshin njerëzit dhe xhinët për të sjellë një Kur’an të tillë, ata nuk do të mund të bënin si ky sado që do ta ndihmonin njëri – tjetrin”. (Isra 88)
“E në qoftë se jeni në dyshim në atë që Ne ia shpallëm gradualisht robit tonë, atëherë sillnie ju një kaptinë të ngjashme si ai (Kur’ani) dhe thirrni (për ndihmë) dëshmitarët tuaj (zotërat) pos All-llahut, nëse jeni të sinqert (në thëniet tuaja se Kur’ani nuk është prej Zotit)”. (Bekare 23)
“Përkundër kësaj, ata (idhujtarët) thonë se atë e trilloi ai (Muhammedi). Ti thuaj: “Sillne pra ju një kaptinë të ngjajshme me këtë, madje thirrni kë të doni në ndihmë, pos All-llahut, po qe se jeni të drejtë në atë që thoni”. (Junus 38) Apo, pse ata thonë: “Ai (Muhammedi) e trilloi atë (Kur’anin)”. Thuaj: “Formuloni pra, dhjetë kaptina si ai (Kur’ani) ashtu të trilluara (siç thoni ju) dhe thirrni, pos All-llahit, po qe se jeni të drejtë (çka thoni), kë të mundeni për ndihmë!” (Hud 13)

Ndryshimi mes mënyrës së shprehjes së Kur’anit dhe mënyrës së shprehjes së Pejgamberit Muhamed a.s. dallohet mjaft lehtë. Ndërmjet stilit shprehës gjuhësor-letrar të Kur’anit dhe stilit të hadithëve-porosive të Pejgamberit a.s., ka një ndryshim aq të madhë, sa që arabët i gjenin të përshtatshme shpjegimet jashtkur’anore të Pejgamberit a.s. ndaj formave të tyre të bisedës dhe dialogut, kurse përballë Kur’anit se merrnin dot veten nga habia dhe mahnitja. Duke lexuar porositë e Pejgamberit, përvijohet pas tyre imazhi i një njeriu që mendon e bisedon i përvuajtur e i përulur me frikën ndaj Allahut xh.sh. Kurse në zërin e Kur’anit ndihet një guxim i lartë, një vizion tronditës e një tingëllim madhështorë. Ndërkaq, është as e mundur dhe as e pranueshme logjikisht që në shprehjen e një njeriu të sendërtohen aty për aty dy stile aq të ndryshëm nga njëri-tjetri. (5) Këtu tregohet se Muhamedi a.s. është një njeri si të tjerët me dallimin e vetëm, se atij i shpallet relevatë nga Zoti xh.sh., gjë të cilën e pohon vetë Kur’ani:
Thuaj: “Unë jam vetëm njeri, sikurse ju, mua më shpallet se vetëm një Zot është Zoti juaj, e kush është që e shpreson takimin e Zotit të vet, le të bëjë vepër të mirë, e në adhurimin ndaj Zotit të tij të mos përziejë askë. (Kehf 110)

Sikur autorë i Kur’anit të ishte Muhamedi a.s. përse nuk e dëgjuan asnjëher ta pranonte apo ta theksonte vet, një gjë të tillë?
Fakte të tjera që hedhin poshtë tezën që Muhamedi a.s. është autorë i Kur’anit është se vetë Muhamedi a.s. korigjohet në veprimet e tija nga Kur’ani. Për këtë do të mjaftonte të përmendej rasti kur Hamza r.a. axha i Pejgamberit a.s. u vra në betejën e Uhudit. Me nxitjen e Hindit, gruas së Ebu Sufjanit trupi i tij u masakrua keq. Kur Pejgamberi a.s erdhi dhe pa çfarë kishte ngjarë ai tha: “Kurr nuk kam ndjerë në shpirt zemërim si ky që po provoj në këto çaste, kur Allahu të më ndihmojë herën tjetër që të fitoj mbi Kurejshët. Betohem se do të masakroj, dërmoj tridhjetë nga të vdekurit e tyre”. Por menjëher pas kësaj atij i erdhi ajeti Hyjnor ku ja tërhjek vërejtjen:
“Në qoftë se doni të merrni hak, atëherë ndëshkoni në atë masë sa jeni ndëshkuar ju; e nëse duroni pa dyshim ai është më i mirë për ata që durojnë”. (Nahl 126)
Dhe është e vërtet se ai nuk e përmbushi kërcënimin e tij, në të kundërtën ai e ndaloi përgjithmon masakrimin e kufomave pas betejës. (6)

Në mënyrë të ngjajshme kur Pejgamberi a.s. u plagosë në luftën e Uhudit, ai i mallkoi armiqt duke thënë: “Si mund të begatojë ai popull që plagosë të Dërguarin e Allahut!”. Si përgjigje ndaj këtij mallkimi zbritën ajetet, për tja tërhjekur vëmendjen Pejgamberit a.s. (shih: Ali Imran 128-129) (7)

Poashtu shembulli tjetër, kur erdhën disa mushrik të Mekës dhe ia bën disa pyetje rreth ndodhive të padëgjuara në Hixhaz, dhe u zgjodhën për të provuar nëse Pejgamberi a.s. zotronte ndonjë burim diturie mbi gjërat e fshehta dhe të papara. Përgjigja e Pejgamberit a.s. ishte “Nesër do tua them” por ai nuk tha “Po të dojë Allahu”, kur u kthyen ditën tjetër atij iu desh ti largojë dhe kjo gjë vazhdoi 15 ditë më radhë. Atij nuk i ardh asnjë lajm nga Allahu xh.sh., dhe mandej i erdh ajeti që ja tërhjek vërejtjen në form qortimi, nëpërmjet Xhebrailit ku thotë:
“Dhe mos thuaj kurrsesi për ndonjë çështje: “Unë do të bëj këtë nesër!” Vetëm (nëse i shton): “Në dashtë All-llahu!” E kur të harrosh, përmende Zotin tënd dhe thuaj: “Shpresohet se Zoti im do të më japë udhëzim edhe më të afërt prej këtij (të as-habi kehfit)”. (Kehf 23-24) (8)

Martin Lings, te vepra e cituar, fq. 77, duke trajtuar domethënien e kësaj pritjeje pak a shumë të gjatë shprehet: “Vonesa e përgjigjes Hyjnore, ndonëse e dhimbshme për Pejgamberin dhe pasuesit e tij, ishte më të vërtet një forcë më e madhe për të. Armiqt e mohuan domethënien e kësaj vonese, por për ata kurejsh që ishin akoma të pavendosur ky fakt ishte një pohim i qartë i asaj se Fjala e Shenjtë i vinte Muhamedit nga Qielli dhe ai as nuk kishte gisht e as nuk mund ta kontrollonte atë. Është e kuptueshme poqëse Muhamedi do të kishte trilluar të gjitha ato çfar kishte thënë më parë, nuk do të ishte vonuar kaq gjatë për këtë trillim të ri, veçanërisht në një çast të tillë ku rreziku qe mjaft i madh”. (9)

Në Kur’an, më se 50 vende, Pejgamberit i thuhet “Të pyesin ty për…” dhe i jepen përgjigje që fillojn me urdhërin “Thuaj”. Është krejt e qartë se është Allahu xh.sh. që u jep përgjigje pyetjeve, për çështje të tilla si haramet dhe hallallet e ndryshme, rreth ndodhive të padëgjuara të kaluara, Dhulkarnejni, forma e dhurimit, shpirtit etj.etj., që një njeri e ka krejt të pamundur tu japë përgjigje të specializuara veç e veç, kurr nuk mund të jetë brenda mundësive të një njeriu. Ndërkaq, ndodhte edhe që në rastin e pyetjeve të tilla, Pejgamberi heshte sepse priste ajetin që do ti zbriste si përgjigje. Ndodhte që kalonin ditë të tëra e atij nuk i vinte lajmëtari i qiellit, saqë disa filluan të talleshin me të duke i thënë: “Të la Zoti ty… Hoqi dorë prej teje, etj., derisa zbriti ajeti: “Zoti yt nuk të ka lënë, as nuk të ka përbuzur”. (Duha 3) (10)

Cili autorë e kërcënon vehten në veprën e vet qoftë edhe në emër të dikujt tjetër ose me gojën e dikujt tjetër? Për më tepër, ndërsa pretendon se flet në emër të Allahut xh.sh., a mund të bëjë ndonjë deklaratë që do t’i sillte dëm pretendimit të vet? Gjithashtu, a fut në librin e vet shprehje akuzuese ndaj vetes? Kurse në Kur’an thuhet:
“Sikur të trillonte ai (Muhammedi) për Ne ndonjë fjalë! Ne do ta kapim atë me fuqinë Tonë. E pastaj do t’ia këputnim atij arterien e zemrës”. (Hakka 44-46)
Në Kur’an Muhamedit a.s. i tërhiqet vërejtja për mospjesmarrësit e fushatës së Tebukut: “Pse u dhe leje atyre?”. (11) Në Kur’an tregohet për martesën me Zejnepen, gruan e Zejdit, gjë që vet Pejgamberi a.s. nuk kishte dëshirë që të martohej me të, por urdhëri qe i tillë që të martohej me të, që ti tregonte se Zejdi nuk është djali i Muhamedit a.s.. Pejgamberi i thoshte “bir” libertit të vet Zejdit, por Allahu xh.sh., me anë të një ajeti, e hoqi birësimin:
“All-llahu nuk krijoi dy zemra në gjoksin e asnjë njeriu e as nuk ua bëri gratë tuaja, prej të cilave largoheni me dhihar nëna tuaja, (duke krahasuar shpinën e gruas me atë të nënës), e as nuk ua bëri djem tuaj të adoptuarit tuaj (fëmijët e tjetërkujt që po i adoptoni si të juaj). Këto janë vetëm thënie tuaja që i shqiptoni me gojët tuaja, e All-llahu e thotë atë që është realitet, dhe Ai udhëzon në rrugën e drejtë”. (Ahzab 4)

Poashtu Pejgamberi a.s. do të qendronte për t’ia falur namazin e të vdekurit kreut
të hipokritëve, Ibn Thelulit, meqë e njihte për musliman, por e la sepse e paralajmëroi Allahu, ku i thotë:
“Dhe asnjërit prej tyre kur të vdesin, mos ia fal namazin (e xhenazës) kurrë, e as mos qëndro pranë varrit të tij (për lutje e vizitë), pse ata mohuan All-llahun dhe të dërguarin e Tij dhe vdiqën kryeneçë”. (Tevbe 84) (12)

Të gjitha këto urdhëra apo ndalime të ngjajshme tregojnë se ai kurrë nuk vreponte me kokë të vet, se ai ishte një përfaqësues që vetëm zbatonte urdhërat e Allahut xh.sh.. Edhe sjelljet nuk i ndryshonte sipas vetes, por pas paralajmërimit ose tërheqjes së vëmendjes së Allahut, ku thotë Allahu xh.sh. në Kur’an për Muhamedin a.s.:
“Dhe ai nuk flet nga dëshira. Ajo nuk është tjetër pos shpalljes që i shpallet”. (Nexhm 3-4)

Dallimi më i madh midis Kur’anit dhe cilit do libër tjetër të shenjtë të ndonjë besimi specifik qëndron në atë se Kur’ani vazhdimisht e pohon origjinën e tij hyjnore nga Zoti i botës. Në Kur’an ekzistojnë një mori shembujsh të tillë:
“Është e vërtetë se All-llahu u dha dhuratë të madhe besimtarëve, kur ndër ta nga mesi i tyre dërgoi të dërguar që atyre t’u lexojë shpalljen e Tij, t’i pastrojë ata, t’ua mësojë Kur’anin dhe sheriatin, edhepse, më parë ata ishin krejtësisht të humbur”. (Ali Imran 164)
“A nuk e përfillin ata (me vëmendje) Kur’anin? Sikur të ishte prej dikut tjetër, përvreç prej All-llahut, do të gjenin në te shumë kundërthënie”. (Nisa 82)
“O ju njerëz! Juve ju erdhi nga zoti juaj këshilla (Kur’ani) dhe shërimi i asaj që gjendet në krahrorët tuaj (në zemra), edhe udhëzim e mëshirë për besimtarët”. (Junus 57)
“Ne nuk të shpallëm ty për tjetër Kur’anin, vetëm që t’u sqarosh atyre atë për çka u përçanë, (ta zbritëm) që të jetë udhëzim e mëshirë për njerëzit që besojnë”. (Nahl 64)

Ajete të tilla janë me shumicë. Pothuajse çdo sure e Kur’anit e përmban pohimin për vulën e autorësisë së Allahut xh.sh. Dhe Ai jo vetëm që e shpalli Kur’anin por edhe duke qenë se ai duhej të mbetej si mesazh njerëzimit deri në fundin e kohës, ai duhej të ruhej ashtu siç ishte shpallur prandaj edhe premtimi i Tij është i mrekullueshëm:
“Ne me madhërinë Tonë e shpallëm Kur’anin dhe Ne gjithsesi jemi mbrojtës të tij” (Hixhr 9) (13)
Cdo fjalë e Kur’anit dhe jetës së Muhamedit a.s. e dëshmon prejardhjen e Tij Hyjnore. Karakteri i sinqertë i Muhamedit a.s. nuk lë asnjë fije dyshimi për sinqeritetin e tij në të pohuarit se Kur’ani është fjalë e Allahut xh.sh.. Ai veçse kishte qenë i njohur si “i besueshmi- i sinqerti” edhe para se të thirrej si Pejgamber. Edhe armiqtë e tij më të mëdhenj e pranonin çiltërsinë e personalitetit të tij. Aq shumë e kishte fituar Muhamedi a.s. besimin e arabëve politeistë, saqë edhe armiku i pamëshirshëm i tij, Ebu Xhehli, i pati thënë një ditë: “O Muhamed, unë nuk po të them se je gënjeshtarë, por këtë fe që ke sjellë, s’e dua…”. (14)

Megjithëse edhe armiqt më të tërbuar me ndërgjegje e pranonin se Muhamedi ishte profet i vërtet, e patën kundërshtuar vetëm e vetëm për egoizëm! Kur’ani thotë kështu:
“Ne dimë se ty të brengos ajo që thonë, e ata nuk të gënjejnë ty, por ata mizorë mohojnë argumentet e All-llahut”. (En Am 33)
Megjithqë nuk ka nevojë për asnjë dëshmi më tepër se sa fjala e vetë Allahut xh.sh. që e konfirmon origjinën hyjnore të Kur’anit, sikur edhe karakteri i dëlirë i Pejgamberit Muhamed a.s. i cili na përcolli atë. Ne do ti përmendim edhe disa fakte të tjera të cilat e bëjnë të besueshëm Kur’anin si të ardhur nga Zoti.
Edhe përsa u përket njoftimeve të dhëna kushtuar të shkuarës e të së ardhmes, Kur’ani është i shkylqyer dhe kategorikisht s’mund të jetë shprehje njerëzore. Sot, me anë të zbulimeve të reja, janë nxjerrë sheshit mënyra e të jetuarit të pupujve të kaluar, fundi i tyre i mirë apo i keq ashtu siç i pat njoftuar fjalë për fjalë shekuj më parë Kur’ani i Madhërueshëm. P.sh. te Pejgamberë të tillë si: Nuhi, Salihu, Luti, Ibrahimi, Musai, Isai (Paqa e Zotit qoftë mbi ta), etj., popujt e tyre, dhe vendbanimet e tyre- secili më vete nga një dëshmi e shpalosur për tu marrë shembull! (15) Kur’ani na tregon ku thotë:
A nuk udhëtuan ata nëpër tokë e të shohin se si qe përfundimi i atyre që ishin para tyre!?? Ata ishin edhe më të fortë se këta, ata e lëruan tokën dhe e rindërtuan atë më shumë se sa këta, e rindërtuan, atyre u patën ardhur të dërguarit e vet me fakte të qarta. Pra, Allahu nuk ishte që t’ju bëjë të padrejtë atyre, por ata vetvetes i bënë të padrejtë”. (Rrum 9)
“A nuk e kanë të qartë ata se sa breza para tyre i kemi zhdukur, e këta ecin nëpër ato vendbanime të tyre. Në gjurmët e atyre ka fakte për ata që kanë arsye të shëndoshë”. (TaHa 128)
“Secilin prej tyre e kemi dënuar për shkak të mëkatit të vet; disa prej tyre Ne i goditëm me furtunë plot rërë, disa i shkatërruam me krismë nga qielli, kurse disa të tjerë i sharrum në tokë dhe disa përmbytëm në ujë. All-llahu nuk u bëri atyre ndonjë padrejt, por ata vetës së tyre i bënë padrejtë”. (Ankebut 40)

Kur’ani kur flet për popujt edhe Pejgamberët e tjerë, Allahu xh.sh. ja bënë me dije Muhamedit a.s. për ti treguar masës dhe njerëzve në përgjithësi se ti as që ke marr pjesë në ato ngjarje, as që ka ditur gjë mbi ta gjer atëher:
“Këto janë nga lajmet e fshehta (të hershme) që po t’i shpallim ty. Ti nuk ishe ndër ta kur i hidhnin shortet se kush prej tyre do të bëhej kujdestar i Mejremes, nuk ishe pranë tyre as kur ata ziheshin mes vete”. (Ali Imran 44)
“E ti nuk ishe në anën perëndimore (të vendit ku All-llahu i foli Musait) kur Ne Musait ia besuam shpalljën (e bëmë pejgamber dhe dërguam te faraoni), e ti as nuk ishe aty pran”. (Kasas 44)
“Këto janë disa rrëfimet e panjohura (për ty), që po t’i shpallim ty, e që para këtij (Kur’anit) nuk i ke ditur as ti as populli yt. Pra të jeshh i durueshëm se përfundimi (i lavdishëm) është për të devotshmit”. (Hud 49)
Një njeri që ska ditur të shkruaj as të lexoj, (Kur’an: Ankebut 48) që ska prekur libër me dorë, që natyrisht, ska marrë pjesë në ngjarjet e së shkuarës, që ska dëgjuar dhe mësuar gjë nga të tjerët, nëse një njeri i tillë, pra jep të dhëna shumë të prera, që shkenca dhe teknologjia i ka zbuluar kohëve të fundit, a nuk tregon kjo se ai person është i dërguari dhe përfaqësuesi i Allahut xh.sh., njohësit të së fshehtës?

Aq sa janë kategorike dhe të drejta njoftimet e Kur’anit kushtuar të shkuarës, dhe informacioni për të ardhmen është po në atë nivel i rëndësishem dhe një mrekulli në vete. Një fakt tjetër që e argumenton origjinën Hyjnore të Kur,anit e dëshmojnë dhe profecitë e bëra atij të cilat saktësisht u përmbushën. Në Kur’an në surën El-Feth ajeti 27, besimtarët përgëzohen se do të hyjnë në Meke, vite më parë se të ndodhte në fakt, qe lajmëruar në Kur’an. Meka atëher ishte nën sundimin e paganëve, dhe disa kohë më vonë ndodhi pikërisht ashtu siç ishte profetizuar:
“All-llahu ëndrrën e të dërguarit të Vet e vërtetoi me realitet: se me vullnetin e All-llahut do të hyni në xhaminë e shenjtë (në Qabe) të siguruar, të rruani flokët e kokave tuaja, t’i shkurtoni e nuk do të keni frikë! Pra Ai ka ditur atë që ju nk e dinit, para kësaj ju dha një fitore të shpejtë (Hajberin)”. (Feth 27) (16)

Poashtu profecia tjetër e cila gjithashtu u përmbush është ajo rreth fitorës së Bizantit e bërë në kohën kur jo vetëm që nuk kishte as edhe një shenjë të vockël se do të ndodhte ashtu siç po profetizohej por në atë kohë në fakt Bizanti sapo kishte pësuar humbje të thellë. Kështu rreth vitit 620 pas Isait a.s. u shpallën këto ajete Kur’anore:
“Bizantinët (rumët) u mundën, në tokën më afër (tokës arabe), po pas disfatës së tyre, ata do të ngadhënjejnë, brenda pak viteve. Çështja është vendim i All-llahut, fillim e mbarim (për disfatë dhe për fitore). E atë ditë (kur do të fitojnë bizantinët) besimtarët do të gëzohen, për ndihmën e All-llahut. Ai ndihmon atë që do dhe Ai është i gjithëfuqishëm, mëshirues. Premtimi i All-llahut është (ky), All-llahu nuk e thyen premtimin e Vet, por shumica e njerëzve nuk po dinë”. (Rrum 2-6).
Gjithçka tregonte për një shkatrrim të përjetshëm të Bizantit dhe të përmendësh një fitore për të ishte diçka shumë e palogjikshme në atë kohë, por Zoti i cili është njohës i të tashmës dhe të ardhmes e di më së miri. Ndodhi që rreth shtat vite pas thënies së kësaj profecie Perandoria Bizantine njëmend fitoi pas një beteje të përgjakshme me Persët. Fjala e Allahut edhe një herë u bë realitet. (17)

Argumenti tjetër që e argumenton Kur’anin si fjalë të Allahut, është se ka fundi I Kur’anit sureja 111, El-Mesed, ekziston një sure e cila i kushtohet xhaxhait të Pejgamberit Muhamed, Ebu Lehebi dhe gruas së tij. Aty në mënyrë kategorike është thënë se Ebu Lehebi do të digjej në zjarrin e ferrit, pra nuk do të pranonte Islamin. Kjo ishte thënë rreth 10 vite para vdekjes se Ebu Lehebit dhe ai shumë lehtë mund të pranonte Islamin për sy e faqe vetëm për ta diskredituar Pejgamberin Muhamed, por kjo kurrë nuk u bë sepse ato fjalë nga sureja 111 ishin thënë nga Krijuesi i Botërave, i cili di çdo gjë dhe ato nuk mund të zbeheshin në asnjë mënyrë. (18)

Allahu xh.sh. në Kur’an thotë:
“A nuk e i ti se ç’bëri Zoti yt me Ad-in? Me banorët e Iremit me ndërtesa të larta?”. (Fexhr 6-7)
Në këtë ajet përmendet një popull dhe një qytet tërësisht i panjohur për historinë e deri disa dekadave më parë. Deri në vitet e shtatëdhjeta të shekullit XX. Ky qytet ishte inekzistent për historinë. Mirëpo në atë kohë gjatë gërmimeve në Siri u zbulua një qytet i quajtur Elba. Qyteti besohet të jetë nja 43 shekuj i vjetër dhe gjëja më e mrekullueshme është se në disa pllakat e gjetura në mbeturinat e këtij qyteti përmenden emrat e qyteteve më të cilat Elba kishte pasur kontakte tregtie. Dhe Iremi është një ndër qytetet. Prandaj ëshë mrekulli se si në shekullin VII kur po shpallej Kur’ani dhe kur nuk dihej asgjë rreth qytetit të vdekur, përmendet me emër Iremi. (19)

Përveç këtyre, Kur’ani ka mjaft veçori të tjera të mrekullueshme, të cilat vërtetojnë se ai është më të vërtet libër hyjnorë. Një prej këtyre veçorive është fakti se një numer i konsiderueshëm i fakteve shkencore, të cilat njeiru mundi ti zbulonte vetëm me ndihmën e teknologjisë së shekullit XX, janë shpallur në Kur’an 1400 vjetë më parë. Sigurisht që nuk mund të pretendojmë që Kur’ani është një libër shkencor, por është një udhëzim i njerëzve drejt së vërtetës. Megjithatë, në Kur’an gjejmë shumë fakte shkencore, të cilat janë zbuluar në mënyrë të plotë vetëm në saje të fjalës së fundit të teknologjisë bashkohore. Këto fakte shkencore as që mund të përceptoheshin apo imagjinoheshin në kohën e shpalljes së tij, gjë që vërteton akoma më tepër prejardhjen e tij hyjnore. (20) Allahu thotë:
“Ne do t’u bëjmë atyre të mundshme që të shohin argumentet Tona në horizonte dhe në veten e tyre deri që t’u bëhet e qartë se ai (Kur’ani) është i vërtetë. A nuk mjafton që Zoti yt është dëshmitar për çdo gjë?” (Fussilet 53)

Një autorë jep më shumë vepra në fushën e vet. Veçanërisht sot kur specialitetet janë shtuar dhe ngushtuar tejet, secili është njeriu i fushën së vet tejet të ngushtë. Kurse Kur’ani parashtron parime në sociologji, ekonomi, drejtësi juridike, psikologji, politikë, ushtri, mjekësi, fizikë, biologji, shkurt në çdo fushë, flet për të vërtetat themelore të asaj fushe dhe diskuton për të shkuarën e për të ardhmen. Cila mendje e pranon se një libër të tillë e ka shkruar një person pa shkrim dhe lexim e pa asnjëren prej mundësive të sotme teknike e shkencore? Askush me mend në kokë nuk mund të përdorë në emër të Allahut shprehjet që kanë të bëjnë me krijimin, me dhënien e jetës dhe të vdekjes, akte, këto, që i përkasin Pozitës Hyjnore, nuk mund të flasë kurr mbi krijimin e qiejve, tokës, yjeve, maleve, pemëve, kafshëve dhe njerëzve, si dhe mbi jetën e cila ende qëndron si një enigmë më vete para shkencëtarëve. Edhe nëse flet, nuk mund të mbledhë asnjë përkrahës dhe fjalët kurr nuk mund t’i kenë jetë të gjatë. Një autor cilido në veprën e vet, përgjithësisht mbetet në ndikimin e kushteve dhe të mjedisit ku jeton si dhe të ngjarjeve të jetuara pa mundur të dalë jashtë një kuadri kohor të ngushtë. Kurse kur shohim nga Kur’ani, vëmë re se ai përdorë shprehje kategorike mbi fillimin dhe fundin e gjithësisë, mbi krijimin e njeriut dhe jetën e tij të ardhshme dhe, duam apo s’duam, mbetemi të detyruar të themi se “kjo s’mund të jetë fjalë njeriu”! (21)

Kur’ani është libri me i lexuar në botë.Vargjet e tij janë recituar me dashuri e respekt dhe janë memorizuar e zbatuar në praktikë nga besimtarët myslimanë në mbarë botën qe prej shekullit të shtatë kur Kur’ani iu shpall Muhamedit a.s. prej Zotit si shpallja e fundit hyjnore dhe dëshmi deri në Ditën e gjykimit. Besimtarët frymëzohen,gjejnë ngushëllim dhe shpesh impresionohen nga stili letrar,harmonia dhe imagjinata poetike e Kur’anit,sidomos kur e lexojnë atë me zë.Përveç kësaj,Kur’ani është unik mes shpalljeve të tjera për vërtetësinë dhe saktësinë e përmbajtjes së tij. Në të nuk gjendet asnjë informacion shkencor i cili nuk është vërtetuar nga shkencëtarët si i saktë. E njëjta gjë është provuar edhe me kontekstin historik të tij.Megjithatë, ajo ç’farë e bën Kur’anin të qëndrojë bindshem në krye të shpalljeve hyjnore është fakti që fjalët e tij janë ruajtur të pa ndryshuara dhe jane përcjell me mbarë botën Islame në gjuhën origjinale të zbritjës(ne Arabisht). Kur’ani mbetet i vetmi libër i cili mund të memorizohet i gjithi prej njerzëve të të gjitha moshave dhe niveleve intelektuale (prej arabëve dhe jo arabëve). Ky fakt e bën atë të quhet me të vërtetë një nga mrekullitë që shoqëruan Muhamedin a.s. në profecinë e tij. Ky libër i mahnitshëm me përsosmërinë e tij të lartë gjuhësore letrare si dhe me precizitetin shkencor arrin të depërtojë thellë në zemrat e tyre që e lexojnë dhe të memorizohet prej tyre pavarësisht nga niveli intelektual apo gjuha të cilën ata flasin.

A është shkruar gjerë më sot, vallë, një libër i cili t’i përshtatet njeriut të çdo shtrese, moshe e niveli, qoftë ai me shkollë, universitarë, mendimtarë, njeri i thjeshtë, fizikant, kimist apo çoban, dhe nga i cili të kuptojë e përfitojë kushdo? Kur’ani është libri i vetëm që shfaqet në çdo vend, që shpërndan dritë si dielli të cilin e lexojnë duke përfituar prej tij dhe te i cili gjejnë parime e zgjidhje për rrugën dhe profesionin, shërim për hallet dhe shkëlqim për idetë e tyre poeti, oratori, sociologu, ekonomisti, juristi, administratori, politikani, edukatori, nxënësi, lutësi etj. etj. (22)

Ndoshta nuk ka libër tjetër veç Kur’anit që mund të lexohet disa herë pa u mërzitur, kurse Kur’ani lexohet me herë të tëra, plotësohet vazhdimisht, këndohet në namaze dhe me pretekse të ndryshme pa shkaktuar kurr ngopje, lodhje dhe mërzitje. Sa e sa vepra të zgjedhura, shkrime ideore dhe poezi e humbin origjinalitetin dhe vlerën, sa e sa vepra aktuale durojnë a s’durojnë vetëm disa vite, madje disa muaj. Ato e humbin edhe vlefshmërinë, edhe vlerën aktuale dhe hidhen e grisen si një gazetë. Kurse Kur’ani jo vetëm që nuk zbehet e vjetrohet as si fjalë, as si lexim, as si përmbajtje e kuptim, as si origjinalitet e aktualitet dhe as si drejtësi e vleshmëri, por çdo ditë që kalon, shpirtërave, ndërgjegjeve, mendjeve dhe zemrave u fryn frymëzime të reja, u ofron ide dhe njohuri të një niveli më të përparuar dhe e ruan rininë e freskinë duke u bërë çdo ditë më i ri e më i freskët. (23)

Këto ishin disa nga argumentet që Kur’ani është fjala e Allahut xh.sh., shpallje dërguar të dërguarit të Tij, e jo vepër e Muhamedit a.s. Ndërsa atyre që akoma vazhdojnë të besojnë se Kur’ani është vepër e dikujt tjetër pos Allahut, u këshilloj të lexojnë ajetin Kur’anorë:
“A nuk e përfillin ata (me vëmendje) Kur’anin? Sikur të ishte prej dikut tjetër, përvrç prej All-llahut, do të gjenin në te shumë kundërthënie”. (Nisa 82)
E nëse akoma vazhdojnë të jetojnë në botën e ankthit dhe të dyshimit: Zoti i udhëzoftë!
Këtë artikull po e përfundoj me fjalën e Allahut xh.sh. në Kur’anin e Madhërishëm:
“E edhe ai (kur’ani) është shpallje (zbritje) e Zotit të botëve”. (Shuara 192)
“E ju gjithsesi do ta kuptoni pas pak kohe vërtetësinë e tij”. (Sad 88)

Literature e shfrytzuar:
1. Kur’ani – Përkthim me komentim i Sherif Ahmetit.
2. Përpjekje të dështuara, Muhamed Sytari, Shkodër 2003
3. Frymera meshire nga Muhamedi, Osman Nuri Topbash, Stamboll 2004
4. Islami dhe Krishterimi, Halil Ibrahimi, botim i parë 2004
5. Burimet e Kur’anit, Hamza Mustafa Nijazi, Mitrovicë 1996
6. Nen hijen e Besimit- 2, M. Fethullah Gylen, Tiranë 2004
7. Lëkundjet që solli shekulli, M. Fethullah Gylen, Tiranë 1998
8. Mrekullia e Kur’anit, Muhamed Muteveli Esh-Sharavi, Prishtinë 1996
9. Popujt e zhdukur, Harun Jahja, Stamboll 2002
10. Mrekullitë e Kur’anit, Harun Jahja, Stamboll 2002
11. MUHAMMAD, his life based on the earliest sources, Martin Lings, Australia 1983

Fusnotat:
1. Citimet e Kur’anit janë të marrura nga Kur’ani – Përkthim me komentim i Sherif Ahmetit
2. Burimet e Kur’anit, Hamza Mustafa Nijazi, fq. 1
3. Lëkundjet që solli shekulli, M. Fethullah Gylen, fq. 93
4. Nen hijen e Besimit- 2, M. Fethullah Gylen, fq. 129-130
5. Lëkundjet që solli shekulli, M. Fethullah Gylen, fq. 93
6. MUHAMMAD, his life based on the earliest sources, Martin Lings, fq. 191
7. Burimet e Kur’anit, Hamza Mustafa Nijazi, fq. 32
8. MUHAMMAD, his life based on the earliest sources, Martin Lings, fq. 77
9. Po aty, fq. 77
10. Nen hijen e Besimit- 2, M. Fethullah Gylen, fq. 146 dhe Përpjekje të dështuara, Muhamed Sytari, fq. 40
11. Nen hijen e Besimit- 2, M. Fethullah Gylen, fq. 140
12. Po aty, fq. 147
13. Islami dhe Krishterimi, Halil Ibrahimi, fq. 48-49
14. Frymera meshire nga Muhamedi, Osman Nuri Topbash, fq. 54
15. Lëkundjet që solli shekulli, M. Fethullah Gylen, fq. 94, shih tek libri Popujt e zhdukur, Harun Jahja, mbi popujt e mëparshëm dhe përfundimi i tyre.
16. Islami dhe Krishterimi, Halil Ibrahimi, fq. 51 dhe Lëkundjet që solli shekulli, M. Fethullah Gylen, fq. 94
17. Po aty, fq. 51-52 dhe Po aty, fq. 94
18. Islami dhe Krishterimi, Halil Ibrahimi, fq. 52
19. Islami dhe Krishterimi, Halil Ibrahimi, fq. 50-51, më gjërësisht shiko tek Burimet e Kur’anit, Hamza Mustafa Nijazi, fq. 46
20. Për më tepër rreth këtyre zbulimeve shkencore lexo librat Mrekullitë e Kur’anit, Harun Jahja, dhe Mrekullia e Kur’anit, Muhamed Muteveli Esh-Sharavi.
21. Nen hijen e Besimit- 2, M. Fethullah Gylen, fq. 137,139
22. Po aty, fq. 133
23. Po aty, fq. 133, 134

Artikulli paraprakKurani i Madhëruar dhe Doktrina e Trinisë
Artikulli vijuesKUSHTET E ISLAMIT NË KURAN DHE BIBËL