Partia e Bashkimit Demokratik të Kurdëve dhe disa grupe aleate kanë votuar për të krijuar federatë autonome në pjesën veriore të Sirisë.
Zyrtarët e kësaj partie kanë kërkuar autonomi në regjionet e kontrolluara nga kurdët të enjten, pas dy ditësh takime me delegatë të komuniteteve të ndryshme në veri të vendit .
Përfaqësuesit e komuniteteve arabe, kurde e siriane, dhe grupe të tjera etnike janë takuar në qytetin Remelian në provincën Hassakeh për të diskutuar kombinimin e tre zonave të udhëhequra nga kurdët në një sistem federal.
Qeveria siriane dhe blloku kryesor opozitar e kanë kundërshtuar këtë veprim, raporton Al Jazeera, përcjellë Klan Kosova.
“Paralajmërim për çdokënd që merr guximin të ndërhyjë në unitetin e tokave të popullit të Sirisë, nën çfarëdo titulli! Krijimi i unionit ose sistemit federal bie ndesh me kushtetutën e Sirisë, të gjitha konceptet nacionale si dhe rezolutat ndërkombëtare” , thuhet në një deklaratë të ministrisë së Punëve të Jashtme e Sirisë raporton AL Jazeera, transmeton Klan Kosova.
Regjioni i deklaruar sistem federal, i emëruar nga kurdët si Rojava, përbëhet nga tre enklava ose kantone të ndryshme, nën kontrollin e kurdëve në Sirinë veriore; Jazira, Kobani dhe Afrin.