Kurrë më parë Perëndimi nuk e ka dashur kaq shumë humbjen e një udhëheqësi të një vendi mik. Nuk ndodhi

The Independent – Nëse ka patur ndonjëherë një udhëheqës të një vendi mik që SHBA dhe aleatët e saj perëndimorë donin që të humbiste zgjidhjet, ky ka qenë Beniamin Netanjahu. Nuk ndodhi.

Në vend të kësaj, ai është personi që do të udhëheqë qeverinë e ardhshme të Izraelit, dhe fitorja e tij do ta bëjë më të vështirë se kurrë zgjidhjen e disa prej problemeve më të mëdhenj të Lindjes së Mesme.

 
Një arsye është se shumë kohë përpara fitores së tij të papritur të martën, marrëdhëniet e tij personale me shumë prej homologëve të huaj ishin tashmë të këqia – sidomos me presidentin Obama, udhëheqësi i fuqisë mbrojtëse të Izraelit, të cilin Netanjahu e snoboi kur mbajti fjalimin para Kongresit të SHBA muajin që kaloi, duke dënuar paraprakisht cdo marrëdhënie që Obama mund të arrinte me Teheranin në lidhje me programin bërthamor iranian.
 
Një tjetër arsye është seria e zotimeve që kryeministri bëri në fazën përmbyllëse të fushatës, teksa u përpoq të joshë partitë fetare dhe ultra nacionaliste që do i nevojiten për të formuar qeverinë e re.
 
Betimi i tij se nuk do të ketë shtet palestinez sa kohë që të jetë në krye të vendit, si dhe mbështetja për më shumë vendbanime në Bregun Perëndimor sigurisht që e bën të kotë cdo përpjekje për të ringjallur negociatat për një zgjidhje me palestinezët – një ndryshim jo shumë i madh, duke patur parasysh se që nga kolapsi i përpjekjeve të vitit 2014 nga Sekretari i Shtetit, John Kerry, i ashtuquajturi “proces i paqes” ka qenë gjithësesi pothuajse i shuar.
 
Gjuha e pakompromis e Netanjahut do të shkaktojë mërzi tek aleatët e SHBA dhe ata europianë. Dje, shefja e politikës së jashtme e BE, Federica Mogherini tha se BE donte të punonte me cdo qeveri izraelite, për të rinisur përpjekjet për një marrëveshje paqeje.
 
Realiteti është se më shumë shtete europianë, të irrituar nga zgjerimi i vendbanimeve, do të jenë të tunduar të mbështesin përpjekjen njëpalëshe të palestinezëve për shtetësi – në OKB dhe gjetkë. Sigurisht, Netanjahu mund ta ndryshojë pozicionin e tij. Ai ka qenë gjithmonë një pragmatist me një nuhatje të mirë për drejtimin nga fryn era: zotimet e tij, deklaroi një komentator izraelit, “janë si dicka e shkruajtur mbi akull në një ditë shumë të nxehtë”. Po cfarë cmimi do të ketë kjo për besueshmërinë e Kryeministrit?
 
Në SHBA, pasojat e fitores së tij mund të jenë edhe më serioze. Fjalimi i Netanjahut para Kongresit la të kuptohej se Obama ishte një i paaftë naiv në marrëdhënien me Iranin. Kjo e reshtoi me republikanët që kontrollojnë Kongresin dhe Senatin. Për demokratët, e sidomos për demokratët hebrenj, ky rast i detyroi që të zgjidhnin mes mbështetjes tradicionale për Izraelin dhe një presidenti nga partia e tyre.
 
Fitorja e Kryeministrit erdhi teksa negociatorët amerikanë dhe iranianë po përpiqen që të arrijnë një marrëveshje kuadër që do të ngadalësonte progresin e Teheranit drejt një kapaciteti armësh bërthamore, përpara skadimit të afatit javën që vjen. Në ditët që vijnë, padyshim që do të ketë sinjale nga Jeruzalemi, se Netanjahu dëshiron që të përmirësojë marrëdhëniet me Uashingtonin. Pavarësisht tensioneve aktualë, marrëdhënia Izrael-SHBA ka rrënjë të thella dhe ajo do të mbijetojë. Cdo gjë kalon, edhe Netanjahu.
 
Megjithatë, është fakt se rizgjedhja e tij do ta bëjë edhe më të vështirë për Obamën që të bllokojë legjislacionin në Kongres, gjë që do kërkonte që cfarëdolloj marrëveshje bërthamore të miratohet më parë në Senat. Presidenti mund të ketë patur një fuqizim nga letra e fundit e hapur drejtuar Iranit, e firmosur nga 47 prej 54 senatorëve republikanë që paralajmëronin se cdo lloj marrëveshjeje do të zhbëhej nga administrata e ardhshme. Demokratët, e madhe edhe disa komentatorë konservatorë, e quajtën një ndërhyrje kundërproduktive që shkonte në dobi të fajkonjve të Teheranit.kohaislame
Artikulli paraprakSi të fitosh para në tregjet financiare globale!
Artikulli vijuesDeputetët marrin dy mijë euro pagë, pa punuar asgjë!