A.Saudite, Emiratet e Bashkuara, Bahreini i tërheqin ambasadorët nga Katari

0
131

Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini kanë bërë të ditur të mërkurën se kanë tërhequr ambasadorët e tyre nga Katari, për shkak se Doha nuk e kishte zbatuar një marrëveshje mes vendeve të Gjirit Arab që të mos ndërhyhet në punët e brendshme të njëri-tjetrit.

Ky veprim, i shprehur në një deklaratë të përbashkët nga të tre vendet, është i pashembullt në histroinë tri-dekadëshe të Këshillit për Bashkëpunim të Gjirit(KBGJ), një aleancë pro-perëndimore e Arabisë Saudite, Bahreinit, Kuvajtit, Katarit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Omanit.
Katari ka mbështetur grupet islamike në Egjipt, Siri dhe në vende të tjera në Lindjen e Mesme që nga disa vende të Gjirit shikohen me dyshim ose armiqësi.
Në deklaratë thuhet se anëtarët e KBGJ kishin nënshkruar një marrëveshje më 23 nëntor për të mos mbështetur “askënd që kërcënon sigurinë dhe stabilitetin e vendeve të Gjirit, qoftë grup apo individë, nëpërmjet punës direkte apo përmes ndikimit politik, dhe për të mos mbështetur mediat armiqësore”.
Ministrat e jashtëm të KBGJ ishin takuar në Riad të martën në përpjekje për të bindur Katarin që të zbatojë marrëveshjen.
“Por për fat të keq, këto përpjekje nuk rezultuan në marrëveshje që Katari t’i respektojë këto masa, gjë që nxiti të tri vendet për të filluar atë që e panë të nevojshme, për të mbrojtur sigurinë dhe stabilitetin e tyre, tërheqjen e ambasadorëve të tyre nga Katari duke filluar nga sot, 5 mars 2013”, përfundon deklarata./mszh/kohaislame