Kush e mat shqiptarinë e BESËS?

Burim BAKIU

Është hera e dytë që lexoj shkrime nga një djalosh, i cili merret me akuza të drejtpërdrejta ndaj BESËS, duke e vënë në tapet te njejten si parti politike fetare, duke e relativizuar programin e saj politik dhe duke shpikur gjëra krejt të paqena, etj.

Nuk mundem të mos habitem sa të rrafshtë jemi bërë kur lejojmë që gjithçka çka na servohet ta gëlltisim. Çka është qellimi i këtyre shkrimeve tendencioze?

Unë do te reagoj, sepse e ndjej obligim. Të reagojme si individ, të reagojme si popull! Ne kemi model se si reagohet, model i përkryer, mbase i thjeshtë per t’u kuptuar. Mbështesim gjërat pozitive dhe denoncojme gjërat negative, secili me takatin e vet.

Lëvizja BESA ka platformën e saj, ka programin e saj, ka statutin e saj dhe të gjitha këto janë publike dhe askund në asnjë rresht nuk mund të argumentohet ajo që shpifin ata dashakeqë, por akuzat kundër saj vazhdojnë. Përveç kësaj, asnjë përfaqësues i BESËS në asnjë rast nuk ka thënë asgjë që të lërë të dëshmojë se ata abuzojnë me fenë. Madje, nëse e doni më shqip, ata që kanë abuzuar dhe abuzojnë me fenë, janë ata që nëpër fushata bërtasin “Allahuekber”, edhe pse kurrë nuk i ke në xhami duke e adhuruar Allahun, janë ata që nëpër tubime partiake e ndalin fjalën kur këndon ezani, por që kurrë nuk i përgjigjen ezanit dhe janë ata që kanë nevojë të fotografohen duke marrë abdest dhe duke u falë, që të dëshmojnë se janë myslimanë. Së paku deri tash unë nuk kam vërejtur asgjë të tillë te BESA. Po, shumica absolute ne shquptaret e Maqedonise jemi mysliman, qe reflektohet edhe ne antarsine e gjere te BESA. Po kjo eshte naturale. Ne jemi keta qe jemi.

Megjithëse është hera e parë që del një organizatë politike nga vullneti i rinisë shqiptare, që nuk vjen me porosi as me delegatë nga diku tjetër, por thjeshtë mbin në truallin shqiptar të Maqedonisë si projekt politik autentik, duke qenë madje puritanë të skajshëm në përzgjedhjen e njerëzve – pa bagazhe dhe hipoteka politike, ata përsëri akuzohen vetëm sepse një mal të tillë akuzash e ka prodhuar kuzhina marksisto-leniniste e BDI-së. Ta gjykosh me vdekje dikë, për të cilin nuk ke dëshmi për asnjë faj, ndërsa ta relativizosh fajin e kriminelëve që me duart e veta e dëshmojnë krimin, kjo është përtej krimit. Sepse krejt shpifjet e akuzat që i atribuohen BESËS janë vetëm shpifje dhe, maksimalisht, supozime, ndërsa ato që i atribuohen BDI-së e të tjerëve, janë dëshmi me të cilat sot po merren edhe organet e drejtësisë. Prandaj e quaj nihiliste që çdo gjë që mund të mos na pëlqejë neve, ajo të shpallet antishqiptare dhe e dëmshme. Kjo është qasje gati fashiste.

Ndërkaq, nëse konstatimin se BESA është parti fetare e nxjerrin nga fakti se disa nga eksponentët e saj mund të jenë besimtarë myslimanë, kjo është edhe më shumë tendencioze. Kjo i bie të jetë me motive fashiste sipas maksimës “Shqiptarë të mirë janë vetëm ata që nuk janë myslimanë, madje mundësisht të konvertuar në protestantë ose katolikë dhe, aq më mirë, ta kenë mbiemrin Marku, apo të ngjajshëm” E, nëse ky është definicioni i shqiptarisë, atëherë unë do të pyesja se ç’kërkojnë në Rilindjen Kombëtare Shqiptare Vëllezërit Frashëri, Hoxhë Hasan Tahsini, por edhe në pavarësinë e Shtetit Shqiptar Ismail Qemali, Haxhi Vehbi Dibra etj.? Cila peshore e ka matur se shqiptari e pranueshme është ajo e Markut, ndërsa e papranueshme ajo e Tahsinit? Sipas meje, ka vetëm një përkufizim për shqiptarinë: të gjithë ata që e duan kombin shqiptar dhe që punojnë për të mirën e kombit shqiptar – kudo që është ai dhe çfarëdo që të jenë ata, myslimanë, ortodoksë, katolikë, protestantë, por edhe ateistë. Fundja, përkatësia fetare është në sferën e privates dhe ajo mund ta ndihmojë, por nuk e determinon përkatësinë kombëtare dhe idealin për atdheun.

Ne, shqiptarët jemi pak dhe gati-gati shumica njihen mes vetë ose kanë njohuri për njëri-tjetrin. Prandaj është lehta të dijsh se cili është shqiptar, cili ”turk”, cili ”radikal”, cili ”shka” e cili ”ma shka se shkavi”. Ne njihemi, ne e dijmë se kush cili është, na duhet guximi ta themi të vërtetën.

Ndaj, si perfundim të ketij reagimi do kisha shtuar edhe nevojën e një angazhimi më të madh të njerëzve, shumica nga të cilet e njohin, e ndjejnë të verteten, e shohin me sy për çdo ditë. Pra, ta themi atë, ta perkrahim vullnetin e lirë që del nga rinia jonë, i pelqeu dikujt apo jo.

Unë e shof këtë vullnet, elan, dëshire dhe nevojë duke u rritur. Ta formesojmë, ta etablojmë dhe të bëjmë një strumbullar që nesër t’i japë goditjen e fundit kësaj të keqe kolaterale që po na ngulfatë për çdo ditë.

Besoj se njeriu jonë do të dijë të bëjë dallimin mes të mires dhe të keqes.

Artikulli paraprakRefugjatët do të presin deri më 18 mars për vendim përfundimtar të BE-së
Artikulli vijuesDëgjoni ç’po thotë Biljana (Sekullovska)