KUSH ËSHTË “ANONYMOUS”!?

0
191

Çfarë është grupi Anonymous? 

Anonymous është një lëvizje e organizuar ndërkombëtare e aktivistëve që përmes internetit ndajnë idealet e njëjta sociale dhe politike. Anonymous promovon qasjen në informacion, lirinë e shprehjes dhe transparencën si dhe mbështet lëvizjet e ndryshme kundër korrupsionit dhe lëvizjet anti-autoritative.

Si vepron grupi?
Grupi në përgjithësi perceptohet si anarkik, pa ndonjë udhëheqje të kontrolluar. Parimisht, grupi vetorganizohet kështu: anëtarët i marrin vendimet dhe shkëmbejnë idetë e tyre dhe aktivitetet e njeri-tjetrit përmes mediave sociale.

Po që se, këto ide dhe aktivitete marrin mbështetje të mjaftueshme nga komuniteti, bëhet një marrëveshje kolektive, caktohen  datat dhe koha e “takimeve” virtuale dhe pjesëmarrësit vazhdojnë me lansimin e fushatës për të arritur qëllimet e parapara, shkruan T.O
Anëtarë të Anonymous thonë se është e lehtë që t’i bashkohesh grupit. Duhet vetëm të fshihet identiteti derisa kryhen aktivitetet online dhe tashmë je futur brenda. Për shkak të natyrës komplekse e joformale, është e pamundur të dihet për demografinë e saktë të anëtarësisë së grupit.

Për çfarë lloj aktivitetesh është i njohur Anonymous?
Grupi lidhet me atë që njihet si hakerizëm, aktivitete në internet që ndërmerren si shenjë hakmarrje ose si protestë ndaj agjencive qeveritare, subjekteve komerciale dhe institucioneve tjera.
Sulmet e tilla vijnë në formën e refuzimit të shërbimit (DoS) apo sulmeve që shpërndahen për të penguar shërbimet (DDoS), me të cilat bllokohen ueb faqet apo edhe shërbimet përmes internetit.

Hakerët që janë të lidhur me këtë grup, kanë marrë përsipër sulmet duke u nisur nga ato të voglat kundër korporatave të ndryshme e deri te mbyllja e ueb faqes së Agjencisë Amerikane të Inteligjencës, CIA-s.

Përse po ndërmerren aksione ndërkombëtare kundër Anonymous?
Strategjitë protestuese që i përdor grupi Anonymous –përfshirë sulmet DoS dhe DDoS – shkelin politikat e përdorimit të internetit, si dhe politikat specifike të disa ofruesve të shërbimit të internetit. Ata zakonisht i shkelin ligjet e shteteve ku kanë ndodhur sulmet.
Vitin e kaluar janë zhvilluar operacione të përbashkëta të mëdha të policisë kundër anëtarëve të dyshuar. Një nga operacionet më të mëdha është kryer nga autoritetet në Britani, Holandë dhe në SHBA.
Këto sulme të përbashkëta- që rezultuan me arrestimin e 20 njerëzve, përfshirë edhe një djalosh 16 vjeçar në Londër- erdhën pas fushatës së Anonymous kundër kompanive si PayPal, Visa dhe MasterCard.
Këto sulme ishin si hakmarrje kundër kompanive që i ngrinë xhirollogaritë e ueb faqes Wikileaks. Një seri tjetër bastisjesh është kryer në Turqi, që ka rezultuar me arrestimin e rreth 30 të dyshuarve, të përfshirë në sulmet kibernetike kundër uebfaqeve turke qeveritare.

Çfarë ka planifikuar së fundi Anonymous?
Një nga protestat e fundit që është paralajmëruar nga Anonymous quhet Operacioni Global i Errësimit të Plotë(Operation Global Blackout). Anëtarët thonë se ky operacion ka për qëllim që të shuajë serverët e ueb faqeve të rrjeteve sociale si Facebook.
Anonymous po ashtu ka thënë se operacioni në fjalë përfshin një përpjekje masive për të minuar dhe dështuar tërësisht përdorimin e internetit.

Motoja e Anonymous është: “Ne jemi një legjion”
Nëse do të merrnim në konsideratë këtë term dhe do t’i referoheshim fjalorit anglisht-anglisht Merriam-Webster, “legjion” do të thotë një grup luftëtarësh, një forcë pa një fytyrë, por shumë më e fuqishme e gjitha së bashku. Megjithatë nga ky shpjegim nuk marrim shumë. Kjo është edhe çështja në këtë rast. Anonymous kërkon gjithmonë që të bëjë të ditur që është një organizatë e papërcaktuar dhe amorfe. Duke qenë se anëtarët e saj nuk mund të njihen dhe të izolohen, ata konsiderohen si “kriminelë”. Disa të tjerë i quajnë si gjeni kompjuterësh që kanë shumë kohë të lirë në dispozicion. Ndërsa të tjerë thonë se kjo organizatë është forma e parë e asaj që në të ardhmen mund të shndërrohet në aktivizimi social i internetit. Të tjerë i quajnë përfaqësues të një kulture të kompletuar me vlerat estetike, me artin, letërsinë, normat sociale dhe mënyrat e prodhimit dhe madje edhe me gjuhën e saj dialektike.

Si të bëhesh pjesë e Anonymous
Ndërsa për t’u bërë pjesë e Anonymous është shumë e thjeshtë, mjafton të shkosh në forumet e tij online. Ka shumë llogari në “Twitter” që pretendojnë se janë të lidhura me këtë organizatë. Njerëzit e vërtetë që përbëjnë Anonymous mund të jenë kudo para kompjuterëve të tyre, nëpër internet-kafe në Malajzi, apo në Miçigan. Në periferi dhe në qendrat e qyteteve. Anonymous për momentin nuk ka asnjë lider dhe as një zëdhënës. Kushdo mund të marrë pjesë për një minutë në ditë në një dhomë bisedimesh dhe më pas të vendosë që ta vazhdojë, apo ta lërë. Zakonisht nëpër dhomat e çatit nuk pyetet për emra apo për të dhëna personale. Thjesht duhet të besosh tjetrin në ato që të thotë. Debatet online zakonisht përqendrohen në lidhje me objektivat e radhës së organizatës. Secili nga pjesëmarrësit në debat sugjeron mendimin e tij. Sipas një eksperti interneti, që përpiqet të zbulojë mënyrën e funksionimit të Anonymous, nëse grupi vendos që të “ndjekë” një uebsajt dhe ta shpartallojë mbrojtjen e tij, ajo ndodh në të vërtetë. Por nëse pjesa më e madhe nuk janë në një mendje për objektivin e sulmit, atëherë propozimi përmbyset. Gjetja e formacioneve të sakta për këtë organizatë është një
betejë e vërtetë dhe një rrugë me shumë të përpjeta. Nëse anëtarët e supozuar të organizatës do të ndiqeshin dhe gjurmoheshin në lidhje me thyerjet e ligjit, kjo gjithashtu nuk do të ishte diçka e lehtë. Ka pasur ndërkohë disa arrestime të disa adoleshentëve, të cilët janë akuzuar, por pa shumë prova e bazë ligjore.

Sulmet
Gjatë dy viteve të fundit, Anonymous është bërë i njohur së pari për sulmet e quajtura DDOS, një lloj testi për rrjetin në të cilin çdo sulmues jep pëlqimin që kompjuteri i tij, apo i saj të jetë i lidhur dhe pjesë e operacionit. Bëhet fjalë për një grumbullim të madh kompjuterësh, të cilët të gjithë së bashku prodhojnë një forcë të madhe dhe përqendrohen në një sajt të vetëm. Si pasojë shpesh serveri i objektivit dëmtohet dhe vetë sajti pezullon punën. Më së fundi Anonymous pretendoi se kishte nxjerrë jashtë pune sajte të tilla si ai i FBI-së dhe Departamentit të Drejtësisë dhe kjo pas njoftimit se u arrestua kreu i Megaupload. Sulmet e natyrës së mësipërme e bënë të famshëm Anonymous në vitin 2010. I tillë ishte rasti i sulmit kundër sajtit të Master Card, Visa dhe PayPal. Anonymous deklaroi online se po e sulmonte këtë korporatë sepse kishte refuzuar që të bënte biznes me “Wikileaks”. Që nga ai moment Anonymous është bërë i njohur në botë, ose të paktën ka tërhequr vëmendjen e hakerave kudo. Në nëntor pretendoi në një video online se kishte marrë informacion në lidhje me disa persona në Meksikë, persona të rëndësishëm, që bënin një jetë të dyfishtë e të lidhur me kartelet e drogës. Organizata nuk e lançoi kurrë atë informacion e megjithatë thjesht ky njoftim shkaktoi një sensacion shumë të madh mediatik ndaj vetë grupit. Ai doli sërish në faqet e para të gazetave edhe në vitin 2011, kur pretendoi se kishte sulmuar zyrat qendrore të qeverisë në Tunizi dhje Egjipt. Këtë e bëri për të treguar mbështetjen e tij ndaj protestave të “pranverës arabe”. Në një video tjetër thuhej: “Anonymous jeni ju. Juve nuk do t’ju mohohet e drejta e fjalës së lirë, medias së lirë, organizmit të lirë dhe e drejta universale e aksesit në informacione që ju takojnë”.