Kush është Enver Basha dhe pse po e dhunojnë?

0
217
Kur Sali Berisha deklaroi për herë të parë se Kostandin Xhuvanin e ka kapur i pari një qytetar pas katër vrasjeve, shumëkush ka hapur sytë me habi.
 
Por Enver Basha, një personazh i përmendur nga Sali Berisha si njeriu që ndaloi Xhuvanin, është rikthyer në media.
 
Mbrëmjen e shkuar ai është dhunuar barbarisht pranë Qytetit Studenti.
 
Personat që e kanë dhunuar, janë arrestuar.
 
Ndërsa nuk dihen ende arsyet se përse ka ndodhur ngjarja, vetë Enver Basha thotë se atë po e ndjekin nga pas.
 
Ai thotë se nuk e di pse e kanë dhunuar, por thotë se nuk ka probleme me askënd.
 
Ai flet për disa incidente që i kanë ndodhur prej kohës kur u përfshi në çështjen e Xhuvanit, por nuk duken si histori të besueshme me ndjekje dhe kërcënime.
 
Basha thotë për Panoramën se e kanë hequr nga puna, një piceri, dhe i ka kërkuar ndihmë policisë.
 
“Kërkova të mbrohem ose të ik jashtë shtetit, sepse këtu ndjehesha i rrezikuar,” thotë Basha.
 
Ai ka treguar se çfarë ndodhi natën kur u arrestua Kostandin Xhuvani.
 
“Unë rastisa aty, me motorin e punës, po kthehesha në shtëpi. Në atë moment jam përplasur, siç ka dalë edhe në video. Pashë që policia i ishte afruar atyre personave për t’i ndaluar, por dy persona u shpërndanë dhe filluan të vraponin. Njëri kishte pistoletën në dorë dhe u largua gati 30 metra. Kur pashë një polic që iu vu pas, ma mori mendja që nuk do e arrestonte dot i vetëm dhe vendosa t’i shkoj në ndihmë. Vrapova që ta ndihmoja dhe kemi arritur që të dy që ta kapnim për krahu. Në momentin që pa që polici dhe unë i zura rrugën, në atë kohë hodhi armën në tokë. Filloi të na kërcënonte. Na shante dhe na thoshte se do na vriste dhe nuk do na linte të gjallë. Jam Konstandin Xhuvani, na tha, kam vrarë njerëz dhe më keni jetën borxh. Po më latë të iki, do u jap flori dhe çfarë të doni…
 
“Polici ishte shumë i frikësuar, po dridhej nga frika. I thashë të qetësohej, sepse aty isha për të ndihmuar atë dhe jo vrasësin. E shikoja që nuk po i vinte dot prangat dhe i thashë të lajmëronte patrullën që të vinte të na ndihmonte. Policia erdhi dhe ndaloi pak metra më lart, afër traut që shkon për në Qytetin Studenti”./mapo