Kush ia nxori brirët injorancës? Justinian Topulli

0
204

“Allahu nuk e largon dijen duke ua marrë atë dijetarëve, por duke u marrë atyre shpirtin, derisa në tokë të mos ngelen më të tillë, e atëherë njerëzit do të pasojnë krerë të paditur, të cilët humbin veten dhe të tjerët.” (Hadith)

Jetojmë në epokën kur mundësinë për të folur, shprehur dhe mediatizuar qëndrimet dhe opinionet e tij, i ka çdo kush. Sot mimberi i hoxhës në xhami nuk ka efekt të gjerë, nëse nuk publikohet në internet, sepse përndryshe nuk e konkurron dot efektin dhe përhapjen që ka kjo media, nëse kufizohesh vetëm tek metodat tradicionale të ushtrimit të ndikimit. Mirëpo, siç dihet, media të tilla si interneti, janë foltore për gjithfarë njerëzish, të njohur e të panjohur, të ditur e paditur, ngatërrestarë dhe paqedashës, të urtë e të nxituar, të mirë e të këqij…

Gjithkush duhet t’i bëj pyetje vetes se, si është bërë e mundur një gjë e tillë? Dikur edhe pse nuk ekzistonin këto mjete, jo çdo kush mund të shprehej dhe t’i përhapte me lehtësi idetë e tij, qoftë edhe me mjetet tradicionale që ekzistonin, për shkak se kontrolli i opinionin publik bëhej nëpërmjet institucioneve të caktuara, si p.sh. faltoret e kultit, shteti…etj. Sot në pjesën më të madhe të botës është shumë më ndryshe. Sot ndodh që edhe një njeri me dy klasë shkollë të mediatizojë dhe përhapë injorancën e tij mes miliona njerëzve, ndërkohë që një njeri të ditur të mos e dëgjoj askush veç kolegëve të tij! Kush i ka rënë rasti të ndodhet nën presionin që krijon psikologjia e turmës e kupton shumë mirë këtë që po them.

A ja keni bërë ndonjëherë vallë pyetje vetes, se cila është arsyeja që e ka mundësuar sot këtë gjë? Teknologjia, do të përgjigjej shumë shpjet dikush! Në fakt duhet saktësuar duke thënë: teknologjia e informacionit në duart e gjithkujt. Por, kush e ka mundësuar këtë gjë? Padyshim që kapitalizmi, i cili i etur për para dhe pushtet, investon në zhvillimin teknologjik dhe fiton nga shitja masive e tij. Dhe kapitalizmi, që të zhvillohet, kërkon klimën që ofron sistemi i demokracisë liberale. Kështu që, si ata që e duan si ata që nuk e duan këtë të fundit, përfitojnë prej tij dhe abuzojnë falë mundësisë që i jep ky sistem. Shkurt këto janë pasojat e modernitetit. E ky modernitet ka dëmtuar rëndë edhe autoritetin fetar të dikurshëm. Edhe pse duket qartë që ka një rigjallërim të besimit fetar mes njerëzve, sidomos mes muslimanëve, ky rigjallërim më së shumti nuk kontrollohet nga institucionet tradicionale të autoriteti fetar, duke nisur që nga hoxha i thjeshtë e duke mbërritur deri tek dijetari e kryemyftiu i vendit, por shpesh nga lider shpirtëror, me shkollë ose pa shkollë, të ditur, gjysmë të ditur ose të paditur, që e ushtrojnë autoritetin dhe popullaritetin e tyre fetar, më së shumti edhe nëpërmjet këtyre mjeteve, që janë pjellë e modernitetit dhe janë mundësuar nga kapitalizmi dhe demokracia liberale. Kështu pra, e kuptojnë ose jo, të gjithë këta njerëz që mallkojnë hoxhallarët, por edhe ata që shajnë dhe ofendojnë muslimanët, madje edhe vetë mallkimet që i bëjnë pjellave të modernitetit, siç është kapitalizmi dhe demokracia liberale, janë edhe vetë produkt i tij. U pëlqen ose jo, e pranojnë ose jo, kjo është e vërteta!

Në këtë sistem ku cenohet rëndë hierarkia e vlerave dhe e vlerësimit, formohen mendësi dhe forma nga më çuditshmet dhe kontradiktoret me vetveten. Gjithsecili merr nga çdo kush, ajo që i duket atij e saktë apo i pëlqen, e shpesh edhe vetëm nga rastësia që ka qëlluar të shoh dhe dëgjoj, pa kurrfarë metode apo vlerësimi dhe aftësie për ta bërë këtë siç duhet. Shkurt, sot po nuk pate një metodë të qartë dhe të saktë përzgjedhje dhe vlerësimi rrezikon lehtësisht ta hash sapunin për djathë apo të ngjyesh bukën në njëqind çorba dhe të mos e marrësh vesh se çfarë po ha.

Kështu pra, kapitalizmi dhe demokracia liberale, një nga të këqijat e tyre kanë edhe faktin se i mundësojnë çdo kujt, qoftë ky edhe më i padituri ose histeriku më i madh, të shpreh opinionin e tij dhe të bëj fushatë mediatike duke tërhequr pasues. E pra epoka e sotme e shkencës dhe teknologjisë së avancuar dhe e shtytëset e saj, i kanë mundësuar injorancës të nxjerrë brirët e saj. Kështu që sot po nuk pate brirë, si ata demat spanjollë nëpër arena stadiumesh, rrezikon të të shqyejnë edhe fizikisht, se me fjalë të kanë vrarë e ngjallur njëqind herë! Urtësia ka vdekur ose në një vështrim më pak pesimist, lufton në agoni si teroadori me brirët e injorancës.

Hoxhë Justinian Topulli