Kush janë financuesit e kryqeve në Maqedoni?!

Dita e sotme kur presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliç dekretoi 24 prillin si datë të zgjedhjeve parakohshme parlamentare, ka hedhur dritë mbi shumë zhvillime rajonale që sollën prej një viti tension dhe përplasje.

Një raport analitik i hartuar nga specialist të sigurisë për llogari të shtetit shqiptar, tenton të zbulojë sadopak velin e misterit të lidhjeve serbo-maqedonase që prej një viti, kur dhe ndodhi ngjarja e “Lagjes së Trimave” në Kumanovë.

“Grupe të fuqishme financiare ruse po financojnë prej dy vjetësh parti politike dhe organizata ekstreme në Serbi dhe Maqedoni me qëllim që të rrisin reaksionin kundër shqiptarëve.  Në Parlamentin e Serbisë pritet të futen parti të fuqishme antishqiptare, ndërkohë që në Maqedoni, krahu ekstrem brenda VRMO-DPMNE do të fuqizohet dhe do të synojë përplasjen fetare dhe etnike në zona ku banohen nga shqiptarët.  Këta grupe politike kanë në zotërim sasi të mëdha parash të ardhura nga biznesi i hidrokarbureve dhe i tregtisë së materialeve të ndërtimit”.

Ky është vetëm një pjesë nga raporti i shërbimeve inteligjente shqiptare i hartuar kohët e fundit, i cili parashinte pikë për pikë financimet për fushatën e kryqeve e cila po ndez marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni.

Sipas raportit, Gruevski prej dy vitesh ka në duar sasi të mëdha financimesh dhe ka tentuar të krijojë qendër trazirash rajonale për të provokuar shqiptarët.

Vetëm një ditë më parë, një nga gazetat më kontraversale serbe i hidhte benzinë zjarrit për ndezjen e një lufte të re ballkanike, ku parashihte dy aleanca: shtetet ortodokse, përballë Turqisë, Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.

Një lidhje që nuk ka të bëjë as me politikë e gjeopolitikë, por vetëm me prodhim të tensionit në kushte shtëpie.

Por kulmi i misterit të gjithë kësaj historie që ka lidhje me kryqet dhe tensionet është këmbëngulja e Nikolla Gruevskit që t’i bëntë zgjedhjet më 24 prill.

Raporti i analistëve të sigurisë, thekson se “strategjia lidhej me ndërmarrjen e një fushate të përbashkët politike nga Beogradi në Shkup ku në boshtin e saj të kishte propogandën fetare dhe etnike me gjasa ksenofobe ndaj shqiptarëve dhe myslimanëve”.

Po sipas raportit, financuesit ëndërronin një superfushatë të madhe që mund ta ringrinin Gruevskin, i cili cilësohet “politkisht i vdekur”, si nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ashtu dhe nga Bashkimi Europian.

Ndaj dhe doli i vetëm kundër të gjithëve për të mbajtur zgjedhjet më 24 prill.

Dokumenti i siguruar nga tesheshi.com, bën fjalë për financime të mëdha që synojnë shmangjen e projekteve strategjike të gazit në rajon dhe miratimin e gazsjellësave nga Moska.

Pikërisht ky konglomerat, prej disa vitesh po hedh para lumë në Mal të Zi, Bosnjë, Serbi, Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni për ta mbajtur rajonin të trazuar, në mënyrë që të anulohen projektet e mëdha të gazjellësave që përkrahen e financohen nga SHBA e BE.

Por vetëm dje mbërrin një lajm i keq për këto qarqe.

Nga qyteti Baar i Zvicrës, konglomerati që ka marrë përsipër ndërtimin e gazsjellësit Trans Adriatik TAP nga Azerbaxhani në Itali, njoftoi nisjen e ndërtimeve të tubave gazsjellëse në Shqipëri dhe Greqi. Çka do të thotë se nuk ka kthim prapa. Por gjithsesi reaksioni mbetet i madh…

Përgatiti: Ylli Pata – /tesheshi.com/

 

Artikulli paraprakInicuesi i Kryqit, Todorov kërkon që të hiqet Shqiponja në Çair!
Artikulli vijuesProtestë antishqiptare në Shkup