Kush qëndron pas prishjes së Kishës, që mbrohet nga myslimanët?

0
220

Menjëherë pasi Presidenti Bujar Nishani deklaroi se nuk e dekreton Visar Zhitin si ambasador në Vatikan, pasi e ka quajtur Kishën inkuizitore, një lajm u përhap me shpejtësi online.

 

Fillimisht ishte Partia Shqipëria Demokristiane, që deklaroi se pas vendimit për prishjen e një kishe në Elbasan qëndron Familja e Nishanit.

 

“Gjykata e Larte, para pak ditesh ka vendosur per prishjen e Kishes Katolike te Elbasanit dhe kthimin e prones tek pronaret, (Familja Karaosmani). Theksojme se toka ku eshte ndertuar kisha, ka qene prone shteterore, dhe eshte blere nga Kisha Katolike ne vitin 1990. Po ate vit, eshte marre leja nga shteti per ndertimin e saj aty ku eshte sot.

 

Ne denojme me force vendimin e Gjyjates se Larte dhe i kerkojme opinionit publik te dale ne mbrojtje te saj. Pashallaret e Turqise, bashke me Karaosmanet e Bujar Nishanit, nuk do te munden te rrembejne me vendime skandaloze gjykatash pasurite e shqiptarve,” thuhet në deklaratën e tyre.

 

Lajmi u mor menjëherë nga portalet me qëndrim shumë të ashpër ndaj Nishanit.

 

Familja e Parë nuk ka reaguar akoma ndaj këtij lajmi, ndërkohë që në mbrojtje të Kishës kanë dalë gjithë komunitetet fetare.

 

Komunitetet fetare pretendojnë se vendimi i gjykatës ka të bëjë me pushtetin që zotëron familja Karaosmani.

 

“Rasti i famullisë Shën Piu X, që tejkalon kompetencat e një famullie të klerit katolik, është preçedent për të gjitha objektet e tjera të kultit në qytetin tonë. Ky rast cënon rëndë ushtrimin e besimit, imazhin e Shqipërisë për shkak të një të kaluare represive ndaj klerit, si dhe dhunon të drejtën themelore të ushtrimit të besimit. Më 5 shkurt 2015, Gjykata e Lartë vendosi lirimin e truallit nga Kisha Katolike, edhe pse ajo është pronare legjitime prej 23 vitesh. Ankesa jonë nuk ka të bëjë me mosnjohjen e vendimit të gjykatave, por duke parë sesi funksionon ligji në Shqipëri dhe duke qenë se familja që kërkon truallin është e veshur me pushtet, ne kemi dyshimin se ky është një vendim i ndikuar, jo i drejtë dhe jo transparent”, deklaroi Arben Ramkja, përfaqësues i Myftinisë së Elbasanit.

 

Më tej komunitetet fetare kanë paralajmëruar kryeministrin se do të informojnë tërë instiucionet klerikale në botë për të parandaluar njëherë e përgjithmonë, siç thanë ata, cenimin e objekteve të kultit në Shqipëri dhe luajtjen e herë pas hershme me ndjenat e besimtarëve./mapo.al