Kush udhëhoqi mbulesën mediatike të terrorit maqedon ndaj grupit të Kumanovës?

Mediat nuk po e kryejnë detyrën dhe obligimin e tyre. Këto po falsifikojnë lajmin dhe të vërtetën, rreth asaj se çfarë ndodhi në Kumanovë. Pak, shumë pak mediume ishin të sinqerta, të paanshme dhe profesionale. “Lajmi” i tyre nuk paraqiste gjendjen e vërtetë në Kumanovë. Lajmi shpërndahej shpejtë, por ishte i deformuar. Nga kush? Kush kishte fuqinë dhe kush udhëhoqi “lajmin” gjatë pushkatimit dhe bombardimit të shqiptarëve? Ishte media apo Qeveria që krijonte “lajmin”?
 
Shqiptarët informohen e marrin lajmin e shpejtë për Sirinë, Irakun, Indinë, Kinën, Zelandën e re. Edhe për Marsin dhe Jupiterin informohen shqiptarët, por pashpjegueshëm, shqiptarët nuk informohen për shqiptarët. Hapësirës publike shqiptare nuk i ofrohet lajmi mbi shqiptarët.
 
Shkurt e shqip: Shqiptarët informohen për ndodhitë e botës e për galaktika, por nuk kanë mundësi të mësojnë e të kuptojnë se çfarë ndodhë ”në oborrin e shtëpisë së vet”.
 
Sot, lufta për të kontrolluar lajmin është po aq e rëndësishme sa edhe lufta për të kontrolluar tokën. E, Gruevski me partitë shqiptare tok, e di mirë këtë gjë. Në vrasjen e fundit të shqiptarëve, një pjesë e madhe e strategjisë së Qeverive, ishte që të “gozhdohet” fjala e gazetarisë asnjanëse – ose si ”zgjidhje” tjetër ishte “martesa me detyrim” e gazetarëve me regjimin. Kjo me shpresën që bota të mos shef dallimin në mes propagandës dhe lajmit të mirë.
 
Pse e them këtë dhe pse mendoj kështu?
 
Në kohë krize apo në kohë lufte, mbulimi mediatik konsiderohet të jetë faktorë me rëndësi të veçantë. E them këtë, sepse lufta sot ushtrohet përmes dy mjeteve: përmes Ushtrisë dhe nëpërmjet mediave masive. Mediat, dhe sidomos lajmi, është faktor i rëndësishëm për ambiciet e pushtetit për të arritur imazhin e saj “të mirë”. Qeveria përpunon “lajmin”, ajo të tregon se çfarë ndodhi dhe pse ndodhi. Përmes lajmit, qeveritë diktatoriale “duhet” të dëshmojnë se operacionet ushtarake janë “efektive” dhe “të përshtatshme”. E, për të arritur këtë qëllim, për këtë punë media konsiderohet si thelbësorja. Mos të them mbizotëruesja. Lufta në Kumanovë e dëshmon këtë fjali e këtë mendim.
 
Bombardimi i shqiptarëve nga “shteti i tyre”, si dhe lajmi që doli nga kjo tragjedi, nxori në sipërfaqe një pyetje të madhe: A jemi të informuar drejtë?
 
Deri më 9 maj 2015 ishin gazetarët që kritikoheshin se ishin bisht i partive dhe qeverisë, por Kumanova dritësoj diçka tjetër: Mediat shqipe ishin kokë e këmbë të varura nga qeveritë, dhe kështu, qeveritë ishin edhe palë dominuese. Kjo teori quhet “teoria e indeksit”, e cila konsiderohet si kritike e teorive për fuqinë e mediave. Kjo teori dominoi e po dominon në hapësirën publike të shqiptarëve – dhe jo vetëm në Shkup, por idiotësisht edhe në Tiranë dhe Prishtinë.
 
Mbulesa e mediave për ngjarjet në Kumanovë, shprehi interesat, qëllimet dhe këndvështrimin politik sllavo-maqedon. Kjo erdhi si rezultat i asaj se burimet kryesore të mediave shqipe, gjithandej, pa dallim, ishin dhe (akoma) janë burimet zyrtare, pra burimet shtetërore. Shembull: gjatë bombardimeve të egra policore dhe ushtarake ndaj shqiptarëve në Kumanovë, burim kryesor i lajmit ishte Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë, Qeveria, Ushtria, dhe Kryeministria. Çuditërisht, këto burime «informacioni» i kishin edhe mediat shqipe në Tiranë dhe Prishtinë!
 
Cilët janë “ata” që po na rrejnë me fjalën, tekstin dhe fotografinë?
 
Qeveritë kanë kryerol që të vendosin se çfarë do të jetë lajm në media, e çfarë jo. Edhe në rastin e Kumanovës, të tri qeveritë, ndikuan se si të realizohet mbulesa mediatike e sulmit mbi shqiptarët. Në Kumanovë nuk ishin mediat që e udhëhoqën dhe bëjnë lajmin. Mediat tanimë nuk kanë mundësi ta ndihmojnë politikën. Qeveritë e kanë këtë fuqi. A nuk e shijuat fuqinë “e pathyeshme” të tri qeverive këto ditë? Për një javë ditë rresht, Shkupi, e si “bisht lope” më pas edhe Prishtina dhe Tirana, vendosën, kontrolluan dhe manipuluan me lajmin e Kumanovës. Dhe, ky ishte momentumi ku edhe u “ndërruan rolet” dhe “detyrat”: derisa ditë më parë gazetarët ishin ata që kontrolluan dhe manipuluan me lajmin shqip, tanimë këtë detyrë e morën Shkupi, Tirana dhe Prishtina.
 
Modeli i propagandës politike, i lansuar nga Herman dhe Chomsky, llogaritet si një revolucion në fushën e medias. Këta, rëndësi dhe përgjegjësi të veçantë u japin rolit të qeverisë në përpunim të propagandës. Qeveria vendosë se çfarë do të jetë pjesë e mbulesës mediale. Elita politike-mediale vendosë gjithashtu, për “lajmin”. Dhe, këto elita dëshirojnë që të mbrojnë dhe të ruajnë politikat ideologjike, tashmë të etabluara.
 
Në kohën e propagandës, mediat, edhe pse të rëndësishme në procesin politik, tanimë nuk mund të vendosin se si do të veprojnë e si të informojnë. Gjatë fushatës propagandistike, mediat kanë fuqi të kufizuar. Këto janë “shërbëtore” për aktorë të tjerë politikë. Kjo u vërtetua edhe atëherë kur, për tragjedinë e Kumanovës, që të tri qeveritë, ajo e Maqedonisë, Kosovës dhe Shqipërisë u orkestruan që të zhvillojnë e të shpërndajnë propagandë të shigjetuar.
 
Atëherë kur derdhej gjaku, Agjencia Kosovare e Intelegjencës (AKI) doli me një deklaratë në opinion, ku ndër tjera thuhej se disa nga të ngujuarit në Kumanovë kishin “të kaluar kriminale”. Ky “lajm” i lansuar nga një institucion shtetëror, serioz e asnjanës, e i lansuar nga mediat, që elita politike i kishte nën pushtet, tregoi se “marrëveshja” për të ruajtur establishmentin ideologjik, në mes të qeverive në pushtet, ishte konkretizuar. Tani mediat ishin tërësisht të mbidominuara nga politika dhe elita ideologjike. Propaganda dhe thashethemet krijonin lajmin. Populli shqiptarë u keqinformua.
 
A arriti elita politike e Shkupit, Prishtinës dhe Tiranës të “udhëheq” mbulesën mediatike të terrorit maqedonas ndaj grupit të Kumanovës?
 
Një elitte të tillë, të korruptuar, doemos i duhej të kërkonte e të provonte të mbrojë interesat dhe ideologjitë e saja politike dhe ekonomike. Porm lajmi i përpunuar nga Qeveria e Tiranës dhe Prishtinës ishte i papritur, i përpunuar dhe kishte elemente të propagandës së luftës. Lajmi për trimat e Kumanovës u përpunua, si nga autoritetet civile, e po ashtu, edhe nga autoritetet ushtarake. “Lajmi” ishte i planifikuar dhe sistematizuar. Censura dhe autocensura zuri vend…
 
Kempf përdallon propagandën e luftës si një propagandë e llojit të veçantë. Në fushatën propagandistike përparësi dhe mbështetje i jepet logjikës ushtarake e sulmuese, para perspektivës për një zgjidhje paqësore të një konflikti. Shembull nga Norvegjia: Terroristi norvegjez Breivik, me 22 korrik 2011 sulmoi dhe bombardoi ndërtesën e qeverisë dhe vrau 69 njerëz – nga këta 33 ishin nën moshën 18-vjeçare. Arrestimi i tij u bë pa luftë dhe pa helikopterë bombardues. Nuk u shkrep asnjë plumb. Pra, ishte një zgjedhje paqësore e një konflikti. Përderisa Qeveria norvegjeze përparësi u dha zgjedhjeve paqësore, qeveria maqedone përparësi i dha dhunës dhe logjikës ushtarake (ndaj një grupi që nuk kishte vrarë asnjëri dhe nuk kishte bombarduar asnjë objekt dhe nuk kishte ushtruar dhunë fare). Edhe në fushën e lajmit kishte dallime: Në Norvegji mediat ishin të pavarura, në Shkup Qeveria “vrau” mediat. Gazetarët nuk kishin mundësi fushëveprimi.
 
Qeveria maqedonase përmes mediave duhej të portretizonte luftën si absolutisht të nevojshme, urgjente dhe si shpëtuese e jetëve të civilëve. MPJ e Maqedonisë disa herë doli me deklarata politike, ku e arsyetonte aksionin e armatosur shtetëror kundër grupit të Kumanovës dhe vazhdimisht mbështeste bombardimin e shtëpive të shqiptarëve. “Ky aksion po kryhet për të ruajtur shtetin juridik dhe sigurinë e qytetarëve”, thuhej në deklaratën MPJ të Maqedonisë. Mos të harrojmë, në propagandën e luftës konflikti paraqitet në atë mënyrë, sikurse mundësitë për bashkëpunim dhe komunikim me palën tjetër nuk është e pranishme e as i mundshëm. Vetëm veprimet ushtarake konsiderohen si të përshtatshme për të zgjedhur konfliktin. Gjatë informimit, të drejtat dhe synimet e Qeverisë së Maqedonisë u idealizuan. U dha përparësi dhe legjitimitet veprimeve ushtarake, ndërsa veprimet e palës kundërshtare u paragjykuan, u sulmuan dhe u dënuan.
 
Jo vetëm nga ana e Gruevskit, por edhe nga Tirana dhe Prishtina është shënuar një luftë e një angazhim për të kontrolluar rrjedhën e informacionit, kontrollin e raportimit të lajmit, si dhe të fitojë opinionin publik, me qëllim për të ruajtur pushtetin dhe sundimin politik. Tragjedia e Kumanovës tregoi se në kohën e luftës, autoritetet janë aktorët qendrorë që kanë ndikim, si në media e po ashtu edhe në popull, e jo e kundërta siç besohej.
 
Përderisa dihet se sllavomaqedonasit duan e kërkojnë ta kontrollojnë rrjedhën e informacionit, kontrollin e opinionit publik, si dhe të manipulojnë mendimet mbi veprimet, në mënyrë që reagimet e dëshiruara dhe të planifikuara të ndodhin në publik, akoma “nuk po dihet” se çka dreqin duan qeveritë e Prishtinës dhe Tiranës.
 
Heronjtë e Kumanovës propaganda e Shkupit, Tiranës dhe Prishtinës i etiketoi si “terroristë”, “rrugaçë”, “me precedentë kriminale”, “të paguar” etj. Kështu vepronte edhe Qeveria e Serbisë për heroin Adem Jashari. Me këto epitete e mbështjelli edhe Heroin tonë… Pasojat dihen!
 
Për në fund: Herën tjetër, nëse shqiptarët terrorizohen, llogarit se nuk mund të lexosh, nuk mund të shohësh dhe të dëgjosh lajmin e sinqertë e objektiv. Mungon shteti, guximi dhe profesionalizmi.
Gëzim Mekuli
Artikulli paraprakHRW kritikon veprimet diskriminuese të Izraelit
Artikulli vijuesShumë Palestinezë akoma i ruajn çelsat e shtëpive të tyre!