Kushtetuesja pa kredibilitet

Gjykata Kushtetuese dhe kryetari i saj, Enver Hasani, s’kanë më kredibilitet për të mbrojtur Kushtetutën. Ndikimi politik dhe shkeljet e ligjit kanë përfshirë punën e tyre. Pavarësia e tyre është vënë në pikëpyetje.

Dyshimet për përfshirjen e Enver Hasanit edhe në vepra penale janë forcuar edhe më shumë kur Prokuroria Speciale ka nisur hetimet nën dyshimin për falsifikim kur ishte vendosur për lëndën e Avokatit të Popullit rreth mandatit të tre gjyqtarëve ndërkombëtarë, mandatin e të cilëve ua kishte vazhduar presidentja Atifete Jahjaga.
 
Dosje të tjera penale për të ka në Prokurori qe shumë vjet. Megjithatë, Hasani vazhdon ta drejtojë Gjykatën Kushtetuese që luan rolin e gardianit të Kushtetutës. Largimi i Hasanit shihet si veprim i domosdoshëm për të kthyer besimin e humbur në këtë institucion.
 
Agim Krasniqi shumë vjet ka qenë gjyqtar në Gjykatën Supreme të Kosovës. Ai nuk sheh asnjë mundësi të çlirimit të institucioneve të tjera pa çlirimin e Gjykatës Kushtetuese nga Enver Hasani. Numëron plot arsye se pse Hasani nuk do të duhej të lejohej ta përfundonte mandatin, por të shkarkohej dhe të ndiqej penalisht.
 
Krasniqi ka disa ndërhyrje flagrante të Gjykatës Kushtetuese dhe shkelje ligjore. Si më të rëndat përmend dy prej tyre: rastin e prishjes së aktgjykimit të ish-kryetarit të Ferizajt, Bajrush Xhemajli, dhe prishjen e vendimit të Këshillit Prokurorial për zgjedhjen e kryeprokurorit pa u shterur të gjitha mjetet juridike.
 
Të dyja këto raste janë përmendur si shkelje nga ana e Gjykatës Kushtetuese edhe në dy raporte të progresit të Komisionit Evropian..
Artikulli paraprakBora vështirëson qarkullimin, 97 aksidente për dy ditë
Artikulli vijuesShteti dekurajon lindjet