Lajçi: Kosova ka injoruar hartat e vitit 1974

Injorimi i kërkesave të banorëve në zonën kufitare me Malin e Zi do të sjellë pasoja të mëdha. Ky është paralajmërimi që ka dhënë anëtari vëzhgues i Komisionit për caktimin e demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, Ali Lajçi.

Ai ka akuzuar komisionin se është vënë në shërbim të interesave politike, “të cilat do të dalin në shesh më vonë”.
 
Sipas Lajçit, malazezët po vazhdojnë të vizatojnë vija kufitare të papranueshme për popullatën e atjeshme. Ai ka shtuar se në rajonin e Rugovës janë 7 mijë hektarë, kurse në pjesën kah Kulla janë 5.5 kilometra, për të cilët ka shprehur pretendime Mali i Zi.
 
“Mund të nxjerrin telashe dhe të shkaktojnë edhe konflikte ndërmjet njerëzve, prandaj Qeveria nuk duhet lejuar një gjë të tillë”, ka theksuar Lajçi në intervistën dhënë “Kohës Ditore”. Ai ka ftuar Kuvendin e Kosovës që në asnjë mënyrë të mos e ratifikojë marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi.
 
Ish- kryetari i Komunës së Pejës pretendon se kanë në dispozicion fakte me harta, kadastrat e të gjitha vijave kufitare historike, me të cilat do ta fitonin rastin, nëse ai përfundon pranë Gjykatës së Arbitrazhit. 
 
“Komisioni i Kosovës për caktimin e demarkacionit me Malin e Zi, në asnjë pikë të vetën, nuk ka përputhshmëri me hartat e vitit 1974, të cilat definojnë saktë vijën e kufirit. Si pasojë e kësaj, malazezët kanë depërtuar brenda territorit tonë, nga pesë deri në shtatë kilometra. Kjo hyrje e tyre fillon prej Qakorrit, Moknës, pastaj kanë zbritur në Kuçishtë, Zhlep, Cetine deri te Livadhet e Bukura të Qafë- Murgashit. Me një fjalë, krejt pjesët më të mira i kanë marrë malazezët, gjithnjë sipas variantit dhe strategjisë së tyre”.
 
“Nesër, po të shndërrohen ato qendra rekreative me ndonjë projekt, qëllimi i malazezëve është që t’i përzënë banorët dhe shfrytëzuesit e atyre tokave. Plus varianti i këtyre hartave apo propozimeve të Malit të Zi janë të vitit 1988, 2004 dhe 2008. Pra nuk janë harta të vitit 1974. Prandaj ky është një devijim i rëndë dhe sipas nesh i papranueshëm në të gjitha pikat”, tha Lajçi. /KOHA/
Artikulli paraprakVazhdojnë të shtënat në Kumanovë (Video)
Artikulli vijues12 kompani turke në listën e Forbes Global 2000