Ministri i jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, i ka thënë sekretarit amerikan të shtetit, John Kerry, gjatë një bisede të mbrëmshme telefonike, se militantët ende po kalojnë nga Turqia në Siri, ka njoftuar Ministria e jashtme ruse.
“Lavrov edhe një herë ka tërhequr vërejtjen në kufirin Turqi – Siri, që ende ka vrima dhe, sipas të dhënave tona, po shfrytëzohet aktivisht për transferin e militantëve në Siri nëpër Turqi”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së jashtme të Rusisë.
Muajin e kaluar, zoti Lavrov ka bërë thirrje për implementim të plotë të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që kërkojnë ndaljen e tregtisë së naftës me grupin, Shteti Islamik, dhe për ndalje të kalimit të “terroristëve” në Siri nga Turqia dhe vendet e tjera.
Në bisedën telefonike të dy diplomatët e lartë, po ashtu, diskutuan për ndërmarrjen e “masave konkrete për forcimin e procesit të armëpushimit në Siri”, që ishte arritur në muajin shkurt dhe në përgjithësi është respektuar.