Lëndohen raportet Kosovë-Maqedoni

Pasoja në raportet Prishtinë – Shkup ka lënë përleshja e armatosur që dy ditë më parë është zhvilluar në Komunën e Kumanovës, e në të cilën janë vranë 22 njerëz, prej tyre 8 policë të Maqedonisë. Ky zhvillim do të anulojë një mbledhje të përbashkët në mes të dyja qeverive, e planifikuar për muajin maj.
Një burim i gazetës brenda Qeverisë së Kosovës ka thënë të kenë marrë sinjale frustuese nga Qeveria e Maqedonisë, pas lëvizjeve të grupeve të armatosura në rajonin e Kumanovës, pjesë e të cilave ishin edhe disa shtetas të Kosovës, shkruan ‘Koha Ditore’.
 
“Ka deklarime të pamatura, me gjithë faktin që ne kemi marrë veprimet e nevojshme për t’iu përgjigjur situatës dhe brengave që janë shprehur për incidentet e mëhershme, përfshirë atë të Goshincës. Edhe inteligjenca, edhe organet e rendit kanë qenë në krye të detyrës dhe u kemi ofruar bashkëpunim autoriteteve maqedonase gjatë gjithë kohës”, ka thënë një burim në Qeveri, që ka folur në kushte anonimiteti. “Pas incidentit në Kumanovë, mbledhja e përbashkët mes dy qeverive do të shtyhet për një moment më të përshtatshëm”.
 
Prej dy muajsh, nga Shkupi zyrtar është theksuar se grupe të armatosura po futen në Maqedoni nga Kosova. Muajin e shkuar, një stacion policie në Goshincë të Likovës është marrë nën kontrollin e një grupi të armatosur, të cilët janë deklaruar si pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
 
Policët që ishin marrë peng, ishin liruar. Këtë vikend, Policia maqedonase ndërmori një aksion në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, që u përmbyll me të vrarë e të plagosur, por edhe me zhvendosje të banorëve dhe me dëme të mëdha të pronës. Për përfshirje të kosovarëve është raportuar nga të dyja incidentet.
Artikulli paraprakNikolliq: Veriu Serbisë, pjesa tjetër autonominë e 74-shit
Artikulli vijuesReuters: Kumanova duket sikur të jetë goditur nga cunami