Lëvizja “Vetëvendosje” protestë kundër demarkacionit me Malin e Zi

Nënkryetari i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Dardan Sejdiu deklaroi se nuk duhet lejuar që demarkacioni me Malin e Zi të vendoset në rend dite në Kuvend dhe të mos votohet.

Me ftesë të Lëvizjes opozitare “Vetëvendosje” për të protestuar kundër marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi para Kuvendit të Kosovës janë mbledhur disa dhjetëra aktivistë dhe qytetarë, në kohën kur filloi seanca plenare e Kuvendit, raporton Anadolu Agency (AA).

Nënkryetari i Lëvizjes, Dardan Sejdiu deklaroi se nuk duhet lejuar që demarkacioni me Malin e Zi të vendoset në rend dite në Kuvend dhe të mos votohet.

Ai protestuesve u tha se 8.200 hektarë tokë nuk do të dhurohen, dhe sipas tij, demarkacioni mund të bëhet por me komision të ri që i mbron interesat e shtetit të Kosovës.

Qeveria e Kosovës sot në mëngjes miratoi projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për kufirin shtetëror mes Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Qeveria sqaroi se ligji duhet të kalojë procedurat sa më parë sepse prej tij varet liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës dhe procesi i integrimeve evropiane të vendit.

Po ashtu u tha se Qeveria sot dërgon në Kuvend në procedurë të rregullt këtë projektligj, ndërsa Kuvendi vendos kur do të mbahet seanca për demarkacionin.

Aktualisht në Kuvend nuk është bërë fjalë për futjen e demarkacionit në rend dite dhe pritet që madje javën e ardhshme Kuvendit të debatojë për demarkacionin.

Vendimi i Qeverisë vjen vetëm një ditë pas debatit të gjatë profesional-shkencor lidhur me demarkacionin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, të cilin e organizoi Kryesia e Kuvendit të Kosovës, e që nuk afroi qëndrimet e pushtetit dhe opozitës për këtë çështje.

Opozita pohon se me këtë marrëveshje Kosova humb më shumë se 8000 hektarë tokë në zonën kufitare, rreth Çakorës e cila sipas tyre i përket Kosovës, e jo Malit të Zi. Parlamenti i Malit të Zi tashmë ka ratifikuar Marrëveshjen për vijën kufitare me Kosovën.

Artikulli paraprakBozdag: Nga Perëndimi nuk morëm reagimet e pritura
Artikulli vijuesArrestohet në Malin e Zi Vlado Zmajeviç, i dyshuar për krime lufte në Kosovë